Si është një shkencëtare kur del nga qendra kërkimore, pasi ka kaluar ditën me planetët dhe ecën nëpër rrugët e një qyteti dhe ulet para kompjuterit? Mimoza Hafizi sjell romanin “Pika Trëndafil”, emri i të cilit është stilizuar nga planeti i zbuluar dy vjet më parë, që sillet rrotull yllit më të afërt me Diellin, yllit Proxima, shkruan GSH.
Vepra letrare që sjell botën shkencore në një mënyrë të thjeshtë, rrjedh përmes ngjarjesh reale apo imagjinare, nëpërmjet komunikimesh e refleksionesh që zhvillohen në qendrat më të rëndësishme botërore të kërkimit të hapësirës. Personazhet e tij kanë emra, temperamente dhe karaktere shkencëtarësh, që Mimoza Hafizi i ka ndeshur në jetën dhe bashkëpunimin e saj të gjatë shkencor. Përmes të vërtetave shkencore zbulohen gradualisht dhe me terma të zbutur, personazheve të imagjinuara, por tipike në mjedisin e vet, përmes ngjarjesh të lidhura me fëmijërinë, qytetin e saj të lindjes, episodesh të përjetuara në veprimtarinë e saj shkencore, përsiatjesh filozofike e fantazish në kufijtë e dijes rreth botëve të reja, pa natë a pa kohë. Autorja tenton t’u japë lexuesve dijet e deritanishme rreth planetëve të zbuluar jashtë Sistemit tonë Diellor. Aty ku mundet apo nuk mundet të ketë jetë dhe qenie të arsyeshme, të ngjashme me njeriun tokësor.
Si janë planetët e tjerë, që sillen qark yjeve të tjera? Si mundemi t’i njohim ne ato botë të errëta e të vogla, me dhjetëra e qindra vite-dritë larg nesh? Sa të sofistikuara dhe inteligjente janë metodat tona? Çfarë progresi të vrullshëm bartin dhe sjellin instrumentet e teleskopët e vrojtimit? Çfarë karakteresh dhe temperamentesh kanë kërkuesit shkencorë? Cili është motivi i tyre? Përse është kaq e rëndësishme për njeriun ta njohë botën e sipërme? Sa e pasur është ajo? A ka alienë? A i presim? Çfarë do të ndodhë në dekadat e ardhshme?
Këto janë shumë pyetje, që tokësorët meritojnë ta dinë përgjigjen, pa u stërmunduar në formula e llogaritje profesionistësh. Përgjigjet e thjeshta e të këndshme, dhënë në faqet e romanit, mëtojnë të nxjerrin nga subkoshienca e secilit atë që natyra e ka shkruar pakthyeshmërisht në gjenet tona: kërkimin për të vërtetën, betejën e njerëzimit për mbijetesë dhe ekspansionin e llojit të vet. Në roman janë përfshirë tri piktura origjinale, dhuruar bujarisht nga piktorët Pashk Përvathi (kopertina) dhe Nineta Verbica (dy faqet e brendshme). Ato shprehin artistikisht idenë shkencore që autorja ka për tre planetë tipikë jashtëdiellorë. Në intervistën e mëposhtme Mimoza Hafizi zbulon veten dhe romanin dhe përmes tij, një jetë që ne nuk e njohim. Hafizi, më herët shkencëtare e deputete, tanimë vjen në një tjetër imazh para publikut, për të përcjellë jetën e saj të panjohur për ne.
-Ju thoni se nuk flisni për një publik elitar, që është i familjarizuar me shkencën në roman, por me një gjuhë që i drejtohet një publiku më të gjerë. Çfarë ju shtyu ta shkruanit, nevoja për të treguar punën shkencore te një rreth më i gjerë?
Shtysa ime për këtë roman shkencor ka qenë dëshira për të komunikuar me njerëzit që nuk janë profesionistë, për arritjen e jashtëzakonshme të njerëzimit me njohjen e universit dhe në veçanti me njohjen planetëve jashtë sistemit diellor, aty ku mund të ketë jetë e ku mund të ketë qenie të tjera të arsyeshme përpos nesh. Sigurisht këtë emocion unë e komunikoj gjithnjë me studentët e mi përmes formulave, por kësaj herë unë desha të gjej një mënyrë më të thjeshtë, që çdokush me formim, që përfshin shkencën të kuptojë se çfarë po ndodh, se si njerëzimi i mijëvjeçarit të tretë ka arritur të depërtojë kaq thellë deri në mijëra e miliarda vite dritë larg dhe të kërkojë jetën edhe në planetë të tjerë të galaksisë sonë.
-Pra, ne nuk jemi vetëm në këtë planet dhe a duhet të kemi frikë nga alienët?
Shkenca është mjaft e avancuar për të thënë që nuk ka asnjë rrezik të afërt që i vjen tokës, në planetët rreth e rrotull, por edhe alienë të tjerë, ende nuk kemi gjetur, jemi ende në një përpjekje për të kuptuar se ku mund të ketë jetë. Nga mijëra planetë që kanë zbuluar teleskopët tonë, janë rreth 30 të cilët ndodhen në zonën e banueshme, zonë në të cilën mund të ketë jetë, e me njohjen që kemi sot po kërkohet të detajohen këto dije për të parë nëse me të vërtetë ka jetë nëpër këta planetë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i njerëzimit të mijëvjeçarit të tretë, sepse planeti i parë është zbuluar jo më shumë se 20 e ca vite më parë dhe sot kemi 4 mijë të tillë, dhe lista pritet të shtohet në vitet ardhshme.
-Mënyra e të rrëfyerit është krejt letrare në roman, ndonëse rrëfehen qendrat kërkimore të mëdha të botës. Ka qenë i vështirë ky proces?
Kam përzgjedhur personazhe që punojnë në qendrat kërkimore të tokës sot, në qendrat më të avancuara. Janë njerëz që unë i njoh, në karaktere dhe në temperamente dhe besoj se jeta e tyre është kaq e thjeshtë, kaq e zakonshme e kaq e bukur saqë vetë përshkrimi i jetës dhe ajo që mendojnë është mjaft interesante për njerëzit besoj. Ndaj nuk e kam pasur të vështirë, më ka ndihmuar njohja që kam për ta, bukuria e jetës së shkencëtarit në të cilën besoj dhe emocioni pa fund që më japin zbulimet që janë ditë pas dite që gjej në instrumentet tona hapësinore e tokësore, të cilat tregojnë për një aftësi kaq të madhe të inteligjencës njerëzore për të depërtuar thellë në univers sa kjo nuk ka se si të emocionojë. E ky emocion, mjafton jo vetëm për një roman, por edhe për të shkruar shumë romane.
-Përtej rrëfimit dhe asaj që ne vetë përftojmë prej tij, a keni pasur ju vetë një mesazh që do të donit ta përcillnit për lexuesit?
Mesazhi im kryesor është që shkenca është e bukur. Besoj se këtë e kam ndjerë sepse doja ta tregoja. Shkenca nuk është e vështirë, ose jo aq e vështirë sa e mendojnë njerëzit e papërfshirë në të. Shkenca është e bukur dhe bota shkencore është mjaft mikpritëse për këdo që do të bëhet pjesë e saj.
-A jeni vetë ju dhe kolegët tuaj, në roman si personazhe?
Besoj se njerëzit përderisa kam vënë në gojën e tyre mendimet e mia, ata njerëz, ata personazhe në një farë forme janë unë dhe kolegët e mi, që unë i njoh. Janë njerëz që unë i kam takuar gjatë jetës sime shkencore. Nuk i kam vendosur në pozicionet që ata kanë, jo në kontekstin e njohjes që kam pasur unë. Një njeri që punon në njohjen e planetëve të sistemit diellor unë e kam vënë në universin e njohjes së energjive të larta, por kjo nuk ka rëndësi, sepse tipikisht mbeten ai personazh që unë i njoh si punojnë, çfarë metodike kanë, çfarë për të zbuluar, çfarë formatimi e formimi kanë dhe thjesht jam munduar që ta kaloj nëpër faqet e romanit.
-Pse “Pika Trëndafili”, cila është domethënia?
Kur u fotografua toka nga sonda “Voyager” më 1990 dukej si pikë e kaltër. Toka ngjante si një pikë e vogël e kaltër dhe e brishtë, e ishte kaq emocionuese, kur mendoje se e gjithë ajo histori pa fund që është prodhuar në tokë nëpër shekuj, nga larg e nga lart, ngjante veçse një pikë e vogël e kaltër. Ajo quhej Pika e Kaltër. Të emocionuar nga ky imazh, shkencëtarët që zbuluan këtë planetin afër nesh, që unë e kam quajtur Pika Trëndafil, fushatën e quajtën Pika e Kuqe e Zbehtë, sepse ylli rreth të cilit sillet ai planet është i kuq, jo si dielli ynë që ka ngjyrë portokalli, meqë ai është më i vogël dhe më i ftohtë. Ndaj mora fjalën Pika e Kuqe, që mund të ishte edhe Pikla e Kuqe dhe e vura Pika Trëndafil, sepse trëndafili është lulja e Shkodrës dhe kjo mund të jetë, sepse njeriu kur shkruan, nxjerr shumë nga vetja. Trëndafili është lule e bukur, është lule e jetës dhe kjo shpreh edhe dëshirën time, që në atë planet të ketë jetë.
{gallery}