Kulturë

“Realitete të zgjeruara” me dialogun që transformon arkitekturën

Prishtinë, 2 tetor – Janë fotografi të shkrepura në vende të ndryshme të botës. Të gjitha pasqyrojnë arkitekturën. Nuk bëhet fjalë vetëm për rrokaqiej, por edhe për ndërtesa të imëta e në disa raste edhe për shkallë. Por arkitektura në veprat e ekspozuara nuk vjen e “pastër”.

U është nënshtruar ndërhyrjeve duke marrë edhe dimensionet e pikturës. Të gjitha janë jashtë kornizave të pikturave klasike. Pikërisht ashtu siç edhe titullohet ekspozita e artistes gjermane, Monika Kropshofer: “Realitete të zgjeruara”. Është hapur të hënën mbrëma në galerinë “Qahili” në periferi të kryeqytetit. Veprat e Kropshofer sjellin qasje të ndryshme arkitekturore brenda një hapësire. Veçantia e tyre shtohet me ndërhyrjet që i bën ajo nëpërmjet pikturimit digjital në plastikë. Krejt bashkë formojnë një mozaik goxha të pasur sa u përket shkathtësive të artistes.

“Këto transformime i bëjnë veprat si diçka misterioze, por edhe poetike”, është një prej interpretimeve që e ka bërë kuratorja, Tamara Tziroulnikoff. Hapja e ekspozitës është bërë në një tjetër formë nga ato parapraket. Bashkëbisedimi midis kuratores dhe artistes ka ngjarë me një lexim skenik, ku me letra në dorë, sikurse të lexohej ndonjë tekst, bëheshin pyetjet dhe jepeshin përgjigjet.

Artistja Monika Kropshofer ka thënë dhe fotografimi dhe pikturimi i plotësojnë njëri-tjetrin. Sipas saj, nëpërmjet fotografive zhvillohet një punim që e ka në qejf për vete.

“Ideja për të pikturuar mbi fotografi ishte dëshirë që të krijoja një realitet të ri e të veçantë. Dua ta tregoj thelbësoren e fotografisë edhe nëse është një pikënisje e problemeve që shfaqen më tej”, ka thënë ajo. Krejt procesin prej shkrepjes së pozave e deri te finalizimi i punimeve e ka përshkruar si një rrugë inspiruese e çliruese.

Kuratorja Tamara Tziroulnikoff, pas hapjes së ekspozitës, ka thënë se vitin e kaluar kur ishte në Kosovë i kishte pëlqyer goxha arkitektura e përzier e qyteteve. Asokohe kishte vendosur që të provonte mundësinë që veprat e Kropshofer të ekspozoheshin në Prishtinë.

Koordinatorja e galerisë “Qahili”, Nita Qahili, ka thënë se kjo është ekspozita e parë që Tamara Tziroulnikoff e ka hapur në Kosovë.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")