Kulturë

Paulo Coelho e fshin draftin e librit për fëmijë në bashkautorësi me Kobe Bryantin

Londër, 29 janar - Autori Paulo Coelho ka fshirë draftin e një libri për fëmijë, në të cilin po punonte me Kobe Bryantin, duke thënë se pa kontributin e lojtarit të basketbollit “ky libër e ka humbur arsyen e vet”.

Autori bestseller nga Brazili ka njoftuar të hënën se ai ka qenë duke e shkruar një libër për fëmijë me Bryantin, një adhurues i romanit shpirtëror të Coelhos- “Alkimisti”. Pas vdekjes së legjendës së NBA-së të dielën, prej rrëzimit të helikopterit, bashkë me të bijën dhe shtatë të tjerë, Coelho ka thënë se ai do ta fshijë atë çfarë kanë bërë bashkërisht.

“Ju ishit më shumë sesa një lojtar i madh, i dashuri Kobe Bryant. Kam mësuar shumë duke ndërvepruar me ju”, ka thënë Coelho. “Do ta fshij draftin qysh tani, ky libër ka humbur arsyen e vet”.

Shkrimtari ka ndarë një shkëmbim që kishte pasur me Bryantin gjatë gushtit të kaluar, kur basketbollisti, pesë herë kampion në NBA dhe fitues i dyfishtë i medaljes së artë olimpike, kishte sugjeruar shkrimin e një libri së bashku. “Kur të duash”, ishte përgjigjur Coelho, që ishte vërshuar nga përgjërimet e adhuruesve për të përfunduar librin si homazh për Bryantin.

Ai ka thënë për “Associated Press” se Bryanti donte që libri i tij t’u tregonte fëmijëve të nëpërkëmbur që ata mund të kapërcejnë mjerimin përmes sportit. Nëpërmjet kompanisë së tij multimediale “Granity Studios”, Bryant ka punuar me shkrimtarë për të botuar serinë e librave për fëmijë, që bëjnë bashkë sportin dhe magjinë.

“Ajo çfarë kisha, ishte një ide dhe e dija ku dëshiroja të shkonin personazhet”, kishte thënë Bryant për “USA Today” për projektet e tij të librave. “E di se ku duhet të fillojnë, dhe e di se ku duhet të përfundojnë në kohën kur kjo seri të mbarojë…kisha një ide, por e dija që [bashkëshkruesit] mund ta bënin mijëra herë më të mirë. Ndaj ishte sikur një lloj i të qëndruarit prapa dhe shkëmbimit të këtyre ideve”.

Coelho ka thënë për AP se Bryant ishte “gjithnjë paksa i brengosur për bërjen e një libri që do të ishte shembull pozitiv për fëmijët, veçmas për ata që kishin pikënisje të varfra”.

“Nisi nga aty. Pak nga pak ne po çanim tutje”, ka thënë ai. “E pashë atë mjaftueshëm sa ta siguroja se ai kishte në mendje shumë më shumë se sportet, nuk ishte gjithçka mbi garën. Vdekja e tij tragjike tashmë ka treguar sa i rëndësishëm ishte ai për botën, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara. Ne do ta diskutojmë trashëgiminë e tij për shumë vjet, shumë përtej sportit”.

Një ditë, ka shtuar Coelho, ai mund të shkruajë për gjërat që mësoi prej Kobes dhe “çfarë njeriu i jashtëzakonshëm ishte ai. Por libri për fëmijë tashmë s’ka kuptim”/ The Guardian.