Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Presidenti i Francës anulon planet për zhvendosjen e librarëve të Parisit

Në një deklaratë të publikuar nga Pallati Elysee, presidenti Macron i kërkoi ministrit të Brendshëm të Francës dhe Policisë së Parisit “të sigurojnë që të gjithë librashitësit të ruhen dhe që asnjëri prej tyre të mos detyrohet të lëvizë”. Bukinistët e Senës janë një shembull i “trashëgimisë së gjallë të kryeqytetit”, kishte shtuar Macron. Me këtë vendim është hequr dorë nga planet për të zhvendosur bukinistët – librashitës parisienë në brigjet e Senës – për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike 2024 më 26 korrik

Duke shitur libra të përdorur dhe antikuar përgjatë brigjeve të Senës, librarët e kryeqytetit janë një pjesë thelbësore e Parisit. Ata tani janë në festë, pasi presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi për një kthesë në planet për të zhvendosur shtandet e tyre të librave për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike.

Ceremonia e hapjes së “Paris 2024” do të shënojë një shkëputje nga tradita – për herë të parë ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Verore do të zhvillohet jashtë një stadiumi – këtë herë përgjatë Senës.

Në një deklaratë të publikuar nga Pallati Elysee, presidenti Macron i kërkoi ministrit të Brendshëm të Francës dhe Policisë së Parisit “të sigurojnë që të gjithë librashitësit të ruhen dhe që asnjëri prej tyre të mos detyrohet të lëvizë”. Bukinistët e Senës janë një shembull i “trashëgimisë së gjallë të kryeqytetit”, kishte shtuar Macron.

“Kutitë” e famshme të librave të bukinistëve parisienë shërbejnë si një raft ekspozimi gjatë ditës dhe i lejojnë ata që mallrat e tyre gjatë natës t’i mbyllin. Megjithatë, verën e kaluar autoritetet ngritën shqetësime për sigurinë rreth këtyre shtandeve që do të përdoreshin për të fshehur mjetet shpërthyese gjatë ceremonisë së hapjes.

Kjo bëri që autoritetet lokale të urdhëronin çmontimin dhe zhvendosjen e rreth 570 kutive të librave – që përfaqëson pothuajse 60 për qind të pranisë së tyre totale përgjatë brigjeve të lumit. Testet e çmontimit të kutisë së librave u kryen edhe në nëntor.

Edhe Masa të rrepta sigurie para hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Paris 2024 Masa të rrepta sigurie para hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike

Rreth 200 bukinistë punojnë në kryeqytetin e Francës dhe për shumë prej tyre njoftimi i fundit vjen si një lehtësim.

“Për shtatë muajt e fundit ne kemi vënë të gjithë energjinë tonë në fushatën kundër vendimit për të na zhvendosur. Ky rezultat vjen si një lehtësim”, ka thënë Pascal Corseaux, zëvendëspresident i Shoqatës së Bukinistëve të Parisit.

Viteve e fundit bukinistët kanë luftuar gjithnjë e më shumë për mbijetesë, të ndikuar nga mungesa e turistëve gjatë pandemisë COVID-19 dhe krizës së kostos së jetesës.

“Shpresojmë të krijojmë të ardhura nga Lojërat Olimpike, shumë prej nesh tashmë janë në situata të vështira financiare. Ne e kuptojmë se mund të mos jemi në gjendje të tregtojmë në ditën e ceremonisë, por nuk duam që vendet tona të punës të zhvendosen”, ka thënë Corseaux.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit është një ceremoni shumë ambicioze – me mbi 10.500 atletë nga 206 delegacione të vendosur të parakalojnë përgjatë Senës – ndërkohë që qindra mijëra spektatorë të etur do të shikojnë nga të dyja anët e lumit.

Edhe Gjithçka gati për festën e madhe në Paris Paris 2024 Gjithçka gati për festën e madhe në Paris

Marrë nga “Euronews”. Përktheu: Enis Bytyqi