Kulturë

Pikturimi në kasnak dhe dru

Dëshira për studimin e grafikës u bë pikënisje e rrugëtimit të saj me artin.

Besiana Muhadri vazhdimisht është duke e gjetur veten në këtë fushë. Pikturimi në kasnak e dru e ka bërë më të pasur botën e saj artistike.

"Gjatë studimeve i jam përkushtuar grafikës dhe më pas e kam parë që po kam sukses edhe në fusha të tjera të artit. Gjatë karantinës, duke qëndruar në shtëpi, hapa një faqe në Instagram, ku fillova të prezantoja disa nga punimet e mia dhe aty e pashë që tek ne po kërkohet diçka më ndryshe, mandej duke hulumtuar dhe shikuar më shumë në ekspozita jashtë dhe këtu e pashë që po kërkohet diçka më ndryshe. Fillova me disa figura me kasnak, me lule të vogla, dhe e pashë që njerëzve po ju pëlqen dhe njerëzit filluan të më japin ide, ku unë iu rekomandova që ato punime të personalizohen", tregon Besiana.

Duke kombinuar ngjyrat në dru, ajo është duke sjellë vazhdimisht punime unike.

"Piktura me dru ka filluar gjatë bisedave me axhin tim, i cili merret me punime të drurit dhe një ditë ai m’i tregoi disa dru dhe unë i kërkova të ma huazonte një dru të cilin ai ishte duke punuar një tavolinë. Si fillim ka bërë punime të vogla për të parë se si qëndrojnë ngjyrat, ku punoj me ngjyra të akrilit edhe në pikturë, edhe në dru. Duke pasur parasysh që pëlhura duhet të jetë më e shtrënguar për të punuar është pak më e vështirë, mirëpo me përkushtim të madh besoj që ia vlen çdo punë që ia kushton”, ka thënë tutje Muhadri.

Gjatë festave të fundvitit ajo është duke zhvilluar ide në forma të ndryshme.

"Çdo stinë dhe festë që po vjen po mundohem të sjell diçka artistike që klientët të jenë të kënaqur, që të kenë dëshirë të kenë diçka prej artit tim në shtëpinë e tyre", ka shtuar tutje ajo.

Misioni i Besiana Muhadrit është që vazhdimisht ta zhvillojë artin e saj duke i vendosur pikturat në mediume e forma të ndryshme.