Në Konservatorin e Yerevanit në Armeni, profesori Gevorg Dabagyan dhe studenti i tij, Narek Avetisyan, praktikojnë meloditë duke përdorur instrumentin më të famshëm – dudukun.
Duduku më së shpeshti luhet në çift. Për të arritur tingull më të pastër, duduku kryesor luan një melodi, ndërsa i dyti i quajtur “dum”, luan në sfond tonin e vazhdueshëm të një lartësie të caktuar.
Frymëmarrja e vazhdueshme përdoret për të formuar notat. Duke thithur nga hunda, muzikanti mban ajrin në faqet e tij të fryra për të vazhduar të luajë instrumentin.
Profesori në Konservatorin e Yerevanit, Gevorg Dabagyan, është nga më të njohurit në botë që luan në dudukun bashkëkohor.
“Duduku është instrumenti ynë armen në botë, thesari dhe krenaria jonë. Ne gjithmonë do t’i tregojmë botës për instrumentin tonë shpirtëror”, ka thënë Dabagyan.
Muzika e dudukut ka qenë pjesë e pandarë e jetës kulturore ndër shekuj për popullin e Armenisë, duke shoqëruar ngjarjet e rëndësishme shoqërore, festat e folklorit, dasmat dhe funeralet, këngët dhe vallet kombëtare.
Sipas Dabadyan-it, disa historianë vlerësojnë se ai është tre deri pesë mijë vjet i lashtë.
“Askush nuk ka mundur të përcaktojë me saktësi kohën e shfaqjes së tij. Ekziston një thënie se duduku u shfaq në të njëjtën kohë me armenët”, ka thënë ai.
Sot tingulli i dudukut dëgjohet në shumë këngë ndërkombëtare, video-lojëra dhe filma të Hollywoodit.
Avetisyan e viziton rregullisht Konservatorin për mësime. Shpresa e tij është të luajë në duduk në një orkestër simfonike.
“Ka kërkesa për të luajtur në duduk kudo, në gjithë botën dhe veçanërisht në Armeni – për muzikë kombëtare e ndërkombëtare. Por mbi të gjitha do të doja të luaja me të në një orkestër simfonike a në një skenë, do të luaja këngë ndërkombëtare, klasike dhe kombëtare”, ka thënë ai.
Metoda e prodhimit për punimin e dudukut pothuajse nuk ka ndryshuar aspak.
Të bërë nga mjeshtrit në punishte të vogla, secili akordohet me dorë.
Galust Galstyan është një mjeshtër i vjetër, i cili ka bërë instrumente muzikore popullore për shumë vjet në punishten jashtë kopshtit të shtëpisë së tij.
“Duduku është bërë nga lloje të ndryshme druri, si molla, dardha, arra, por më së shumti nga kajsia, pasi u jep timbër më të mirë, kështu që mjeshtrit e bëjnë dudukun më së shpeshti nga kajsia”, ka thënë Galstyan.
Është bërthama e pemës së kajsisë që përdoret për prodhim. Pema duhet të jetë 35 deri 40 vjet e vjetër për t’u siguruar që trungu është mjaftueshëm i trashë – duhet të jetë të paktën 40 centimetra në diametër.
Pavarësisht ndikimit të ndryshimeve klimatike në Armeni, pema e kajsisë është në gjendje të mbijetojë edhe në kushte më të thata dhe më të nxehta.
Galstyan tregon për një pemë molle që po vdes në kopshtin e tij.
“Për shkak se ka mot të thatë, disa pemë nuk lëshuan rrënjë, mollët nuk lëshonin rrënjë”, ka thënë ai.
“Ndërsa pemët e kajsisë mbijetojnë, ato janë më të qëndrueshme”.
Ndryshe nga dikur, artizanin e ndihmojnë për të bërë dudukun makineritë e ndryshme. Megjithatë, shumica e mjeteve janë punëdore.
Duduku përbëhet nga dy pjesë - trupi i bërë nga druri i kajsisë dhe një pjesë kallami. Kjo e fundit zakonisht ka nëntë vrima dhe mund të jetë më e gjatë ose më e shkurtër në varësi të gamës së notave që kërkohen për t’u prodhuar.
"Vrimat i hapim me metal të fortë, në mënyrë që druri të shtrëngohet. Pastaj vazhdojmë me akordimin e instrumentit në mënyrë që të bëjë notat e duhura", ka shpjeguar Galstyan.
Akordimi bëhet ende me dorë. Mjeshtri dëgjon tingullin dhe rregullon madhësinë e trupit dhe vrimave për të arritur notën e kërkuar.
Pas shkrepjes së vrimave të gishtave dhe rregullimit të zërit, instrumenti ngjyroset dhe lyhet me vaj.
Duduku si simbol gjerësisht i njohur i Armenisë, është i njohur si suvenir për turistët dhe për muzikantët profesionistë nga e gjithë bota.
“Sa më shumë dinë për dudukun, aq më shumë e blejnë”, ka thënë shitësi Zorik Galstyan.
“Pavarësisht se koronavirusi dhe lufta mes Rusisë dhe Ukrainës na ndikoi pak keq, megjithatë natyrisht se çdo vit shiten gjithnjë e më shumë”.
Në vitin 2008, duduku dhe tingulli i tij u përfshinë në Listën e UNESCO-s si trashëgimi kulturore jomateriale e njerëzimit.
Në vitin 2021 u zhvillua Festivali i Parë Ndërkombëtar Dudukist në Jerevan, që tashmë është bërë ngjarje vjetore.