Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

"Apollo” i Bostonit si rrëfim për çështjet racore në artin amerikan

Skicë studimore e artistit amerikan John Singer Sargent (1856 – 1925)

“Boston’s Apollo: Thomas McKeller and John Singer Sargent”, një ekspozitë në “Isabella Stewart Gardner Museum” në Boston, ishte paraparë të qëmtonte kundërth ënien mes racës dhe dukshmërisë. E paraparë, prej 13 deri më 17 maj, është kufizuar për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Për fat të mirë, publiku ka një katalog të bukur e të mirilustruar nga Yale University Press.

Në tetë kapituj, autoritete prijatare diskutojnë aspekte të bashkëpunimit afër njëdekadësh mes dy burrave. Meqë secili mendohet të ketë qenë homoseksual, studimet ngrenë një pyetje të pazgjidhur: a ishin mpleksur ata intimisht? Katalogu gjithashtu qëmton padukshmërinë e McKellerit në dritën e paraqitjeve shfytyruese apo shlyerjet e plota të njerëzve me ngjyrë në artin dhe median amerikane në shërbim të sipranisë së bardhë.

Më 1916, në moshën 60 vjeçe, i njohur si piktor portretesh, Sargent po i avitej fundit të jetës së tij. Në Boston ai ndërmori të dytin prej tri projekteve civike murale, duke shpresuar të fitonte nam të pavdekshëm nëpërmjet zbukurimit të hajatit në hyrje të Muzeut të Arteve të Bukura dhe “Widener Library” në Harvard. McKeller ishte 26 vjeç dhe punonte si portier në hotelin e Sargentit.

I taksur me një fizik magjepsës, ai u bë modeli i pëlqyer i piktorit. Projektet e Sargentit nuk ishin pa ironi. Nën atin Lawrence Lowell, Harvardi po e përjetonte një inkuizicion për të zbuluar dhe përzënë homoseksualët. Presidenti i kolegjit donte edhe një kuotë për hebrenjtë, kurse universiteti ndaloi studentët me ngjyrë nga banimi në kampus. Madje Harvardi, për 70 vjet, do t’ia kreditonte librarinë jo arkitektit afro-amerikan, por punëdhënësit të tij të bardhë.

Duke marrë parasysh gjithë këtë, nuk është befasi që në veprën e përfunduar të Sargentit, McKeller nuk u paraqit kurrë si vetvetja. Mes zbukurimeve alegorike, as sytë e mirësjellshëm të McKellerit dhe as fytyra e tij e qetë nuk shikojnë prapa. Vetëm muskulatura e tij e bëshme është dhënë. McKeller ndonjëherë është i vjetër, ai është pa pushim i ri, ai ndonjëherë është femër, e madje është edhe i shenjtë.

Por ai është gjithmonë i bardhë. I vetmi përjashtim është një skicë e mahnitshme portreti, e pikturuar për qejfin e artistit sipas një imazhi të papërfunduar të një zogu. Krahë fantomë e bëjnë burrin si supermen. Është goxha ndryshe prej asaj që Sargent bënte gjithmonë.