Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Pesë stinët e armikut të popullit” dhe një reflektim mbi historinë

Skenë nga shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” (Foto Jetmir Idrizi / qendra “Multimedia”)

Sensi kritik e sarkastik zhbën çdo iluzion a gënjeshtër, e cila vishet me petka kinse përparimi, lirie, humanizmi, demokracie e të tjera, për t’u maskuar e shtirë ndryshe. Pikërisht një mision të tillë demaskues merr përsipër Jeton Neziraj edhe me dramën e tij të fundit “Pesë stinët e armikut të popullit”, inskenuar nga Blerta Neziraj, produksion i qendrës “Multimedia”

Jo rrallë në dramaturgjinë dhe teatrin e shekullit XX, më tutje në atë të shekullit XXI, fitoi hapësirë gjithnjë e më shumë risjellja e teksteve të njohura qysh nga antikiteti, por në një qasje të re autoriale përmes risemantizimeve, mbivendosjes së kuptimeve bashkëkohore gjegjësisht ndjeshmërive të publikut. “Vdekja e autorit”, sipas Roland Barthes, në teatër përkthehet “Ringjallja e autorit”. Në dramën shqipe ka shumë pak të tilla, ndoshta më e suksesshmja ishte “Hijet e natës” e Vedat Kokonës nga regjisori Hervin Çuli, pjesërisht edhe “Gomari i Baba Tasit” nga regjisorët Altin Basha dhe Sulejman Rushiti. Kjo rrjedhë dramaturgjike që u drejtohej “teksteve të shenjta”, i merrte ato si pretekst dhe cytje për të thënë të tjera gjëra; pra si rilexime në raport me pritësin e ri (recipientin) duke i riprodhuar pjesërisht, por me ndryshime të thella në strukturat përmbajtjesore dhe në shprehësinë e tyre. Në fakt shumë syresh nuk ishin riciklime të veprave të mëparshme, përkundrazi vepra mirëfilli të reja duke respektuar patjetër bulbin e tyre ideor, gjegjësisht asaj çka ishte e ngulitur në vetëdijen e lexuesit dhe qe shenjtëruar tashmë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ka shumë drama të tilla në botë që aplikojnë risemantizimet e teksteve të hershme, për të mbërritur ndoshta në një sipëri, si me “Hamletmachine” të postmodernistit të njohur gjerman Henrih Muller duke krijuar një tjetër Hamlet, jo më si ai i Shekspirit.

Askush më parë në dramaturgjinë tonë nuk ka bërë një risemantizim të tillë, që përkon me postmodernizmin, përveç Jeton Nezirajt që çdo vit e më shumë përshfaqet si një dramaturg cilësor, i mbrothët në vetvete e me synime të qarta. Drama e fundit e tij “Në pesë stinë: një Armik i Popullit”, paçka se të kujton dramën e njohur të Ibsenit “Armiku i Popullit”, në të vërtetë vetëm sa ceket ajo diku, ndoshta tek sentenca e njohur e doktor Shtokmanit se “Njeriu më i fortë në botë është ai që mbetet krejt i vetëm”, çka inicioi dhe i dha fytyrë individualizmit në qytetërimin evropian si themeli i fuqisë së mendimit dhe i individit të lirë, të pavarur, të dëlirë dhe frymëzues. Pikërisht ky njeri i “fortë dhe i vetëm”, që u kundërvihet të gjithëve, ishte shëmbëlltyra e heroit niçean, njeriut vullnethekurt, sfidant, që u kundërvihet turmave, të keqes dhe kalbjes së shoqërisë duke sfiduar vetëdijet servile, nënshtruese, ngushëlluese e pajtuese me atë dhe ata që duken si të fortë e të pathyeshëm, që zotërojnë pushtetin e parasë, kapitalin dhe robërimin e shpirtit, që ndotin çdo vlerë e zvetënojnë kolonat e shoqërisë, por që parakuptohen, më në fund, të rrëzuar e të ndëshkuar, së paku brenda aspiratës së autorit si bartësi i së drejtës (H. Ibsenit dhe J. Neziraj), dhe më tutje si refuzim, zemërim dhe indinjatë e publikut që ndjek shfaqjen... Ja, pikërisht këtë synim emancipues e mbërriti me mjaft emocion teksti i Jeton Nezirajt “Pesë stinët e armikut të popullit””, vërë në skenë nga regjisorja e talentuar Blerta Neziraj, me kastin e aktorëve Armend Smajli, Shpëtim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj, Verona Koxha.

Sensi kiritik e sarkastik

Pata një tronditje prej këtij teksti dhe më erdhi fort mirë për Jetonin. Tekste të tilla me një asht politik social të rreptë i çmoj si më të dobishmit dhe të një spektri të gjerë. Falë tyre teatri bën reflektime të thella mbi proceset historike dhe realizon impakte me natyrë vertikale, që prekin zona ndjeshmërie të thella. Unë i kam lexuar shumë nga dramat e J. Nezirajt, madje i kam parë edhe në skenë, dhe kam vënë re se si ai është rritur vit pas vitit si shkrimtar, se si u ka ikur imitimeve nga modelet shpesh eksperimentale, me ligjërime e ide disi të paqarta, me personazhe e konflikte periferike dhe ka ardhur tashmë në një sofër ku pulson dhimbshëm drama e popullit të tij, ku ndihen regëtimat e vuajtjeve të padrejta të njerëzve nga abuzimet e pushtetit të keqkuptuar apo lirisë së kthyer mbrapsht, ku stigmatizohet vdjerrja dhe ndotja që prodhon e riprodhon fuqia korruptive e pushtetit, e parasë, e amoralitetit, e religjionit të deformuar, e ndjeshmërive abuzive kundrejt të drejtave të njeriut, e qëndrimeve racore, e pedantizmit të veprimeve dhe mendësive pushtetore që imponohen shpesh në emër të progresit, por që janë recidive autoritariste të administratave të korruptuara evropiane etj. Ai ka shkruar 15 pjesë dhe është përkthyer në 10 gjuhë të botës. Disa tekste të tij si “Luftë në kohën e dashurisë”, “Shembja e Kullës së Ajfelit”, “Kthimi i Karl Majit”, “A.Y.L.A.N.” unë i kam ndjekur dhe prej tyre kam vënë re shqetësimin për të nxjerrë në syprinë gjësende tejet serioze e dramatike, rënkime të shoqërisë shqiptare në Kosovë duke zbuluar plagë që dhembin fort te njeriu i sotëm. Dimensioni i veprave të Nezirajt po fiton gjithnjë e më shumë peshë e hapësirë të thukët sociale, që i përmason ato, rrit pushtetin e ndikimit të tyre në rrethe të gjera sociale duke i bërë receptuese të fuqishme të drithërimës njerëzore, të vuajtjes, të dëshpërimit, të mërzive, të pakënaqësive e zemëratës popullore, ashtu sikundër shpërfaqin realitete të vrazhda, pa lajle-lule e bojëra farfuritëse. Shpirti i protestës dhe zemërimit ndihet prore tek autori i tyre. Sensi kiritik e sarkastik zhbën çdo iluzion a gënjeshtër, e cila vishet me petka kinse përparimi, lirie, humanizmi, demokracie e të tjera, për t’u maskuar e shtirë ndryshe.

Misioni demaskues

Pikërisht një mision të tillë demaskues merr përsipër autori edhe me dramën e tij të fundit “Pesë stinët e armikut të popullit”. E çmoj shfaqjen si një ndër më të mirat e këtyre kohëve. Në raste të tilla të menduarit tim kërkon më shumë heshtje, vetmi, kam nevojë për përsiatje, meditim, që jo vetëm t’i tres në thellësi idetë e dramës, mesazhin, përshtypjet e vjela që ende vibrojnë në ndërdijen time të nxehtë, por t’i japë kohë vetes për një shijim gjer në fund, le ta quajmë postshfaqjes, të të gjitha mbresave të përftuara, imazheve, lojës së aktorëve, mizanskenës, detajeve, gjetjeve regjisoriale, koreografisë së lëvizjes, skenografisë, ndriçimit, muzikës, arsyes përse u veprua kështu dhe jo ndryshe, duke i ridimensionuar veprimet skenike në mendjen time, tashmë në trajtë vegimesh. Dhe pikërisht nga i gjithë ky proces meditativ dhe këndellës, unë mund të them se kjo shfaqje është e gjitha tronditëse, diçka si një çekan i fortë që rreh mendjet tona të topitura apo të frikuara nga të pushtetshmit që na gërryejnë jetën, që na pamundësojnë gëzimet dhe lumturinë tonë, që na gëlltisin ajrin, qiellin, blerimin e një kopshti, parku, shëtitoreje, duke u shndërruar në zotat e këqij të jetës, ndryshe thënë në djaj. Mesazhi i kësaj drame është tejet aktual: kthimi i qyteteve tona në geto banesash betoni me pyje shumëkatëshe, ku ajri mungon, ku syri përplaset mbi mure e fasada të hirta, ku një shëtitje pamundësohet nga trafiku i çmendur i makinave dhe tymtaja e tyre, ku nuk ka më zogj nëpër pemë por veçse njerëz-minj zhgërryer në baltovinat e korrupsionit që ndyn e vret gjithçka. Teksa e shihja këtë shfaqje s’qe aspak e vështirë të përfytyroje Tiranën dhe Prishtinën e ditëve tona se si mamuthë e dinozaurë qiellgërvishtësish kapardisen mbi sheshet, pemët, rrugët, mbi vetë krijuesit e tyre, njerëzit, duke gëlltitur çdo gjelbërim, çdo gjethe peme, krejt hapësirat urbane për çlodhje, lodra fëmijësh, parqe, lulishte. Këta mamuthë e dinozaurë janë pjella të mafisë së lidhur me pushtetin, të korrupsionit që shprish dhe fëlliq me tërësej qytete, ndërgjegje e njerëz. Heroi i dramës, Rexhep Luci, që në bashkëshoqërim me dramën e Ibsenit i takon të jetë doktor Shtokmani, kërkon të zbatojë një projekt të bukur e jetik për zhvillimin e qytetit të Prishtinës fill pas luftës. Por mafia e ndërtimit e blen pushtetin, i korrupton disa administratorë evropianë në Kosovë që ngjajnë si klounë, arlekinë e pederastë (veshja e personazhit me petkat ngjyra-ngjyra); ajo blen sindikatat e “pavarura”, blen medien, step e shuan revoltat, spekulon dhe shfrytëzon varfërinë e njerëzve me populizmin e saj dhe do-s’do projekti frymëmarrës i arkitekt Lucit, ani pse ky është një njeri trim, guximtar dhe vetmitar, nuk pranohet nga pushteti vendor. Ngulmimit të tij, rebelizmit dhe individualitetit të fortë e mendjeshkrepës (më shqip, kokëshkretë), i gjendet po e njëjta rrugë si dhe në rastet e tjera: vrasja nga falangat e krimit që mafia aplikon.

Stina e shpresës, të bukurës dhe ëndrrës

Drama ka si nëntitull “Stina e pestë”. Po cila na qenka kjo “stina e pestë”. Përmes një gjetjeje të bukur regjisoriale, teksa arkitekti ka vdekur, një pemë ngrihet nga dheu, rilind; sikur rilind jeta, shpresa, ëndrra, vegimi, vetë projekti i qytetit të blertë. Është stina e shpresës, e të bukurës, e ëndrrës. Ndoshta stina e Ardhmërisë. Stina ku shpirti gjen paqen dhe harmoninë e sulmuar e të shkelur dhunshëm.

Më impresionoi fort regjia inventive e Blerta Nezirajt. Më vjen keq që nuk kam shkruar për artin e kësaj regjisoreje. Jo vetëm me pjesën “Kthimi i Karl Majit”, por sidomos me këtë dramë unë pashë një regjisore mendjendezur, që e mbushte fjalën me veprim aktorial, me imazh, me koreografi, me gjetje e detaje domethënëse, të cilat konvertoheshin në simbolika dhe metafora të qarta, në alegori emocionuese, të një hapësire e përqasjeje lehtësisht të rrokshme nga spektatori. Sheshi skenik është një kuadrat fillimisht i bardhë, ku duket i skicuar projekti i zgjerimit të qytetit të Prishtinës. Më pas aty hidhet qymyr, pluhur, duke e ndotur dhe nxirë; pastaj shkumë zjarrfikësesh dhe sheshi bëhet krejt lloç. Flamuri kombëtar shndërrohet në inversin e tij: nga mbrojtës në një kamxhik që godet protagonistin. Paçka se i goditur, pluhurosur, ndotur e përbaltur aq keq, protagonisti që është pikërisht arkitekti i atij qyteti, ka një çast kulmor, mbase më kulmori i shfaqjes, kur ai e shpalos zemërimin e tij duke klithur, me kokën në dysheme, falë një loje plot temperament. Isha fare afër aktorit dhe e shihja se si ai përpëlitej nga mbingarkesa shpirtërore për ta përballuar dhe përcjellë rebelimin e personazhit tek ne si spektator, ia shihja fytyrën e skuqur, sytë, djersën që i kullonte ballit dhe gushës dhe i besova plotësisht aktrimit të tij potent... Nga gjetjet e tjera domethënëse të regjisores ishte urinimi i administratorit të UMNIK-ut, që zgjatej pafundësisht si të vuante nga prostata e më pas urinimi i gazetares së televizionit pas aktit seksual me sipërmarrësin e ndërtimit për një tufë paresh. Ishte urinimi (ndotja) e shpirtit më së pari, urinimi prej korrupsionit, prej bjerrjes morale, prej papërgjegjshmërisë; ishte ndotja e shtetit, e qytetit, e politikës, e vizionit, e ardhmërisë. Ose detaji i pëgërjes së qeleshes nga kryetari i sindikatës, ku nënkuptohej pëgërja e interesave të punëtorëve, e popullit, ndotja e misionit mbrojtës të tij, shitja e vetvetes, ani pse punëtorët shfrytëzoheshin me punë të papaguar, nuk siguroheshin, madje gjymtoheshin e vdisnin nëpër aksidente. Plot kuptim qenë kapelat me brirët e djallit, përpëlitja e vajzës së arkitektit prej epilepsisë, e cila fitonte konotacionin e përpëlitjes shpirtërore të personazheve, përpëlitja e vetë atij projekti që i ati mbronte, përpëlitja e shoqërisë nga asfiksia dhe idiotësia e ngrehinave të larta që krijonin getot e reja prej betoni. Po kështu do të lavdëroja këngëtimin e aktorëve, të intonuar mirë, me ndryshueshmëri zanore, koreografi dinamike duke krijuar shpesh një kakofoni të qëllimtë, klithma e sklicata vokale, që mund t’i asocioje me anarkinë e ndërtimeve në qytet.

Pas vrasjes së arkitekt Lucit nga mafia, u krijua një atmosferë vërtet dramatike, tragjike. Zymtimi ma mbushi shpirtin. Kujtova se drama u mbyll aty. Ibseni nuk e vret Shtokmanin, tjetër shoqëri ishte ajo në Norvegji. Jetoni e vret Rexhep Lucin, dhe kjo është brenda arsyes sociale, politike dhe historike, brenda rrethanës sonë se ku veprohet. Por më tutje, si për t’i dhënë krah ironisë së tij, Jetoni e zgjat dramën.

Tallja me idealet e atyre që rezistuan dhe luftuan

Pikërisht ata që e vranë arkitektin, po ata e shpallin “hero”, një rruge ia vënë bash emrin e tij. Kjo është tallja me idealet e atyre që rezistuan dhe luftuan. Cinizmi. Pacipësia. Kështu shpesh përfundojnë heronjtë: i vrasim dhe më pas i nderojmë, që të mbulojmë krimin. Më tutje, kësaj mbylljeje të dytë i vjen e treta: takimi në ëndërr i arkitektit me të bijën, në “stinën e pestë”, ku preken ardhmëria, e drejta, e dëlira, ajo që duhet të jetë e të bëhet ëndrra jonë... Nuk e di se si mund të arrihej, por personalisht do të dëshiroja që drama të mbyllej me vrasjen e arkitektit, ku edhe katarsisi është shumë më i fuqishëm sesa ironia e emërtimit të rrugës që vjen më pas, sikurse edhe skena e ëndrrës. Ndoshta një rikompozim i dramës duke e zhvendosur “ëndrrën” diku para vrasjes së arkitektit dhe, në formë epilogu, fare shkurt, në episodin me emërtimin e rrugës pas vdekjes së tij, besoj se do ta mbante ankthin dhe ritmin dramatik më lart. Gjithsesi kjo është “veto” e autorit. Përmenda si aktrim Armend Smajlin në rolin e heroit dramatik, por duhet thënë se aktrimi ishte ansambël: një bashkësi karakteresh të alternuar e të harmonizuar njëri me tjetrin, sa dhe vetjak, me fytyrën e tyre vokale, plastikoritmike dhe emocionale. Loja ecejaket sa nga dramatikja e tragjikja te komikja, sarkastikja, groteskja, gjer dhe parodikja. Shfaqja lëvizte bukur në një hapësirë skenografike të natyrës simbolike, me mundësi të shumta për lëvizje të gjalla dhe temporitmike, por edhe me një metaforë të dekodueshme: projektin e qytetit që shndërrohej në baltovinë.

Image
Foto Jetmir Idrizi / qendra “Multimedia”