Kulturë

“PriFest”, nikoqir i Festivalit të Odesës

Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, “PriFest”, do të jetë nikoqir i disa prej programeve të edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesë, nën moton “FNF i Odesës përtej kufijve: Odesa në Prifest”, kanë bërë të ditur organizatorët dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të premten në një konferencë për shtyp.

Rama ka thënë se Festivali i Odesës do ta gjejë në Prishtinë “shtëpinë e dytë”.

“Sepse shtëpia jonë ka qenë mikpritëse tradicionalisht. Odesa mirë se vjen në Prishtinë”, ka thënë kryetari Rama.

Komuna e Prishtinës është mbështetëse e kësaj iniciative dhe Rama ka thënë se është mundësi e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh luftën në Ukrainë, që këtë vit Odesa të mbajë edicionin e saj të sivjetmë në Prishtinë, në partneritet dhe bashkorganizim me “PriFestin”. “Kryeqyteti do ta mbështesë maksimalisht këtë hap të mrekullueshëm bashkëpunimi mes dy festivaleve. Kjo është një mundësi shtesë për të shfaqur solidarizimin me luftën e Ukrainës për të drejtën më themelore të saj – lirinë”, ka thënë ai.

Drejtoresha e “PriFestit”, Vjosa Berisha, ka thënë se vendimi për të sjellë Festivalin e Odesës në kuadër të “PriFestit” ka ardhur për shkak të miqësisë me këtë festival.

“Jemi vërtet të brengosur dhe të mërzitur, duke parë se çfarë po ndodh me luftën në Ukrainë. Ne në Kosovë kemi përjetuar luftën 20 vjet më parë dhe bashkëndiejmë me Ukrainën dhe popullin e saj. Kultura dhe arti po ashtu vuajnë në situate të tilla dhe duke parë njerëzit e Ukrainës që aq trimërisht rezistojnë dhe luftojnë, ne ndiejmë nevojën të bëjmë diçka për kolegët tanë ukrainas. Kështu kontaktuam me miqtë nga Odesa International Film Festival dhe ua shpjeguam idenë tonë”, ka thënë Berisha.

Sipas një komunikate për media të “PriFestit”, drejtoresha e përgjithshme e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Ukrainë, Anna Machukh, ka falënderuar kolegët e bashkëpunëtorët e saj në Prishtinë, që ua kanë mundësuar që ngjarja e tyre të mbahet përtej kufijve të Ukrainës.

“Invazioni cinik rus në Ukrainë ka pasur impakt të drejtpërdrejtë në secilin ukrainas dhe në të gjitha degët e industrisë që zhvillojnë vendin tonë. Ne kemi qenë në pamundësi të mbajmë edicionin e 13-të të Odesa International Film Festival në formatin që mysafirët dhe shikuesit tanë e duan aq shumë. Por, jemi shumë mirënjohës kolegëve tanë nga Kosova – nga Prishtina International Film Festival – për mundësinë që të mbajmë edicionin e OIFF përtej kufijve: në PriFest dhe të shfaqim projektet filmike ukrainase për publikun e huaj”, citohet të ketë thënë ajo.

Festivali i Odesës qe paraparë të mbahej në javën e fundit të korrikut, por është anuluar për shkak të luftës së nisur në Ukrainë. Dy festivalet tradicionalisht mbaheshin në të njëjtën kohë.

Edicioni i 14-të i “PriFestit” do të mbahet prej 26 e deri më 31 korrik.

Siç është bërë e ditur, ditë më parë, hapja e “PriFestit” do të bëhet me premierën vendore të filmit “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit, i cili deri më tani pati një rrugëtim të suksesshëm pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Venecie në shtator të vitit të kaluar.