Pandemia ka prekur industrinë e filmit në gjithë botën. Me telashe po përballen edhe producentët vendorë. Në këtë periudhë kur ata i kanë pezulluar të gjitha aktivitetet për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, është vënë në pikëpyetje edhe vetë ekzistenca e shumë produksioneve filmike në vend.
Përballë, këtyre sfidave, Shoqata e Producentëve të Kosovës “PREK”, ka kërkuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës që t’i lirojnë nga pagesa për aplikim në konkursin për subvencionim të projekteve filmike për vitin 2020 që është mbyllur të hënën. Me ta marrë këtë kërkesë, më 3 gusht, QKK-ja i kishte shtuar edhe dy kërkesa të tjera të cilat do ta lehtësonin punën e saj, por edhe të aplikuesve në këtë kohë pandemie dhe të njëjtën kërkesë ia kishte dërguar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Kulturës.
Institucioni më i lartë i filmit në vend kishte kërkuar që të pezullohet neni 2, paragrafi 4 i Rregullores për punën e jurisë vlerësuese për projektet filmike që subvencionohen nga QKK-ja, ku përcaktohet që së paku dy nga anëtaret e jurisë vlerësuese të filmit të metrazhit të gjatë duhet të jenë të huaj – ekspertë të fushës së kinematografisë dhe nenin 6, paragrafin 3, ku thuhet se skenarët e metrazhit të gjatë artistik duhet të jenë të përkthyer në gjuhën angleze. E shpejtë ka qenë përgjigjja e Ministrisë së Kulturës se është e gatshme t’u dalë në ndihmë, por në këtë rast rregulloret përkatëse duhet të plotësohen dhe ndryshohen vetëm me një akt nënligjor të barasvlershëm (Rregullore) ose më një akt ligjor të nivelit më të lartë siç është Ligji.
Në garë me kohën, pasi që konkursi është mbyllur në ditën e fundit të gushtit, palët janë në diskutim për ta gjetur një hapësirë për kompensim të tarifës të cilën duhet ta paguajnë aplikuesit. Në bazë të nenit 6, paragrafi 4 të rregullores për subvencionimin e projekteve filmike nga QKK, thuhet se “pagesa e aplikimit për film të metrazhit të shkurtër (artistik, dokumentar, të animuar), zhvillim skenari është 50 euro, ndërsa për film të metrazhit të gjatë (artistik, dokumentar, të animuar) është 100 euro”.
Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) kishte hapur konkursin për subvencionim (mbështetje financiare) të projekteve filmike për këtë vit më 14 korrik. Siç kishte raportuar KOHA, këtë e kishte bërë duke harruar borxhin 1.2 milion eurosh të kontraktuar pa mbulesë gjatë viteve 2018 e 2019. Në komunikatën që Shoqata e Producentëve të Kosovës “PREK” ka dërguar të martën, shkruhet se duke marrë parasysh gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën gjenden, atëherë është e mundur të gjendet një rrugë ligjore për të liruar ose subvencionuar producentët nga kjo shumë... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)