Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Profili i veprimtarit publik

Fehmi Agani në studimet themelore kishte mbaruar për filozofi, ndërsa më vonë kishte zgjedhur specializimin për sociologji dhe sidomos sociologji politike. Në çdo vend e në çdo kohë reflekset nga këto fusha do të jenë thelbi i punës së tij, qoftë si gazetar e punonjës publik, apo si profesor nga më të shquarit e UP-së, si veprimtar shoqëror e politikan, shkruan sot Koha Ditore.

Në profesurën e tij universitare si profesor i sociologjisë dhe i sociologjisë poli­tike, i logjikës dhe i metodologjisë së hulumtimit shkencor, po edhe i lëndëve të afërta me to; ishte themelues i Degës së Filozofisë e Sociologjisë në Universitetin e Prish­tinës, po edhe një nga ndërtuesit kryesorë të Universitetit në tërësi. Në jetën shoqërore ishte ndër ata që pas Plenumit të Brioneve (1966) u shquan sa i përket angazhi­mit për demas­kimin e shtypjes barba­re të ushtruar mbi shqip­tarët, edhe më shumë për kërkimin e hapë­sirave të reja për zgjerimin e të drejtave shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve me synim barazimin me të tjerët në ish-Jugo­sllavi, gjithë duke kërkuar hapësira demokra­tizimi për të gjithë.

Në ato vite (1967-8) nyjëtohet kërkesa për krijimin e Repu­blikës së Kosovës të barabartë me republikat e tjera të Jugosllavisë. Fehmiu ishte ndër ata që e argumentuan dhe e ushqyen këtë kërkesë me tërë fuqinë e mendjes e të dijeve që ki­shin mbledhur në jetën e tyre.

Në ato kohë Kosova po rrëmbente një hapësirë politike brenda së cilës të drejtat e popullatës së saj dhe të drejtat e shqiptarëve duhej të ngriheshin në një nivel tjetër, dhe kjo hapësirë mund të bëhej reale nëse mbushej me zhvillimin e veprimtarive institu­cionale, politike, administrative, kulturore, shkencore etj. Në të gjitha këto drejtime të veprimit Fehmi Aganin e gjejmë diku në radhët e para. /Rexhep Ismajli

(shkrimin e plotë e gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)