Statusi i saj është ana tjetër, por në skenë debutimi i asaj që është quajtur orkestra “Prishtina”, me letra OJQ, ka qenë madhështor. Ka bërë bashkë emra të shquar të muzikës për ta pasuruar alternativën e skenës vendore, veçanti ka lidhjen e barokut me muzikën moderne e koncerti i parë ka qenë test i kaluar me sukses. Nëse pas tre vjetësh do të shndërrohet ashtu siç e ka emrin, shenjat e para janë optimiste me gjithë zotimet e udhëheqësve politikë që edhe themelimin e saj e faturojnë si sukses të tyrin
“Brandenburg Concerto No. 3 in G major” e kompozitorit Johann Sebastian Bach është ideuar e kompozuar që të luhet nga një orkestër e vogël, por e përbërë nga solistë dhe të tingëllojë madhështore.
E tillë ka tingëlluar në të tri kohët e luajtura në ditën e inaugurimit të orkestrës “Prishtina”. Udhëhequr nga koncertmjeshtri Visar Kuçi, Orkestra ka sjellë për publikun e kryeqytetit frymën e barokut nëpërmjet veprës së një prej mjeshtërve më me nam të asaj periudhe, gjermanit, Bach. E luajtur nga 14 harkorë dhe një pianiste në çembalo, kjo vepër ka qenë intro e koncertit inaugurues të Orkestrës së kryeqytetit.
Me drejtor artistik Genc Salihun, koncertmjeshtër Visar Kuçin e drejtoreshë të organizatës themeluese, “Eho”, Gresa Broqin, kjo Orkestër është një projekt trevjeçar i financuar nëpërmjet thirrjes publike nga Komuna e Prishtinës. Shumica e instrumentistëve janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës. Vështirë të ketë në vend përbërje të një ansambli të gjerë ose të një orkestre kamertale që do të tingëllonte më mirë.
Orkestra pas Bachut ka shmangur periudhën e romantizmit për të dalë drejt te kompozitorët modernë. Katër kohët e “Simple Symphony” të anglezit Benjamin Britten janë luajtur nga harqet, duke sjellë tinguj të një melodie moderne të shekullit të kaluar. Vepra me tetë tema të nxjerra nga një kompozim i fëmijërisë që Britten ia kishte kushtuar mësimdhënëses së tij të violës, Audrey Alston, ka nxjerrë në pah shkathtësitë e Orkestrës e njëkohësisht ka prekur publikun me tjetër rrymë muzikore. Ky është edhe qëllimi i formacionit më të ri muzikor në vend.
Kantautori Genc Salihu, si drejtor artistik i Orkestrës ka thënë se kanë pasur një dëshirë ta shohin dhe ta themelojnë një orkestër e cila e mbush një hapësirë boshe në relievin e muzikës artistike në Kosovë.
“Pra jo një orkestër simfonike sepse ajo hapësirë është e mbushur shumë mirë nga Filharmonia e Kosovës me të cilën mburremi shumë, sidomos me sezonet e fundit që i kishte të shkëlqyeshme. Kemi dashur më shumë një orkestër që e turbullon kufirin midis muzikës kamertale dhe muzikës orkestrale simfonike. Një orkestër që luan muzikën shumë të vjetër të kohës së barokut e mandej duke e anashkaluar madhështinë e muzikës orkestrale të periudhës romantike, luan edhe vepra moderne”, ka thënë ai.
Brenda këtij koncepti idenë e Orkestrës e ka shpjeguar edhe koncermjeshtri i këtij formacioni e edhe i Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi. Sipas tij, Orkestra është menduar t’i ketë dy anë.
“Së pari muzika barok e pastaj edhe muzika moderne. Edhe sonte programin e kemi pasur ashtu. Kjo është ideja e Orkestrës. Normalisht kemi një plan dhe shpresojmë të realizohet pasi do të ketë programe interesante edhe me mysafirë ndërkombëtarë. Ideja ishte që të kemi diçka tjetër. Diçka që nuk ka në kryeqytet”, ka thënë ai. Kuçi ka shtuar se si anëtarë e krijues e kanë për detyrë ta ngritin Orkestrën në një nivel sa më të lartë që munden, në mënyrë që kur ajo të vazhdojë me gjeneratat e ardhshme, të jetë edhe më madhështore.
“Kjo Orkestër shpresoj të ketë edhe njohje ndërkombëtare. Të jetë një orkestër që i jep kryeqytetit dhe shtetit një përfaqësim sa më të lartë artistik e muzikor”, ka thënë ai.
Për kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, themelimi i Orkestrës është një hap i madh jo vetëm për skenën muzikore të qytetit, por edhe për gjithë skenën kulturore që po rritet dhe po zgjerohet.
“Në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj po e zgjedhin artin si gjuhën e tyre dhe inspirohen me mënyrën e tyre të shprehjes dhe publiku ynë po rritet, kemi menduar që edhe Prishtina ta krijojë orkestrën e vet”, ka thënë ai. Sipas tij, nisma ka lindur nga Komuna dhe është bërë realitet falë bashkëpunimit me organizatën “Eho”.
“Orkestra ‘Prishtina’ është një ansambël kamertal i zgjeruar i menduar si një urë e re midis publikut dhe skenës”, ka thënë ai pak pasi formacionit i është referuar edhe si orkestër simfonike. Sipas Ramës, nuk bëhet fjalë vetëm për një institucion të ri por është edhe një premtim që kultura në Prishtinë gjithmonë do të ketë vendin e merituar. Siç ka thënë ai, do të jetë në piedestal. Këtë deklaratë e ka bërë pasi kanë nënshkruar marrëveshjen me drejtuesen e organizatës për bashkëpunime artistike, “Eho”, Gresa Broqi, njëherësh violonçeliste në Orkestër. Zyrtarët komunalë nuk kanë bërë të ditur se cila do të jetë shuma e përkrahjes së Orkestrës brenda një viti. KOHA ka kërkuar që të shohë një kopje të marrëveshjes së nënshkruar, por megjithëse zyrtarët kanë thënë se do ta përcjellin atë në mënyrë elektronike, nuk e kanë bërë këtë të hënën. Në janar Komuna kishte hapur thirrje për organizata joqeveritare për themelimin e Orkestrës.
“Organizata duhet të ketë orkestër ekzistuese të traditës perëndimore të muzikës artistike, me minimalisht 15-18 anëtarë profesionistë me përvojë në fushën e muzikës artistike (klasike)”, ishte një prej kritereve. Kërkohej koncept kuratorial dhe planprogram për tre vjet me nga pesë koncerte dhe dy masterklase. Kriteret qenë fiks sikurse e kanë ideuar themeluesit Orkestrën.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në kryeqytet, Sibel Halimi, ka thënë se kriteret ishin shumë të larta. Sipas saj, forma e themelimit të Orkestrës është shumë e mirë. E pyetur se përse nuk është tentuar të themelohet një institucion më vete, ajo ka thënë se këto forma janë shumë produktive.
“Marrëveshjet e tilla japin mundësi të shohim se si po funksionon për tre vjet dhe pas tyre krijohet mundësia edhe për ndonjë orkestër tjetër të ndonjë natyre tjetër gjithmonë duke e harmonizuar llojin e orkestrës edhe me dinamika të muzikës kamertale dhe klasike në përgjithësi”, ka thënë ajo.
Në vitin 2017 Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e kishte miratuar propozimin e Shpend Ahmetit, asokohe kryetar i kryeqytetit që ansambli “Rexho Mulliqi” të shndërrohet në Orkestër të kryeqytetit. Asamblistët kishin kërkuar plan e shpjegime të qarta për pagesat e anëtarëve e hapësirën ku do të punonte institucioni potencial. Sa i përket potencialit, Orkestra e re duket se nuk e ka telashe këtë pjesë. Të paktën në anën artistike. Mbetet të shihet sa i përket bashkëpunimit me Komunën. Në koncertin e parë ka shkëlqyer, me gjithë vështirësitë që ua ka shkaktuar instrumentistëve futja e kamerave në turinj shkaku i videove reklamuese të kohës kur performanca e politikanëve në rrjete sociale është prioritet.
Vepra gjashtë koheshe e hungarezit Béla Bartók, “Romanin Folk Dances” e ka mbyllur programin inaugurues të Orkestrës. E bazuar në meloditë e Transilvanisë, vepra sjell tinguj modernë që burojnë nga një muzikë tradicionale e vjetër, duke sjellë në sallë një frymë të përzier muzikore që nxjerr në pah edhe mjeshtërinë e kompozitorit Bartók. Megjithëse s’konsiderohet si vepër e rëndë për t’u interpretuar, ajo ka theksuar edhe mjeshtërinë e Orkestrës. Madje koha e fundit, “Maruntel” është luajtur dy herë si përgjigje për ovacionet e publikut.