Aktori Art Kurti, i cili së fundi ishte edhe këshilltar në kabinetin e kryetarit të Komunës së Gjakovës, dyshohet se është vetëvrarë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Koha.net se po heton rrethanat në rastin e aktorit nga Gjakova, i cili u gjet i vdekur me një plumb në kokë në një veturë në fshatin Goden, në periferi të qytetit.
“Me datë 24.04.2018 në ora 07:50 stacioni policor në Gjakovë është njoftuar se në rrugën Gjakovë-Goden në vendin e quajtur Qafa e Zabelit gjendet një veturë me një person që dyshohej të jetë i vdekur. Patrullat policore me të gjitha njësitë menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë kuptuar se personi që ishte në automjet ishte pa shenja jete. Policia në bashkëpunim me prokurorinë Themelore në Gjakovë po hetojnë rastin”, ka thënë zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj. “Viktimë e këtij rasti është personi me inicialet A.K. i lindur 1995 nga Gjakova, zyrtar komunal në komunën e Gjakovës. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri - pistoletë me të cilën dyshohet që është kryer vepra. Trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi dhe presim konstatimet e të gjitha provave në vendin e ngjarjes”.
Ngushëllime për vdekjen e Kurtit ka shprehur edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
“Jam i shokuar nga lajmi që kolegu ynë Art Kurti nuk është më me ne. Kolegët e mi dhe unë ndjejmë dhimbje të thellë për këtë humbje. Largimi kaq i hershëm dhe i papritur i Artit, nga familja dhe të gjithë ne do të jetë vështirë i përballueshëm”, ka shkruar Gjini, duke u shprehur ngushëllimë familjes, kolegëve dhe miqve të Kurtit.