Fjala e fundit e teknologjisë ka mundësuar që publiku gjithandej botës, të mund të prekë edhe artin e maestrove që jetuan këto e pesë shekuj më parë. Edhe ai i Kosovës e ka këtë mundësi me ekspozitën “Raffaello, Portraitist” që sjell 14 replika të veprave të Raffaello Sanzio da Urbino, i cili bashkë me Da Vincin e Michelangelon i dhanë botës atë që quhen Renesancë
Hovi i artit dhe i kulturës evropiane përgjatë periudhës së Renesancës ngelet i papërsëritshëm. E midis shekujve 14 dhe 17, rilindjes së artit e arkitekturës i prinin artistët italianë. Nëse flitet për emra të përveçëm, treshja Michelangelo, Leonardo da Vinci dhe Raffaello janë prijësit. Pos Italisë, krijimtaria e tyre zë vend nëpër muzetë më të famshme të botës.
E kati përdhesë i Muzeut Kombëtar të Kosovës që nga e marta ka marrë ngjyrat e Renesancës italiane. Replikat e 14 veprave të Raffaello Sanzio da Urbino, i njohur si Raffaello, janë renditur në të gjitha anët. Portretet e artistit që u lind më 1483 në Urbino e vdiq më 1520 në Romë, është vështirë të dallohen nga origjinalet. E nëpërmjet teknologjisë, ekspozita “Raffaello, Portraitist”, ofron të dhëna edhe për pjesën tjetër të krijimtarisë së Raffaellos e po ashtu edhe për biografinë e tij.
Midis veprave më të rëndësishme është portreti i Baldassarre Castigliones. Origjinali zë vend në Muzeun e Louvreit në Paris. Është një portet që ilustron në mënyrë të përkryer vlerat intelektuale dhe ekzistenciale të epokës që manualet e historisë së artit e quajnë Rilindje. Bile, vepra përshkruhet edhe si emblemë e elegancës superiore, inteligjencës së hollë e deri te përbuzja aristokratike.
“Pothuajse një përkthim në pikturë i filozofisë së jetës, etikës dhe estetikës, të cilin Baldassarre Castiglione shprehu në ‘Cortegiano’, një prej librave më të famshëm të shekullit”, ka shkruar kuratori i ekspozitës, historiani italian i artit, Antonio Paolucci. Raffaello ishte mik i Kontit Castiglione, një intelektual me emër në Romën e atyre viteve.
Konti ishte habitur me atë që njihet edhe si kryevepra e Raffaellos në vitin 1519. Artisti me ekipin e tij kishin punuar ciklin e afreskeve në pallatin Apostolik. Bota këtë vepër e njeh edhe si “Bibla e Raffaellos”.
Midis veprave më të rëndësishme është portreti i Baldassarre Castigliones. Origjinali zë vend në Muzeun e Louvreit në Paris
Por, për të arritur deri në këtë nivel, artisti kishte nisur përgatitjet qysh si fëmijë. I ati i tij, Giovanni Santi, drejtonte punishten më të rëndësishme në qytetin e tyre. Ishte i besuari i Dukes së Urbinos sa u përket çështjeve të artit. Kësisoj, Raffaello do të merrte mësimet e para në punishten e të atit brenda pallatit të Dukës, duke pasur mundësinë që të njihte mjeshtrit më të mëdhenj të kohës. I ri ecte me hapa të pazakontë dhe qysh në moshën 17-vjeçare mori titullin mjeshtër. Sipas biografisë, takimi me artistin Pietro Perugino ishte çelësi i sekretit sa i përket ritmit të bukurisë në artin e kohës si dhe dritën që i zbuste format artistike. E zhvendosja në Firence ku dominonin veprat e Michelangelos e të Da Vincit do t’i hapte rrugë Raffaellos për të ecur përpara në hapa të sigurt. Do të hynte në shërbim të Papës Giulio II della Rovere. E lozhat e Pallatit Apostolik i japin atij vulën e një prej rilindësve të dalluar. Papa paraqitet edhe në veprat e artistit që janë të ekspozuara në Muzeun Kombëtar të Kosovës deri më 10 tetor.
Ekspozita është hapur nga Ambasada e Italisë në Kosovë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Paraprakisht, punimet kanë qenë në Tunizi, Turqi e Finlandë. Kurse pas Kosovës, ekspozita do të hapet në Maqedoninë Veriore. Veprat nëpërmjet teknologjisë janë ndriçuar në formën për të nxjerrë në pah çdo detaj të punuar nga artisti.
Të martën kur edhe është hapur ekspozita, zëvendës-shefi i misionit italian në Kosovë, Ugo Ferrero, ka thënë se projekti bën bashkë klasiken dhe teknologjinë.
“Si Ambasadë e Italisë në Kosovë jemi shumë të lumtur që më në fund e kemi hapur këtë ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me Muzeun dhe Ministrinë e Kulturës. Ne mendojmë se hapja e kësaj ekspozite duke respektuar të gjitha masat antiCOVID është shumë e rëndësishme dhe kultura duhet të ecë duke sjellë këtu një nga kryeveprat, një nga artistët më të rëndësishëm italianë…”, ka thënë ai.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se portretet sjellin një dimension të paraqitjes artistike.
Klasikja e teknologjia bëhen tok në ekspozitë. Veprat e printuara nëpërmjet teknologjisë janë ndriçuar në atë formë për të nxjerrë në pah çdo detaj të punuar nga artisti
“Unë jam shumë i lumtur që si MKRS, si institucione shtetërore të kulturës dhe si Muze i Kosovës kemi mundësi me qenë pjesë e organizimeve të tilla dhe projekteve të rëndësishme të nivelit ndërkombëtar”, ka thënë Çeku. Sipas tij, ekspozita ka lëvizur shumë dhe do të lëvizë edhe pas Kosovës.
Kurse drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka treguar se me Ambasadën e Italisë do të bashkëpunojnë edhe për projekte të tjera të përbashkëta.
Pothuajse secili portret i ekspozitës bart në vete ngjyrat dhe stilin e Renesancës. Paraqiten personazhe të njohura të oborreve aristokrate të kohës. Bëhet fjalë për veprat që vazhdojnë të jenë emblemë e artit që Italia dhe krejt Evropa i paraqesin para botës. Si të tilla edhe në kopje – që janë krejt identike me origjinalet edhe për nga formati – veprat shpalosin në detaje frymën e artit të kohës. Shkojnë përtej kësaj, bashkë me shpjegimet audiovizuele që flasin për organizimin e aristokracisë së kohës deri tek angazhimi i artistëve më me nam në oborret e pushtetshme.