Kulturë

Poeti i gjithësisë së imazheve të lidhura me shqiptarët

Emri i tij nuk është gjithaq i njohur tek lexuesit, me përjashtim të njohësve të letërsisë arbëreshe. E, megjithatë, Lluka Perrone ishte poeti që e ngjalli letërsinë arbëreshe duke qëndruar në të njëjtin piedestal me Dushko Vetmon, Vorea Ujkun, Carmelo Candrevan e Pietro Napoletanon. Sipas një studiuesi, “një vend të veçantë në vjershërinë e Lluka Perronës zë malli për Shqipërinë”

Gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë ku Italia u bashkua dhe ngjarje të tjera rëndësishme zunë vend, letërsia arbëreshe i hodhi sytë matanë detit. Me këto frymëzime për “Dheun e Arbërit”, një plejadë e tërë në krye me De Radën krijoi një letërsi të larmishme.

Por shekulli pasues do të sillte një rënie të përkohshme të letërsisë arbëreshe derisa emra të rinj do të merrnin pishtarin krijues. Përfaqësues të këtij shpirti të ri u bënë Dushko Vetmo (llagapi i Francesco Solanos), Vorea Ujku, Carmelo Candreva e Pietro Napoletano.

Njëri prej atyre që gjallëroi letërsinë arbëreshe ishte edhe poeti, Lluka Perrone. Në kujtim të jetës dhe veprës së tij, pikërisht në 100-vjetorin e lindjes, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshet (QSPA) pasditen e së enjtes ka organizuar një tryezë online me studiues e njohës të letërsisë arbëreshe.

E bërë në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, kjo ngjarje është vlerësuar nga pjesëmarrësit si një mundësi për të “shlyer” borxhin moral ndaj kontributit të vëllezërve në brigjet përkundruall.

“Është e para nismë konkrete me Departamentin e Letërsisë”, ka thënë drejtoresha e QSPA-së, Diana Kastrati në hapje të konferencës online. Muajin e kaluar, kjo Qendër kishte realizuar edhe dy aktivitete të tilla online: njërin për librin “Arbërit e Jonit” si bashkëbisedim me historianin e akademikun, Pëllumb Xhufi, dhe tjetrin për studiuesin arbëresh, Emanuele Giordano.

Ndërkohë që studentët Sonja Llanaj dhe Eqerem Torra kanë interpretuar disa poezi të Perrones, është dhënë edhe një profil biografik i shkrimtarit që nuk njihet edhe shumë te lexuesit.

I lindur më 1920 në Ejanina të Kalabrisë (afër Frasnitës së Kozencës), Lluka Perrone kishte studiuar për drejtësi dhe gjuhën frënge.

Pasioni i tij për traditën ishte shprehur në mbledhjen e pasurisë folklorike arbëreshe, sidomos të përrallave, duke botuar edhe përmbledhjet shumë të vlefshme “Novellistica italo-albanese”.

Në karrierën e tij si poet, Perrone ka botuar disa përmbledhje me vjersha: “Lule shkëmbi”, “Hieja e ariut”, “Vjersha lirie”, “Dërrudhëz”. Sipas studiuesit Gjovalin Shkurtaj, “një vend të veçantë në vjershërinë e Lluka Perronës zë malli për Shqipërinë”.

Në fjalën e tij gjatë diskutimit, profesori i letërsisë, Sadik Bejko ka thënë se letërsia arbëreshe pati një tkurrje në tri dekadat e para të shekullit njëzet. Por Francesco Solano, Vorea Ujku dhe Lluka Perone do të rilindnin këtë letërsi.

“Nga të gjithë këta autorë, Lluka Perone me poezinë e tij më së miri e dha laryshinë e klimës, stinëve dhe bimësisë së atyre trevave”, ka thënë Bejko.

Duke e vlerësuar poezinë e arbëreshit për përmbajtjen e saj të pasur me ide, ai ka shtuar se Perrone “arriti të bëjë një gjithësi imazhesh nëpërmjet një frymëzimi shumë tokësor”.

Profesori i letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Ymer Çiraku e ka vlerësuar Lluka Perronen si profil interesant poetik që kishte përthithur jo pak ndikime nga “limfa” e poezisë së De Radës.

“Sidoqoftë, kjo nuk mbeti vetëm në nivel plagjiature, por vinte si një nevojë e ekuilibrit artistik për të ruajtur e vijuar prurjet etnokulturore në harmoni me frymën dhe shpirtin e këtij komuniteti ngulur mes botës latine”, ka vlerësuar Çiraku.

Në karrierën e tij si poet, Lluka Perrone ka botuar disa përmbledhje me vjersha: “Lule shkëmbi”, “Hieja e ariut”, “Vjersha lirie”, “Dërrudhëz”. Sipas studiuesit Gjovalin Shkurtaj, “një vend të veçantë në vjershërinë e Lluka Perronës zë malli për Shqipërinë”.

Sipas tij, poezia e arbëreshit Perrone shquhet nga fryma romantizante, ideja fikse e mallit për dheun e të parëve, elementet nga folklori si dhe vetëdijen historike.

“Poezia e Perrones është vetëm në dukje e thjeshtë. Thelbi i saj nga brenda është plot me kontraste e dramaticitet”, ka shtuar profesor Çiraku.

Ndërkohë, profesor Kastriot Gjika e ka vlerësuar tryezën e QSPA-së si një kthim të borxhit për letërsinë arbëreshe.

“Është një borxh moral ndaj vëllezërve tanë të përtej detit, që në rrethana jo të zakonshme vazhdojnë të kultivojnë e të mbajnë në këmbë një kulturë të rrallë”, ka thënë ai.

Me punën e saj të nisur në fillim të këtij viti, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët – që është në vartësi të Ministrisë së Diasporës – është e para instancë akademike në historinë e shtetit shqiptar që kërkimet e specializuara mbi komunitetet arbëreshe në Italinë e jugut si dhe ato në Kroaci i ka në krye të prioriteteve.

Ndryshe, më 4 shtator të vitit të kaluar, pas propozimit të ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë me vendimin e tij nr. 601 kishte vendosur për krijimin e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. Në kuadër të vendimit të tij, Këshilli i Ministrave kishte paraparë që QSPA të ketë si burime financimi buxhetin e shtetit, donacionet dhe të ardhura të tjera të ligjshme.

“QSPA-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e qendrës dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për diasporën. Ai emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për Diasporën”, thuhet në pjesën ku flitet për organizimin dhe funksionimin e kësaj qendre.

Vitin e kaluar, profesori i shquar nga Kozenca, Françesko Altimari, në një intervistë për gazetën, kishte thënë se nisma e shtetit shqiptar për Qendrën duhet të duartrokitet.

“Ne sot kemi më së shumti nevojë për instrumente të reja që duhet të qarkullojnë në sistemin këtu. Jo për të nënvlerësuar librin, por te gjeneratat e reja duhet të transmetojnë kulturën e vjetër, dikur gojore, me kulturën pamore të revolucionit të ri”, kishte thënë profesori arbëresh.