Thyerja e kufijve midis gjuhëve a etnive është vetëm njëra anë e festivalit të letërsisë “Zana”. Tash, në edicionin e tretë ka ardhur edhe me botimin në alfabetin Braille. Zanafilla e kësaj nisme lidhet me një takim. Përurimi i vëllimit është bërë me lexim poezish nga nxënës të Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda“ në Pejë. Në dhomën e errët të Qendrës për Praktikë Narrative janë shpalosur vargje e mesazhe
Në edicionin e tretë të festivalit të letërsisë “Zana”, drejtoresha ekzekutive, Nora Prekazi, e ka përmbushur një premtim që e kishte dhënë në sektorin e etnologjisë në Muzeun e Mitrovicës. Kishte pranuar një grup vizitorësh nga komuniteti i të verbërve dhe detyra e ciceronit – punë që e bënte për më shumë se një dekadë – u kthye në sfidën më të madhe për të. E kishte dhënë fjalën se do të punonte drejt realizmit të ndonjë materiali për këtë komunitet. Poezitë e përmbledhura nga Festivali të cilin Prekazi e ka themeluar, tash janë të qasshme edhe për pjesëtarët e komunitetit të të verbërve.
Në Qendrën për Praktikë Narrative në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” poezia ka qenë kryefjalë, por më e veçantë ka qenë edhe mesazhi se ajo është e qasshme për të gjithë. Poezitë e dy edicioneve të kaluara të festivalit “Zana” janë përmbledhur në botimin në alfabetin e Breilleit.
Prekazi ka treguar për këtë projekt, i cili, sipas saj, mbi të gjitha ishte emocional. Me të filluar edicioni i tretë, hapi i parë ka thënë se qe botimi i këtij libri.
“Ideja ka ardhur në Muze kur vitin e kaluar kam pasur vizitë nga komuniteti i të verbërve. Për 11 vjet ku unë kam shpjeguar në Muzeun e Mitrovicës, me pasionin tim për me e përshkru atë institucion, ka qenë dita më e vështirë e shpjegimit për mua për shkak se nuk e kemi pasur as edhe një material për t’i ofruar këtij komuniteti. Jam ndier shumë e mangët dhe pata thënë para të gjithë pjesëmarrësve që ishin aty që po ju premtoj se do ta bëj një material, çka do që është ai, por të paktën që vjen prej Mitrovicës. Meqë jam edhe udhëheqëse e festivalit të letërsisë ‘Zana’, aplikimi i parë ka shkuar për përkthimin e një libri me poezi që të transkriptohet në alfabetin Braille”, ka thënë Prekazi.
E ka konsideruar hap shumë të rëndësishëm dhe përmbushje të qëllimit me të cilin vjen festivali. Dalja jashtë kornizave, krijimi i urave lidhëse dhe mundësive për të gjitha komunitetet ka thënë se mund të arrihen më së shumti nëpërmjet artit dhe poezisë në veçanti.
“Fatmirësisht është arritur të bëhet dhe mund të them se asnjëherë në jetë nuk kam qenë më e emocionuar sesa sonte. E pamë se çfarë mbrëmjeje ishte. Kush jemi ne në qoftë se nuk mundohemi ta hapim shpirtin e të dalim nga kutitë tona. Kjo është shumë punë e vogël por me një impakt të madh po besoj. Ky është qëllimi i tërë festivalit, që të lexojmë dhe të japim hapësirë e ura të reja të komunikimit”, ka thënë Prekazi.
Libri është botuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës. Poezitë i lexuan nxënësit e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda“ të Pejës. Me të filluar leximi i poezive dritat u fikën.
Dardan Selimaj, kurator i mbrëmjes poetike, ka thënë se ishte frymëzuar nga një pianist italian i verbër i cili kishte thënë se nuk duhet dritë për ta shijuar muzikën. E në mbrëmjen e së martës nuk u desh dritë për t’i shijuar poezitë.
“Ka qenë një bisedë me Nora Prekazin në një nga ngjarjet të cilat i kemi përcjellë bashkë dhe kur më tregoi për idenë për botimin e një libri, një përmbledhje poezish nga dy edicionet e kaluara të festivalit ‘Zana’ të përkthyera në alfabetin e Brailleit më është kujtuar menjëherë një koncert që e pata përcjellë. Ka qenë një koncert i një pianisti të njohur italian, i verbër, që e fton publikun ta dëgjojë tërë koncertin në errësirë dhe në të njëjtën kohë katër vjetët e fundit të babit tim unë e kam shoqëruar atë, ai e ka humbur shikimin, kështu që kam qenë i vetëdijshëm me gjithçka me të cilën komuniteti i të verbërve ballafaqohet”, ka thënë Selimaj.
Duke shpresuar që kjo të mos jetë ngjarja e tillë e fundit, ai ka theksuar se sado shumë që bëhet për komunitetin e të verbërve asnjëherë nuk është mjaftueshëm.
“Ne shpeshherë jemi të zhytur në dinamikën e përditshmërisë, kështu për mua ka qenë jashtëzakonisht nder që jam pjesë e ngjarjes dhe bashkë me Norën ta realizojmë gjithë këtë. Po shpresoj që kjo nuk do të jetë e para dhe e fundit, por do të jetë fillimi i një cikli të mbrëmjeve poetike të cilat ndoshta do të zhvillohen edhe më shumë e të vijnë në forma të tjera”, ka thënë Selimaj.
Falënderues për këtë iniciativë është shprehur kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, duke thënë se ngjarjet e tilla janë të një rëndësie të madhe për komunitetin.
“Unë përgëzoj festivalin ‘Zana’ dhe e falënderoj shumë që pikërisht ka menduar që të krijojë qasje për personat e verbër me përmbledhjen e dy edicioneve dhe është bërë e mundur të shtypen edhe në Braille për të mos i përjashtuar personat e verbër, dhe ata të jenë të njoftuar me punën dhe edicionet e festivalit. Me të vërtetë nata e sotme ishte shumë emocionuese. Ne pamë që po zhvillohet një punë mjaft interesante duke i promovuar krijuesit, por ajo që është më e veçanta është se këto poezi e rrisin edhe rolin e komuniteteve”, ka thënë Tishuki.
Në kuadër të edicionit të tretë të festivalit të letërsisë “Zana” është botuar libri më poezi “Zana III”, ku përfshihen 14 autorë nga vende të ndryshme të Ballkanit. Edicioni i sivjetmë vjen me temën “Kush jam unë?”, dhe në ditët në vazhdim vjen edhe botimi tjetër me poezitë nga klubi i shkrimit kreativ ”Za”. Përveç kësaj, Nora Prekazi ka treguar edhe për ngjarjet e tjera në kuadër të Festivali i cili këtë edicion del edhe jashtë Mitrovicës.
“Ne jemi festival që nuk i kemi vetëm 2 a 3 ditë, por shtrihemi në kohë për shkak të punës që po e bëjmë. Sivjet vijmë me temën ‘Kush jam unë?” dhe në kuadër të temës së sivjetme kemi dy botime. Është botimi i ‘Zanës’ me diku 14 poetë prej regjionit të Ballkanit: Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë, Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut. E kemi edhe këtë botim, por jo të fundit, është edhe një i cili vjen pas dhe do të jenë poezitë e klubit të shkrimit kreativ ‘Za’ një grup fantastik, një grumbull vajzash me të cilat do të kemi mbrëmje poetike nga Mitrovica në Shkup e edhe në Prishtinë”, ka thënë Prekazi.
Këtë vit festivali “Zana” ka shpallur një konkurs ndërkombëtar të poezisë me temën “Vetë-reflektimi” si një formë e terapisë së artit.
