Ka përfunduar edicioni i 8-të i Manifestimit Letrar Trekufitar "Muzat e Alpeve 2020", në kuadër të të cilit karvani i Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve "TEUTA", çmimi tradicional i së cilës sivjet i takoi shkrimtarit Xhevahir Spahiu. Takimet u zhvilluan më 30 dhe 31 tetor 2020 dhe u mbajtën në Pejë, në Klinë dhe në Petnjicë.
Dhjetëra piktura që sjellin po aq dimensione, forma e ngjyra jete nëpër qytete të ndryshme të Kosovës , përbëjnë ekspozitën “Gjurmë Kosovë”, të akademikut Zuvdija Hoxhiq-Berisha, në Galerinë e Arteve në Pejë, me të cilën Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve "TEUTA" hapi Manifestimin e Përvitshëm Letrar Trekufitar "Muzat e Alpeve 2020".
Filozofia e burimit ideor dhe artistik e kësaj ekspozite, sendërtohet mbi njollat e mbetura të lapsit arkitektonik të një qytetarie të vjetër, e cila ne kuptimin e peshës trashëgimore, do të matej me ngjyrat e tokës, para së gjithash, me kutin e letërsisë, tha me rastin e hapjes kuratori I ekspozitës Naser Shatrolli. ”Objektet me te cilat është paraqitur autori ,vetëm sa e përfytyrojnë mënyrën e të jetuarit të paraardhësve tanë, por jo vetëm, gjersa prek në gjenezën e kulturës shqiptare. Ndërsa kultura e minaresë dhe e subjekteve të tjera në këtë formulim artistik, në kontekstin filozofik janë vlera që ngacmojnë nervin e komunikimit me rrethin dhe rrethanat, transmetojnë ide, pikëpamje, harmoni, mesazhe bashkërenduese në bashkësi dhe përtej.”
Drejtoresha Xhenet Syka –Kelmendi tha se ”kemi bërë të pamundurën që edicionin e 8-të të manifestimit trekufitar “Muzat e Alpeve” ta fillojmë nga Peja, se politikat tona lokale më së tepërmi janë të përqendruara në bashkëpunimet ndërkufitare dhe rajonale dhe vetëm kështu mund të integrohemi dhe të prezantojmë diversitetin tonë në të gjitha sferat e jetës, e në veçanti në atë të kulturës”.
“Forma instiucionale të cilën ka krijuar komuna e Pejës për të prezantuar veprat e artit është ajo që duhet krijuar për t’u shijuar ato, çfarë është edhe misioni i artit. Ndërsa “TEUTA” ka vizion dhe po ashtu ka një mision për të lënë gjurmë në kohë. Ky artikulim konkret i shënimit kulturor sa është një sprovë e sfidë, po aq duhet të jetë provokim që të vazhdojnë në këtë formë, që të nderojmë veten, kulturën, kombin dhe kuptimin e jetës"- tha me këtë rast Xhevat limani, shkrimtar dhe themelues i "Teatrit Shqiptar në Amerikë".
Edhe
Ne Peje hapet ekspozita e pare e akademikut Zuvdija Hoxhiqit - Berisha
“Kur zhduket shtëpia, është njësoj si kur digjet biblioteka. Ndërsa unë, duke i vizatuar ato pothuajse me naivitet fëmijëror, besoj se i kam ruajtur sa për veten time po aq dhe për ata për të cilët kanë domethënien e njëjtë. Sepse, këto piktura më lidhin me rrënjët me të cilat degëzohem, me Berishët e mi nga Kodralia e Deçanit, me Kosovën, e veçanërisht me Pejën, ku kalova disa prej viteve më të bukura të jetës; fëmijërinë time. Prandaj, unë Pejën e përjetoj dhe e dua si atdhe dhe çdo rikthim atje është sikur të mos kisha ikur kurrë . Ndaj, me keqardhje të sinqertë pse edhe sot nuk jam në qytetin tim të dashur dhe me ju- ju kujtoj me dashuri”- shkruan mes tjerash në letrën falënderuese enkas për këtë rast, akademiku Zuvdija Hoxhiq Berisha të cilit rritja e përnjëhershme e numrit të të prekurve nga pandemia në Kosovë ia pamundësoi pjesëmarrjen në ekspozitën e tij të parë, në Kosovë.
Në emër të "TEUTëS", për poetin e shquar dhe laureatin e sivjemë të Cmimit për Vepër Jetësore "TEUTA", Xhevahir Spahiun kumtoi prof. Agim Vinca, i cili e vlerësoi ndër poetët më të talentuar dhe më origjinal të poezisë shqipe. “Xhevahir Spahiu është poet i cili godet me forcë të madhe shprehëse dhe hyn në grupin e krijuesve që e ruajtën dinjitetin e fjalës edhe në kohën e monizmit. Por, shkëlqimin e plotë e arritën pas vitit 1990 kur ra diktatura dhe sistemi letrar i imponuar nga realizmi socialist"-shtoi prof. Vinca, sipas të cilit, Xheavir Spahiu është jo vetëm poet briliant, sikurse Kadareja, Agolli, Arapi etj. , por edhe përkthyes i shkëlqyer i poezisë.
"TEUTA" sa pasurohet duke nderuar vit pas viti përfaqësuesit e denjë të letërsisë sonë, po aq po varfërohet e me ikjen e tyre, siç ndodhi sivjet me laureatin e 5-të, eruditin e rrallë të historisë e traditës së qytetërimit shqiptar, Moikom Zeqon, tha në kuadër të kësaj mbrëmjeje shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj.
Ndërsa, studiuesi letrar Prend Buzhala, në kumtesën e tij "Moikom Zeqo-Portat e hapura të artit dhe dies" tha se: "Ndonëse këtë vit Moikom Zeqo kaloi në përjetësi, pas vetes na la një thesar të madh veprash të publikuara që kalojnë numrin mbi 100 tituj. Moikom Zeqo është njëra ndër figurat epiqendrore të letrave shqipe dhe humbja e tij është e pazëvendësueshme për kulturën dhe letërsinë tonë në përgjithësi ".
Në fund të mbrëmjes u shfaq edhe rezymeja e edicionit të 7-të "Muzat e Alpeve 2019", i mbajtur në Tivar, në Lezhë dhe në Prizren, me luareat akademikun Zuvdija Hoxhiq Berisha.
Edhe
“Muralfesti” vulos Ferizajn si qytet i muraleve që godasin me ngjyra
Të nesërmen karvani i shkrimtarëve nga Kosova u bashkua me shkrimtarët e Malit të Zi në Qendrën e Kulturës në Petnjicë. Hapjen e ditës përmbyllëse të manifestimit "Muzat e Alpeve 2020", e udhëhoqi shkrimtari i mirënjohur, Safet Hadroviq-Verbiçki. Qendra e Kulturës në Petnjicë ishte organizatore e parë në rajon e takimeve letrare, kushtuar Esad Mekulit.
Programit i parapriu promovimi i librit me poezi të përzgjedhura i prof.Agim Vincës, "Andjeli propovjedaju jutrom" (Engjëjt predikojnë në mëngjes) , në përkthim të Smajl Smakës, në redakturë të Hasnija Muratagiq Tunës dhe me parathënie të Mirash Martinoviq, i cili në fjalën e tij ndër të tjera tha se: "Kosova ka sjell shumë poetë të spikatur, si Azem Shkreli, mikun im i dashur Ali Podrimja e të tjerë, por kur lexova poezitë e përzgjedhura të Agim Vincës e kuptova se edhe Vinca është një shkrimtar i madh. Poet, i cili poezinë e kërkon në jetë dhe kjo është poezia madhështore e cila sjell frymën e kohës".