Në vitet e ‘90 të shekullit XX, kur pakica serbe kishte zaptuar Qendrën, shumicës shqiptare i kishte mbetur periferia. E periferi në atë kohë mund të konsideroheshin pjesa që njihej si “Te Qafa” apo edhe e “Kurrizi” i Dardanisë, shkruan sot Koha Ditore.
Te kjo e para, në katet e poshtme të banesave të larta me tulla të verdha ishin kthyer në hapësirën ku zhvillohej jeta urbane e shqiptarëve, ndaras nga ajo e serbëve. Kryesisht e mbushur me kafene, aty bëheshin debate për politikën e zhvilloheshin edhe aktivitete kulturore. Bëheshin edhe njohje për çifte të reja. Mund të jetë folur edhe për atë se kujt i erdhi thirrja për Ushtrinë e Jugosllavisë që kishte nisur të shpartallohej përgjakshëm, fillimisht në Kroaci, e më pas në Bosnjë, për të përfunduar me Kosovën. E për pasojë është diskutuar se cili prej djemve mungon sot, se mori rrugën e kurbetit.
Sot, kompleksi ka krejt tjetër pamje. Kati përdhese funksionon mirë me biznese, por ai i sipërmi është pothuajse i zymtë. Ka fare pak njerëz që e frekuentojnë. Pas luftës së fundit në Kosovë, aty janë “strehuar” edhe disa institucione të kulturës. Poshtë është edhe Galeria e Ministrisë së Kulturës – që pikërisht për shkak të namit të lagjes më shumë njihet si galeria “Qafa”. E sipër saj, funksionojnë edhe Qendra Kinematografike e Kosovës dhe “KosovaFilmi”. /Artan Krasniqi
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”)