Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Përjetësisht Fëmijë” merr biletë për shfaqje edhe në gjashtë festivale ndërkombëtare

Filmi i shkurtër “Përjetësisht Fëmijë” me skenar dhe regji të Lorena Sopit që trajton raportin e rrënuar familjar mes babait autoritar dhe djaloshit të mitur me emrin Moni, është përzgjedhur në programet zyrtare edhe të gjashtë festivaleve ndërkombëtare.

Kështu, nga data 04 – 07 gusht filmi “Përjetësisht Fëmijë” do të shfaqet në festivalin bregdetar të Italisë Cortosplash Film Festival i cili mbahet në Nova Siri të Italisë, për të vazhduar në festivalin e njohur amerikan Accolade Global Film Competition i cili mbahet në La Jola të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga data 01 – 05 shtator , pastaj nga data 21 – 24 shtator do të shfaqet në festivalin prestigjioz European Film Festival i cili mbahet në qytetin turistik Nidden të Lithuanisë , nga data 23 – 30 shtator do të shfaqet në Sose International Film Festival i cili mbahet në kryeqytetin e Armenisë - Yerevan, kurse nga data 05- 10 teto, do të shfaqet në njërin ndër festivalet më të njohura të filmit të shkurtër, pikërisht në edicionin e 15-të jubilar, në Festival of Mediterranean Short Film Tangier në Marok, thuhet në njoftimin për media të produksionit të këtij filmi.

“Është me rëndësi edhe përzgjedhja e filmit ‘Përjetësisht Fëmijë’ në listën e shkurtër të programit garues të festivalit të madh Short of the Year i cili organizohet nga platforma e njohur ndërkombëtare Promofest në Madrid të Spanjës”, thuhet më tej aty.

Filmin “Përjetësisht Fëmijë” gjatë muajve të vjeshtës e presin edhe shumë evente tjera. Deri më tani, filmi është përzgjedhur nga 22 festivale ndërkombëtare dhe ka fituar pesë çmime të ndryshme.

Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhje Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Drejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. Kompozitor Naim Krasniqi.