Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Qeleshet, inspirim për artisten Berisha për të realizuar vepra arti

Mënyra se si punohen qeleshet u bë inspirim për artisten Fitore Berisha që të realizojë vepra arti, nëpërmjet të cilave dokumenton një pjesë të trashëgimisë shqiptare.

Gjatë dy muajve ajo ka qëndruar afër një mjeshtri qeleshepunues të njohur në Pejë, Afrim Lata, për t’u njoftuar me procesin e përpunimit të leshit deri tek formësimi i qeleshes.

Nga kjo përvojë është munduar të shohë se si mund t’i manipulojë metodën dhe materialin për të krijuar forma të reja mbi të cilat do të mund t’i zhvillonte punimet e saj, raporton “Express” i KTV-së.

Portreti i gruas theksohet në pikturat e kombinuara me qeleshe që u prezantuan të hënën mbrëma në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Me ekspozitën e titulluar “Cohë”, Berisha thotë se po tenton ta shtrojë një rrugë të re të eksperimentimit artistik.

Projekti artistik “Cohë” ka gjetur mbështetjen e platformës “Hapësira e trashëgimisë”, që zbatohet nga CHwB Kosova dhe UNDP-ja.

Veprat e projektit “Cohë” do të jenë të ekspozuara në Muzeun e Kosovës deri më 15 shkurt.