Në Raportin e Komisionit Evropian për sivjet, apo siç njihet ndryshe edhe Raporti i Progresit, zyrtarët e BE-së nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje trashëgimisë kulturore. Kanë përsëritur katër-pesë fjalitë e përhershme. Plotësimi i Ligjit për trashëgimi kulturore, Aneksi i pestë i Planit të Ahtisaarit e Këshilli për Zbatim e Monitorim mbesin vërejtjet e përhershme. Për ata që kanë qenë të përfshirë në këto procese, bëhet fjalë për një “Raport shkel e shko”
Komisioni Evropian e ka kritikuar sërish Kosovën sa i përket mosdraftimit të Ligjit për trashëgimi kulturore. Përfshirja e Aneksit të Pestë të Pakos së Ahtisaarit në këtë Ligj mbetet kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian bashkë me përmbushjen e standardeve të Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen dhe Promovimin e Diversitetit dhe Shprehjeve Kulturore. Rifillimi i takimeve të Këshillit për Zbatim e Monitorim vazhdon të mbetet po ashtu kërkesë.
Në Raportin e Komisionit Evropian për sivjet, apo siç njihet ndryshe edhe Raporti i Progresit, zyrtarët e BE-së nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje trashëgimisë kulturore. Kanë përsëritur katër-pesë fjalitë e përhershme. Plotësimi i Ligjit për trashëgimi kulturore, Aneksi i pestë Planit të Ahtisaarit e Këshilli për Zbatim e Monitorim mbesin vërejtjet e përhershme. Për ata që kanë qenë të përfshirë në këto procese, bëhet fjalë për një “Raport shkel e shko”.
“Sa i përket kulturës, Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet për të përmbushur standardet e Konventës së 2005-s së UNESCO-s për Mbrojtjen dhe Promovimin e Diversitetit të Shprehjeve Kulturore. Nuk ka pasur progres në hartimin e Ligjit për trashëgiminë kulturore, duke reflektuar angazhimet sipas Aneksit V të Planit të Ahtisaarit. Këshilli i Zbatimit dhe Monitorimit duhet të rifillojë takimet dhe identifikimin e zgjidhjeve të përbashkëta që do të arrihen ndërmjet Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe”, shkruhet në raportin e publikuar të mërkurën. Aty përmendet edhe se Kosova është pjesë e programit “Creative Europe”.
Kosova numëron më shumë se një dekadë prej kur synon draftimin e Ligjit për trashëgimi kulturore. E ka në Planin legjislativ edhe sivjet. Sipas atij Plani, Projektligji duhet të dorëzohet në Qeveri deri në fund të dhjetorit. Por gjasat që kjo të ndodhë sipas burimeve të KOHË-s, janë tejet të vogla. Katër ish-ministra të kulturës ia kishin mësyrë ndryshimit të Ligjit që është miratuar më 2006. Por nuk ia kishin dalë. Pak më shumë se tre vjet më parë ishte e fundit përpjekje e Ministrisë së Kulturës për hartimin e rregullave të reja në lidhje me menaxhimin e trashëgimisë kulture. Një grup punues ishte marrë me projektligjin në fjalë për t’i përmirësuar, siç ishte thënë, “lëshimet” e bëra nga dy komisionet paraprake, njëri i emëruar nga ish-ministri Memli Krasniqi e tjetri i formuar nga pasuesi i tij në MKRS, Kujtim Shala.
Ligji për trashëgimi hyn në pakon e ligjeve me interes vital. Kësisoj, për miratim duhen dy të tretat e dyfishta, që nënkupton se duhet të marrë edhe votat e dy të tretave të deputetëve të pakicave. Pra, varet nga 20 vendet e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës.
“Koha Ditore” ka raportuar se në ditën që projektligji do të nxirrej në votim më 2015 autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe kishin takuar me asokohe kryeministrin Isa Mustafa. Ia kishin bërë të ditur se deputetët serbë nuk do ta votonin atë, meqenëse në asnjë nen nuk përmendej trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe, por projektligji përcaktonte se bëhej fjalë për trashëgimi kulturore të shtetit të Kosovës. Më pas, MKRS-ja nuk ia ka dalë që të dorëzojë ndonjë draft në Qeveri. Pengesë ishte edhe jetëshkurtësia e kabineteve qeveritare.
KOHA ka kërkuar koment për Raportin e Progresit nga kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, por nuk është ofruar përgjigje.
Arsim Canolli, profesor i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se edhe sivjet, sikurse në vitet e fundit, “Raporti, për trashëgiminë kulturore është shkel e shko, sipërfaqësor e joprofesional”. Sipas tij, Raporti shkruhet sikur të ishte, jo monitorim i gjithë fushës së trashëgimisë, por si barometer i ndjenjave të përfaqësuesve të Manastirit të Deçanit.
“Në raport thuhet se ‘institucionet e Kosovës duhet t’u kthehen takimeve dhe të gjejnë marrëveshje mes tyre dhe Kishës Ortodokse Serbe’. Në të kaluarën, prej kur është krijuar Këshilli i Monitorimit dhe Zbatimit të Ligjit për Zonat me Mbrojtje të Veçantë, institucionet e Kosovës kanë marrë pjesë në mënyrë konsistente. Madje, sipas evidencës së mbajtur në takime, ato janë sjellë në mënyrën më korrekte me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë – por takimet e përbashkëta në Këshillin e Monitorimit i kanë bojkotuar gjithmonë përfaqësuesit e Kishës”, ka thënë Canolli.
Ky Këshill del prej Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura i miratuar më 20 shkurt 2008.
Sipas tij, institucionet kanë sjellje të njëjtë edhe sot. Ai ka pyetur se përse s’ka pasur takime deri më tani në dy vjetët e fundit.
“BE-ja e udhëheq atë Këshill. Ka mundur ta thërrasë takimin? Zyrtarët e BE-së shkruajnë këso raporte për trashëgiminë kulturore, gjithnjë duke e baltosur institucionet e Kosovës, por realiteti është se ato duan që institucionet e Kosovës të thyejnë ligjin dhe t’u japin priftërinjve të Manastirit të Kryeengjujëve në Prizren leje për të ndërtuar mbi gërmadha, siç kanë dashur ta bëjnë edhe në të kaluarën”, ka thënë ai. Sipas Canollit, kjo nuk mund të bëhet, sepse edhe sipas standardeve të BE-së edhe sipas standardeve të UNESCO-s, edhe secilës konventë ndërkombëtare, dhe raporteve të shkruara më herët nga përfaqësuesit e Këshillit të Evropës e UNESCO-s, nuk mund të rindërtosh kishë të re mbi gërmadha mesjetare.
“Mund të ndërtosh një kishë të re diku tjetër me leje, por jo kishë të re mbi gërmadha të kishave të vjetra. Ky është precedenti që pala serbe, Kisha Ortodokse Serbe dhe disa zyrtarë joprofesionistë e qëllimkëqij të BE-së kanë dashur dhe duan të bëjnë”, ka thënë ai. Në këtë rast i është kthyer historisë së para 7 vjetëve kur me presion kërkohej rindërtim në një zonë arkeologjike në Prizren. Asokohe ministër i Kulturës ishte Kujtim Shala e Canolli ishte këshilltar i tij.
“Në këtë raport ose janë përsëritur të njëjtat klishe me pahir nga zyrtarët e rinj, ose janë të njëjtët zyrtarë që shkruajnë këto raporte joprofesionale e tendencioze”, ka thënë Canolli.