Kulturë

Prishtina e fragmentuar dhe paradoksale “Përtej titullit”

Orhan Kurtolli

Me penel Orhan Kurtolli ndërton shfaqje teatrale në kanavacë, të cilat shërbejnë si depërtim nëpër poret e jetesës urbane që rëndom është e dendur me banalitet

Artisti Orhan Kurtolli në veprimtarinë artistike të tij pasqyron realitetin e jetuar nga vetë ai duke reflektuar me sinqeritet në çdo copëz që e ndërton jetesën në shoqërinë kosovare. Nëpërmjet përdorimit të figurave vë në dukje detaje të ndryshme që janë pjesë e identitetit urban të Prishtinës, qytetit të tij të lindjes. Në ekspozitën e tij të titulluar “Përtej titullit” shpalos dhjetëra vepra të tija, të cilat veç vlerave estetike ngjasojnë dhe me një elegji vizuale që ai ia thur identitetit të dikurshëm të kryeqytetit, të kërcënuar nga prekjet e ditëve të sotme

Tabuja është armiku kryesor i artistit Orhan Kurtolli në pikturat e tij. E lufton atë duke e ballafaquar me realitetin, i cili shpesh krijon dikotomi. I zhvesh subjektet e tij në figurë, si një ftesë e thyerjes së koncepteve kulturore, e bashkë me to zhvesh dhe botëkuptimet me të cilat identiteti i tij i lirë artistik nuk pajtohet. Në ekspozitën personale “Përtej titullit”, e cila të premten mbrëma në galerinë “Hani i 2 Robertëve”, artisti qëmton copëzat që e ndërtojnë Prishtinën e cila në pikturat e tij duket se debaton vazhdimisht me identitetin e saj të dikurshëm, asaj të fëmijërisë së autorit.

Në rreth njëzet vepra të cilat përbëjnë një periudhë të konsiderueshme të veprimtarisë së Kurtollit, ai luan edhe me ironinë. Me penel ndërton shfaqje teatrale në kanavacë të cilat shërbejnë si depërtim nëpër poret e jetesës urbane e cila rëndom është e dendur me banalitet. Rrjedhimisht interpretimi i tyre sipas këndvështrimit të shikuesit është hapi i fundit drejt jetësimit të veprës, pasi që u ngelet atyre që t’i observojnë ato varësisht nga impulsi personal. Kurtolli është stomatolog me profesion, në art kaherë ka krijuar identitetin e tij artistik. 

“Shikuesi duhet të deshifrojë, të zbulojë dhe rizbulon enigmën e pikturuar, andaj veprave të tij artisti edhe nuk vë tituj, por i trajton toptan, me titull përmbledhës... Te pikturat e Kurtollit ka edhe imazhe të tjera intrigash paradoksale, me një notë të theksuar të melankolisë të homo erectusit, që pluskojnë mes zbulesës dhe të fshehurit brenda skenografive urbane në dukje teatrale, të cirkut ose të estradës”, shkruhet në konceptin kuratorial të kuratorit të ekspozitës Shkëlzen Maliqi.

Në dy hapësirat e galerisë shtrihen pikturat e ndryshme, të cilat ndërtojnë një tregim që dëshmon fatet e kryeqytetit duke filluar nga historia e cila rrjedh nga kujtimet personale të artistit…

Në dy hapësirat e galerisë shtrihen pikturat e ndryshme të cilat ndërtojnë një tregim që dëshmon fatet e kryeqytetit duke filluar nga historia e cila rrjedh nga kujtimet personale të artistit, pastaj aty vërehet që Kurtolli merret shumë edhe me komplekset njerëzore, në to vend i bën dhe ndërtimit të egër në kryeqytet i cili tashmë është shndërruar në detaj identifikues. Ngacmimi i ndërgjegjes është emërues i përbashkët i pikturave të tij, ai ngacmon shumë çështje kontroverse me të cilat përballet shoqëria. I lindur në vitin 1952 në Prishtinë, ku jeton dhe punon, Orhan Kurtolli ka diplomuar në Degën e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe që nga shkolla e mesme është interesuar për art dhe veprimtari artistike. Veprat e tij janë prezantuar në ekspozita të shumta grupore si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Sipas biografisë, gjithashtu ka marrë pjesë në dy nga edicionet e ekspozitës ndërkombëtare të Çmimit ndërkombëtar të Artit “Muslim Mulliqi” më 2010 dhe 2012. Më 2010 hapi ekspozitë personale me njëzet e pesë piktura, të cilat u shfaqën në bilbordet e qytetit. U quajt “Qyteti im”. Më 2014 hapi ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. 

Artisti Veton Gusia i pranishëm në vernisazhin e ekspozitës, veprën e Kurtollit e quan si veprimtari e cila fton në reflektim dhe mund të nxisë diskutime. 

“Secili punim i Orhanit është tregim më vete, ka një filozofi më vete. Shumica e veprave janë kritikë e pastër ndaj shoqërisë sonë, e kësaj skemës teatrale që luhet në vend me shumë primitivizma, me një hidhërim edhe në urbanizëm që e vendos cinizmin në urbanizim artificial”, është shprehur Gusia duke e vlerësuar ekspozitën “Përtej titullit” si një shfaqje të bukur dhe të vlefshme. 

Edhe pse secila nga pikturat ka karakterin e vet unik që mund të diskutohet gjerë e gjatë, njëra nga to vjedh vëmendjen mjeshtërisht, sidomos prej atyre që kanë afinitet me historinë, gjegjësisht atë të Prishtinës së vjetër. 

Fotografia e cila paraqet një grua të mbuluar me perçe teksa ecën në lagjen “Dodona” në pjesën historike të Prishtinës, është një imazh familjar, referencë historike e një realiteti i cili pasqyron një gjendje sociale të kohës me të cilën autori tërheq paralele duke e pasuruar edhe me rrëfimet personale që ai ka me këtë fotografi. 

Edhe pse secila nga pikturat ka karakterin e vet unik që mund të diskutohet gjerë e gjatë, njëra nga to vjedh vëmendjen mjeshtërisht, sidomos prej atyre që kanë afinitet me historinë, gjegjësisht atë të Prishtinës së vjetër. Prapa gruas me perçe fshihet edhe një rrëfim personal i artistit

Këtë fotografi ikonike të Prishtinës ai e sjell si rikrijim në pikturë duke ia ruajtur karakterin origjinal por luan me prapavijën si një tentim i thjeshtëzimit të kontekstit. 

“Me këtë punim kam konkurruar për çmimin ‘Muslim Mulliqi’. Ka qenë një prej punimeve të kualifikuara në atë edicion. Ka filluar ndoshta në mënyrë interesante. Burri i tezës sime kishte një fond të pasur të fotografive të qytetit. Ndër të tjera, ma tregoi këtë fotografi dhe pastaj pasoi duke thënë: ‘Kjo është nëna jote’. Thashë: si është e mundur? Reflektova disi se si nuk po e njoh nënën. Tezja reagoi. Tha: ‘Jo, është tezja jote e madhe’. Kanë jetuar në lagjen ‘Dodona’. Shkova në shtëpi dhe mendova. Ishte një fantazi në kokën e krijuesit. Nisa të shkruaja një tekst dhe pastaj realizova pikturën. Për atë pikturë mund të flas një vit për shkak të impaktit që ka dhe për shkak të pamjeve që shohim tash në rrugët tona”, ka thënë Kurtolli duke shtuar se gjenerata e tij ka qenë e investuar në emancipimin e gruas. Rrjedhimisht nisur nga kjo ide ai e gjen veten të përfshirë në mesazhin e kësaj pikture edhe sot. 
Piktura e gruas me perçe qëndron e varur në mesin e të tjerave si një eksponat në një ekspozitë të përhershme në një muze historik. Afër saj qëndron dhe një shkrim i varur që shërben si një legjendë, e cila sqaron në detaje fabulën pas veprës që për autorin rezulton të jetë inspirim që ka buruar nga kujtesa individuale si pjesë e kolektives. Përmes saj tërthorazi fut edhe mesazhe personale karshi çështjeve që ndërtojnë narrativat kolektive të një shoqërie. Në këtë rast pozicionin e gruas kosovare gjatë historisë e riaktualizon si një thirrje për fuqizim tash, në ditët e sotme. 

Procesi i tij i punës karakterizohet nga tërheqja e tempit dinamik duke u strukur në hapësira që e lejojnë atë të përpunojë ngjarjet e përditshmërisë, e si i tillë për të arritur deri te ky cikël i është dashur plot një dekadë. 

“Hapësirat ku personazhet e mia ndodhen janë shumë domethënëse. Shpesh janë vende në formë imagjinare nëpër hapësira, nëpër galeri, nëpër labirinte, në vendkalime. Por është pjesë e ambientit ku njeriu vetë jeton dhe ai shpesh pa dashje ndodhet në disa labirinte, po them kështu kushtimisht. Prandaj mundohem t’i fragmentoj disa momente në formë sureale. Nganjëherë njerëzit vijnë deri në nivel të karikaturës me qëllim, për të treguar një lloj pakënaqësie dhe s’e meritojmë më shumë, hapësira më të mira”, ka thënë Kurtolli në një prononcim për KOHËN duke shpjeguar më tej punën e tij. 

Karakterin e Kurtollit e ka vlerësuar të veçantë Bardhyl Bejtullahu, profesor universitar i grafikës, teksa sodiste me kërshëri pikturat e Kurtollit. Sipas tij, kjo veprimtari përçon identitet unik artistik. 

“E vlerësoj shumë si artist. Është një artist shumë i veçantë që kur i kam parë pikturat e tij për herë të parë vërtet jam mahnitur. E ka një stil shumë unik, është shumë i veçantë dhe çdo tablo e tij është një histori më vete, një copëz e historisë së tij, jetës, familjes, Prishtinës, rrethanat në të cilat ka jetuar. Është shumë unik, shumë i veçantë”, ka thënë Bejtullahu.