Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Libri, forcë përballë sfidave bashkëkohore

Përderisa në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, ngjarjet u janë kushtuar dy shkrimtarëve – Vehbi Kikajt dhe Ali Podrimjes në 80-vjetorin e lindjes – në bibliotekën e Prishtinës, “Hivzi Sylejmani”, Dita Botërore e Librit dhe të së Drejtës së Autorit iu është kushtuar lexuesve.

Organizata joqeveritare “ETEA” në orët e hershme ka vizituar fëmijët e shkollës “Pjetër Bogdani”, Prishtinë, ndërsa pasdite së bashku me bibliotekën bënë shpalljen e dy lexuesve të vitit: Hadis Gashi, nxënës i shkollës së mesme, dhe Merita Limani, pensioniste.

23 prilli është Dita Botërore e Librit, e njohur gjithashtu edhe si Dita Botërore e të së Drejtës së Autorit. Ajo është ngjarje vjetore e organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) për të promovuar leximin, botimin dhe të drejtën e autorit. Dita e parë Botërore e Librit u festua më 23 prill të vitit 1995.

Image
Lexuesit e vitit nga biblioteka “Hivzi Sylejmani”: Hadis Gashi, nxënës i shkollës së mesme, dhe Merita Limani, pensioniste

Me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, UNESCO së bashku me komitetin këshillues nga sektorët kryesorë të industrisë së librit zgjedhin “Kryeqytetin Botëror të Librit” për një vit. Çdo kryeqytet i caktuar botëror i librit kryen një program aktivitetesh për të festuar dhe promovuar librin dhe leximin.

Në vitin 2022, qyteti meksikan i Guadalajaras po merr petkun e “Kryeqytetit Botëror të Librit”, me një program njëvjeçar që fokusohet në rolin e librave dhe leximit, në nxitjen e ndryshimeve shoqërore, luftimin e dhunës dhe ndërtimin e një kulture paqeje.

Në Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, UNESCO u bën thirrje partnerëve të saj të shpërndajnë mesazhin se librat janë një forcë për të adresuar sfidat bashkëkohore, për të kuptuar realitetet politike dhe ekonomike dhe për të luftuar pabarazitë dhe dezinformimin.