Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Portrete bardhezi në pritjen e përgjigjes tash e 23 vjet pas luftës

“Gjithmonë natën mendoj mos po çelet dera e po vjen”, janë fjalët e shkruara përskaj fotografisë së një nëne kosovare, e cila në luftë ka humbur të birin. Tashmë plakë, me fytyrën e mbuluar plot rrudha e me shami të bardhë në kokë, ajo mban në duar fotografinë e djalit të saj të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Në atë fotografi shihet një djalë i ri, fëmijë i cili nuk mund të jetë më tepër se 15 vjeç. Ai rri gatitu, ka të veshur pantallona e bluzë dhe një jelek me motive kombëtare. Ky fëmijë është vetëm njëri nga mbi 1500 të zhdukurit në Kosovë.

“Kujtoj se është gjallë, kujtoj se e kanë kallë... gjithkah më shkon mendja!”, janë fjalët e thëna nga një tjetër nënë, e cila në duar mban fotografinë e djalit të saj. Nuk duket të jetë në të 20-at.

“Gjithmonë me shpresën se mos po gjinden! Edhe bashkëshortja ime shkoi me mallin e tij, mos po i gjendet së paku një shenjë”, është shkruar në këndin e një fotografie tjetër, ku shihet një burrë që rri ulur në një karrige dhe para vetes mban një fotografi të djalit të tij të zhdukur.

Të gjitha këto fotografi, së bashku edhe me 32 fotografi të tjera, janë pjesë e ekspozitës, të cilën Kryqi i Kuq i Kosovës ka realizuar në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë. Thëniet të cila gjenden në këndet e secilës fotografi janë fjalët e vetë personave që shihen në to.

“Kryqi i Kuq i Kosovës ka realizuar ekspozitën me familjarët e të zhdukurve. Qëllimi i ekspozitës ka qenë shkëputja e disa thënieve të cilat kanë dalë nga vetë familjarët, nëpërmjet të cilave shprehin dhimbjen dhe ankthin që ata e përjetojnë tash e sa vjet”, ka thënë për KOHËN Adelina Syla, koordinatore e Shërbimit të Kërkimit në Kryqin e Kuq të Kosovës.

{gallery}

Në hapjen e ekspozitës në sheshin “Skënderbeu” kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe familjarë të të pagjeturve.

“Qëllimi kryesor i ekspozitës është që të gjithë ne ta shohim se çka kanë ndier familjarët tash e 23 vjet. Fotografitë janë bardhezi, ndërsa anash janë thëniet që ata vetë i kanë thënë gjatë kohës kur ne kemi shkuar për t’i fotografuar. Sikur institucionet, sikur populli dhe sikur të gjithë ne ta shohim se çka përjetojnë familjarët e viktimave”, ka thënë Syla, duke shtuar se Kryqi i Kuq i Kosovës shpreson që një ditë të zbardhet fati i këtyre personave të zhdukur.

Ekspozita ka marrë vëmendjen e jo pak kalimtarëve.

Ekrem Jupolli ka qenë aty bashkë me të birin.

“Unë këtu jam që djalit t’ia sqaroj pak këto fotografi. Isha duke ia përshkruar për shembull këtë foto, ku shihet një prind i cili mbante fotografitë e dy fëmijëve të tij, në mënyrë që ta kuptojë se çka janë këto fotografi”, ka thënë ai për KOHËN.

Edhe Besar Rama, i cili gjatë periudhës së luftës nuk kishte qenë në Kosovë dhe nuk e kishte përjetuar luftën, ka qenë i emocionuar teksa shikonte e lexonte këto fotografi.

“Është një ditë shumë e zezë. Unë kam familjarë që kanë qenë të zhdukur në masakrën e Mejës dhe janë gjetur më vonë në Batajnicë dhe me të vërtetë është një mërzi e madhe kur e din që nuk i ke, të paktën eshtrat e tyre”, ka thënë Rama.

Ekspozita ka ardhur në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë kur në Prishtinë janë organizuar edhe aktivitete të tjera. Organizata joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights – Kosovo” (YIHR) organizoi aksionin e titulluar “Në pritje”. Në mes të sheshit “Skënderbeu”, ata vendosën një derë e cila qëndronte e hapur. Këtë derë, e cila fillimisht ishte ngjyrë kafe, në ora 12:00 e ngjyrosën me të zezë. Matanë saj qëndronte një pllakate po ashtu e zezë, në të cilën shkruhej: “Qe 23 vjet t’u pritë. 1.621 persona të pagjetur”.

Sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, ky aksion ishte bërë si revoltë ndaj pritjes së gjatë të të pagjeturve.

“‘Dera e Pritjes’ simbolizoi pritjen e stërzgjatur dhe shqetësimin tonë për moszgjidhjen e kësaj çështjeje tashmë e sa vjet. Në këtë aksion rrugor ne mbuluam derën me të zezë sepse çdo ditë pritjeje është më e errët e më e rëndë për familjarët e të zhdukurve dhunshëm. Çdo ditë, përderisa fati i tyre nuk zbardhet dhe drejtësia nuk vihet në vend, është më e zymtë për familjarët e qytetarët tonë”, ka thënë për KOHËN Uresa Ahmeti, asistente për program dhe komunikim në YIHR.

Artikuj të ngjashëm