Në kuadër të projektit Kultura për Ndryshim, Qendra Multimedia dhe Insituti Goethe organizojnë dy aktivitete, njërin në Prishtinë dhe tjetrin në Ferizaj.
Aktiviteti në Ferizaj do mbahet në bibliotekën komunale “Sadik Tafarshiku” prej orës 13:00, ku autorë që do të lexojnë do jenë Bardh Frangu, Besnik Jaha dhe Dije Lohaj.
Ndërkaq, sipas njoftimit, në Prishtinë do mbahet në Qendrën Multimedia prej orës 20:00 ku autorët që do të lexojnë janë Arbër Selmani, Ardiana Shala Prishtina, Edi Shukriu, Genc Kadriu, Sibel Halimi.
Pas leximit mbrëmja do të shoqërohet me muzikë të përzgjedhur nga grupi String String.
“23 prilli është ditë simbolike e literaturës botërore. Kjo datë është caktuar si dita ndërkombëtare e librit nga UNESCO në Konferencën e Përgjithshme të mbajtur në Paris në vitin 1995, për t’i çmuar librat dhe autorët, duke i inkurajuar të gjithë e posaqërisht të rinjtë që të zbulojnë kënaqësinë e leximit dhe të respektojnë kontributin e atyre që kanë ndihmuar në zhvillimin shoqëror dhe kulturor të njerëzimit”, është shkruar në njoftimin e Multimedias.