Kulturë

 “Prenk Jakova” e nderon Hadije Gjinalin si pedagogen me të cilën nisi një histori

Miq, kolegë, ish-nxënës të saj e nxënës aktualë të muzikës janë bërë bashkë në kujtim të pedagoges së shquar të pianos, Hadije Gjinali, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, aty ku ajo hapi një kapitull. Është nderuar me mirënjohje post mortem për kontributin e saj që përcillet sot ndër gjenerata që shkelin edhe skenat botërore të muzikës

Përkujtimi për pionieren e pianos erdhi në formën e njohjes e vlerësimit të kontributit të saj. Si e përpiktë në punë, e dashur me nxënësit, e kujdesshme si njeri e kontribuuese e artit që ka hyrë në histori të kulturës vendore është kujtuar Hadije Gjinali. Ceremonia përkujtimore mesditën e së mërkurës ka bashkuar profesorë, ish-nxënës e nxënës aktualë të shkollës ku Gjinali punoi deri në pensionim – në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. Dhjetë ditë pas vdekjes së saj është nderuar me mirënjohje post mortem, për gjithë kontributin që ka dhënë në edukimin e brezave.

Drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se profesoresha Gjinali kujtohet si profesioniste që është shembull etik e pedagogjik. E ka çmuar faktin se nga zelli i saj kanë dalë gjenerata që e përfaqësojnë skenën muzikore në vend e në botë.

“Personaliteti i saj ishte shumë i veçantë, ashtu edhe profesioni që ajo zgjodhi, sepse të studiosh muzikë në ato kohë nuk ishte aspak e zakonshme, sidomos për një femër”, ka thënë Dida - Bujari.

Ka përmendur se në kohën e okupimit përkushtimi i gjeneratës së saj ka mundësuar krijimin e paraleleve të para të muzikës.

“Duke ua mundësuar nxënësve të mësonin në gjuhën e tyre amtare dhe duke bërë kështu një akt i cili mësuesen Hadije në historikun e shkollës sonë do ta kujtojë si figurë me të cilën filloi një histori dhe një kapitull tejet të rëndësishëm”, ka thënë ajo.

Si grua model dhe e njohur për thjeshtësinë e saj, e ka cilësuar profesoresha e solfexhos, Violeta Krasniqi. Madje ka thënë se ajo ka arritur ta ngrejë artin e pianos në një dimension të ri. Ka shtuar se kontributi i saj ka ngritur vetëdijen e masës për kulturë e art.

“Një detaj që duhet të përmendet është se në arkivin e shkollës sonë ekzistojnë ditarët që nga viti 1958 e këndej. Ditarët e mësueses Hadije dallohen për shumë gjëra, çdo orë e mbajtur është evidentuar me shumë korrektësi dhe pedantëri ku edhe vonesat minutëshe të nxënësve janë të shënuara në orët mësimore”, ka thënë Krasniqi.

Sipas saj, këta janë tregues të profesionalizmit dhe seriozitetit të saj, të cilat e kanë përcjellë gjatë gjithë jetës. Me nxënësit ka thënë se ishte e butë, e afërt dhe njeri me durim. U çmua edhe kontributi i saj gjatë okupimit.

“Në këtë periudhë të vështirë mësuesja Hadije shtëpinë e saj e kishte vend të takimeve, koncerteve dhe aktiviteteve të shumta, të cilat në mungesë të sallës koncertale, ku nxënësit do të shfaqnin arritjet e tyre, ajo i mbante në pianon e shtëpisë së saj”, ka kujtuar Krasniqi.

Mirënjohja e fundit që mori në të gjallë Gjinali nga shkolla e muzikës “Prenk Jakova” ishte në vitin 2019, në koncertin e fundvitit shkollor për të kremtuar 70-vjetorin e themelimit. Arsyeja e dhënies aso kohe ishte për kontributin në ngritjen e shumë gjeneratave të shkollës. Ndërkaq të mërkurën është nderuar me mirënjohje post mortem, e cila iu dorëzua vajzës së saj, Hana Gjinali.

“Jam shumë e bindur që do ta kishte pëlqyer shumë”, ka thënë Hana Gjinali. Ka thënë se nënën e saj e kujton për përkushtimin që kishte me nxënësit dhe dashurinë për profesionin.

“Kur filloi me punu kishte shumë nxënës që i donte pa masë. Ka qenë e përkushtuar ndaj tyre si ndaj fëmijëve të vet”, ka thënë Gjinali. “E mbaj në mend shumë mirë sa ka qenë e preokupuar për konkurset që mbaheshin në nivel të Jugosllavisë që garonin me shkollat me traditë e që ishin prestigjioze”.

Kujtimin për pionieren e pedagogjisë së pianos do ta mbajë gjallë për guximin dhe energjinë që ka pasur.

Ajo u kujtua edhe nëpërmjet asaj së cilës ia kushtoi jetën: muzikës. “Muzikë nate” nga Eckstein jehoi me tastet e pianos së Elina Stafait. U kujtua edhe nëpërmjet “Cello prelude” të Shostakovich me Loresa Ibrahimin e Blerta Martinaj në skenë. Alp Maqedonci me vokal jetësoi “Laschia ch’io pranga” të George Frideric Handel. Bora Berisha solli në piano “Level 4” të Bastien. Ndërkaq përmbyllja u bë me “Grossiene nr.1” të Erik Saite me Diar Aliun.

Hadije Gjinali vdiq në moshën 88-vjeçare, më 11 dhjetor, në Londër. Si vajzë e një familjeje zejtare, ajo vazhdoi shkollimin fillor pas Luftës së Dytë Botërore në Prizren. Po aty pati fatin ta kalonte edhe rrugëtimin e shkollimit muzikor. Pas përfundimit me sukses të Shkollës së Mesme të Muzikës vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë të Muzikës në Prishtinë. U profilizua si pedagoge e pianos. Si edukuese e shumë brezave, Gjinali ka punuar në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë prej vitit 1958 deri në pensionim. Gjinali ka vazhduar punën edhe pas pensionimit dhe ka edukuar në vazhdimësi gjeneratat e reja në piano, përfshirë edhe brezat e rinj të komunitetit shqiptar në Londër, ku kaloi 20 vjetët e fundit të jetës.

Image