Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pasioni i dashurisë dhe politika në tragjedinë “Surena” të Corneilleit

Mbretërit francezë Luigji XIII (1601-1643) dhe Luigji XIV (1643-1715) në oborret e tyre mbretërore krijuan hapësira të veçanta për kulturën teatrore. Hapësira në të cilat u kultivua arti teatror me veprat madhore të Pierre Corneilleit (Kornej,1606-1684), Jean Racineit (Rasin, 1639-1699) dhe Molièreit (1622 – 1673), begatia dhe fuqia krijuese e të cilave do të rrezatojë gjatë shekujve.

Richelieu (Rishlie), mendimtar politik madhor dhe themelues i Akademisë së Shkencave të Francës, kryeministri i Luigjit XIII, do të zhvillonte një aktivitet të veçantë në promovimin e krijimtarisë teatrore. Një kohë të gjatë shfaqjet e çmuara teatrore u prezantuan në Pallatin Richelieu. Veprat e tragjedisë, tragjikomedisë e komedisë që u krijuan asokohe do të ushtrojnë ndikim në kulturën dramaturgjike të teatrove deri në ditët e sotme. Teatri më i njohur francez La Comédie Française u themelua nga Luigji XIV më 1680.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pierre Corneille, autor i tragjedive që do ta shënonte mëvetësinë e tragjedisë klasike franceze.

Tragjedia “Surena” (1674) është vepra e fundit e Corneilleit e cila është cilësuar, jo vetëm në shekullin klasik (XVII), por edhe më vonë, si tragjedia më e mirë e tij. Coreneille e shkroi këtë tragjedi në kohën kur nisën të ndriçojnë talenti dhe mjeshtëria krijuese e Racineit. Disa kritikë të asaj periudhe do të thonë se Corneille me veprën e vet të fundit thuajse kishte dashur ta bënte një vepër të veçantë, e cila do t’i bënte ballë jo vetëm aftësisë krijuese të rivalit të tij, por edhe kohëve të ardhshme që brejnë shumëçka. Kritiku Perrier shkruante se “’Surena’ ishte shikimi i fundit i Corneilleit mbi botën”.

Këtë shfaqje të Corneilleit e kam parë në Théâtre des Abbesses në Paris, nën regji të Brigitte Jaques-Wajeman, si dhe në La Comédie Française, nën regjinë e Anne Delbé.

Fabulën për këtë tragjedi Corneille, sikurse edhe për disa vepra të tjera të tij, i ka marrë nga shkrimet e historianit antik Plutarkut. Surena ishte gjeneral i mbretit Orod në Parthe, zonë kjo midis Sirisë dhe Irakut të sotëm 50 vjet para epokës sonë. Mbretin Orod e kishte përmbysur vëllanë e tij Mitridat në saje të mbështetjes së ushtrisë romake. Ndërkohë, Surena do të mposhtte me aftësitë ushtarake e strategjike sa komandantin romak Crassus, aq edhe mbretin e Armenisë, Artabase. Kësisoj, ai do ta rivendosë Orodin në fronin e tij mbretëror. Gjatë festave të çlirimit Orode do t’i shfaqë një mirënjohje të madhe gjeneralit të vet Surena, i cili do të adhurohej nga populli si çlirimtar dhe trim i pashoq.

Mbreti Orode e shfaq mirënjohjen ndaj Surenës duke ia ofruar të bijën e vet, Mandan, për grua Surenës. Njëherësh ai ia kishte premtuar mbretit të Armenisë, Artabaze, lidhjen martesore të të birit të tij Pacorus me të bijën Eurydice. Mirëpo, pas mposhtjes së ushtrisë së mbretit armen Artabase, Surena kishte qëndruar disa javë për negociata dhe marrëveshje midis dy mbretërive. Në këto rrethana ai e kishte takuar shpesh Euridycen në oborrin mbretëror të Artabazit; një dashuri e fortë ishte ngjizur midis tyre. Këtu sajohet një nyjë e ndërlikuar brenda martesave të parapara me vendimet e dy mbretërve. As Euridice nuk do të pranojë të martohet me të birin e Orodit, e as Surena me të bijën e mbretit të vet.

Tragjedia në pesë akte do të zhvillohet me shtjellimin e kësaj nyje duke sajuar disa ngjarje tragjike.

Tragjikja e tragjedisë

Në suaza të këtij artikulli ne do ta kemi parasysh në veçanti atë që përbën karakterin tragjik të kësaj tragjedie.

Një aspekt i nyjës së kësaj tragjedie shpërfaqet në dialogun (Akti III) midis mbretit Orode dhe këshilltarit të tij Sillace. Ky e kishte informuar se Surena jo vetëm që nuk ishte i impresionuar me dëshirën e mbretit që t’ia jepte dorën e së bijës së tij Mandane, por se i dukej edhe indiferent dhe i përmbajtur ndaj kësaj oferte. Orode shfaq shqetësimin e vet të dyfishtë: nga njëra anë ai i kishte ofruar gjeneralit të vet dhuratën më të çmueshme për shërbimet që ai i kishte bërë. Mirëpo, nëse Surena refuzon një dhuratë aq të lartë, ai do t’i bënte kësisoj mbretit, në sytë e të gjithëve, një fyerje të rëndë.

Ana tjetër e problemit që e shqetëson Orodin ka të bëjë me ndjenjën e rrezikimit që e kishte nga autoriteti i Surenës, i cili po rritej dita-ditës jo vetëm në mbretërinë e tij, por edhe më larg, madje edhe në Romë.

Përballë situatës së re Orode heton se ndjenjës së mirënjohjes që kishte për gjeneralin e vet ia zë vendin në shpirtin e tij një frikë e përshkuar me urrejtje. Këshilltari Sillace vë në dukje karakterin e rrezikshëm të kësaj situate; ky rrezik do të mund të evitohej vetëm nëse Surena do ta pranonte dorën e Mandanes dhe kësisoj të bëhej pjesë e pandashme e familjes mbretërore. Ndryshe, eliminimi i tij, sipas këshilltarit, del si veprim urgjent dhe i pashmangshëm për sigurinë e shtetit dhe të fronit.

Ndërkaq, në skenën e parë të aktit të parë Euridyce ia beson shoqërueses së vet, Ormene, trishtimin që ndien brenda atmosferës ngazëlluese që mbretëron në pallatet e mbretit Orode nga përgatitjet për martesën e saj me Pacorus (Pakorys). Ormene shfaq habinë dhe kërkon të kuptojë arsyen e këtij trishtimi. Euridyce ia bën me dije se ajo s’ka si t’i bashkohet kësaj atmosfere të gëzimit, ngase zemra e saj ushqen dashuri për dikë tjetër. Ajo ia përshkruan Ormenes se si ka lindur dashuria e saj ndaj Surenës, në oborrin mbretëror të babait të saj:

“Shikimet e njëjta që më shfaqnin zjarrin që ai ndiente, ia ndriçonin atij fshehtësinë e shpirtit tim,

Dëshirat e tij takonin aty dëshirat e mia të njoma” (fq.31)

Përkthimin e këtyre vargjeve të Corneilleit, ku metrika klasike franceze (aleksandrini) gjen shprehje me dymbëdhjetë rrokje, e bëjmë këtu pa versifikim gjegjës, vetëm sa për të vërë në dukje domethëniet që ato përmbajnë.

Politika e sfiduar nga dashuria

Do të ndalemi tani te skena II e aktit të parë, skenë kjo e takimit të Euridyces me Surenën. Që të dy tashmë e dinë se dashuria e tyre nuk ka më shpresë të jetësohet, ngase mbreti Orode kishte marrë vendimin për ta martuar të bijën e vet, Mandane, me Surenën në mënyrë që ta sigurojë pushtetin e vet nga luhatjet dhe rreziqet, sa të brendshme aq edhe të jashtme.

Në anën tjetër, Euridyce thellësisht e shqetësuar kërkon një rrugëdalje nga kjo situatë e pashpresë për dashurinë e tyre. Shqetësimi i saj buron nga anticipimi i rrjedhojave për vetë jetën e Sureneit, nëse ajo e refuzon dorën e Pacorusit, të cilin nuk e do. Ky refuzim do të implikonte jo vetëm një fyerje ndaj mbretit Orode, por edhe shkeljen e marrëveshjes së paqes të cilën e kishte nënshkruar babai i saj si mbret i Armenisë, e me këtë vendim do të shkaktonte luftëra të reja midis dy mbretërive.

Mirëpo, shqetësimi i saj kryesor buron nga rreziku real që mbreti Orod ta zhdukë brutalisht të dashurin e saj. Kësisoj, dashuria e saj e fuqishme do të shndërrohej në një vuajtje të paskajshme për të.

Përballë këtij parashikimi ajo mëton të gjejë një pikë shprese për t’ia shpëtuar jetën Surenës duke e bindur që ta pranojë martesën me Mandane. Kësisoj, ata të dy do të mbeteshin të gjallë ndonëse të detyruar që të jetojnë të ndarë njeri nga tjetrin, të jetojnë me persona që nuk i duan. Mirëpo Eurydice mendon se kësodore së paku do të kishin mundësi që në oborrin mbretëror, ndonëse të ndarë, të këmbenin ndonjëherë shikime dhe ca fjalë.

Eurydice e lut Surenën që t’i evitojnë takimet përderisa të gjejnë një rrugëdalje nga situata e rrezikshme.

Surena i përgjigjet kësisoj kërkesës së saj:

“Unë e di sa i kushton zemrës sime që t’ju shoh,

Por kush kërkon të vdesë, duhet të kërkojë atë që e mbyt.

Unë nuk kam më veçse këtë ditë, këtë çast të jetës sime;

Faljani dashurisë sime që po ua sakrifikoj këtë çast të vetëm.

Gëzimi im i fundit ua jap juve shpirtin tim të tërin”.

Euridyce me trishtim e kupton se Surena tashmë ka marrë vendimin që të mos pranojë martesën me Mandane. Kjo vendosmëri ia ndriçon asaj njëherazi thellësinë e dashurisë së Surenës ndaj saj, karakterin absolut të kësaj dashurie: mospranimin e kushteve dhe kufizimeve që mund t’i vihen asaj nga sfera e politikës, nga pushtetit mbretëror. Dy logjika të ndryshme: ajo e pasionit të dashurisë dhe ajo e interesit politik të mbretit që paraqitet si interes i përgjithshëm shtetëror.

Euridyce, megjithatë, shpreson t’i shpëtojë disa çaste të shkurta të përbashkëta (shikime, buzëqeshje) si vegime. Ajo njëherazi i thotë Surenës se do të vuante nga jeta e ndarë; ajo dëshiron, duke evituar zhdukjen e dashurisë së tyre nga faqja e dheut, t’i fitojë disa çaste gëzimi nga shikimet e tij: “Gjithmonë ta dua, gjithmonë të vuaj, gjithmonë të vdes”.

Mirëpo ajo njëherësh pranon se të jetuarit e tillë për disa çaste të rralla, është një vdekje e ngadaltë, e mundimshme: “Dua që një trishtim i zi të më djegë ngadalë” (f.41)

Surena ndërkaq e njofton përse ai nuk mund të kapet për atë shpresë të brishtë: “I mbushur me dashurinë tonë aq të dëlirë e të fortë si kjo e jona,

Unë jam i verbër për Mandane, i verbër për cilëndo tjetër,

Meqë nuk kam më sy që t’i kthej kah ato,

Nuk kam më as zemër, e as duar për të dhënë”.

Në vijim Euridyce përpiqet ta bindë Surenën që të bëjë një zgjidhje e cila do ta mbajë në jetë, e kjo do të thotë t’i japë një shpresë dashurisë së tyre, së paku disa çasteve nga takimet e rastit në oborrin mbretëror. Ajo ia shfaq dëshirën që një ditë të ketë rastin, pas martesës me Mandane, të shohë fëmijët e tij, të shohë vazhdimin e jetës së tij te trashëgimtarët e tij; që virtytet dhe vlerat e tij të riparaqiten te ata, që ata t’i përcjellin në ardhmëri vlerat e stërgjyshërve të vet.

Mirëpo Surena ka megjithatë një pikëshikim tjetër, pikërisht pse dashuria e tij për Euridyce është e thellë :

“Gjithçka le të vdesë me mua zonjë,

Çfarë më bën, kush do ta shkelë pas meje tokën e cila më mban? A mos ata stërgjyshër të çmuar do ta ndiejnë një shkëlqim i cili do të depërtonte brenda territ të varrit të tyre?

Në mos ata nipër e mbesa do të thithin ajrin i cili do të mund t’i ngjallte ata stërgjyshër?”

Në këto vargje shpalosen refleksione të thella e të hidhura mbi vdekjen si humbje dhe zhdukje e pakthim. Në to shpërfaqen gjallëria dhe bukuria e ndjenjës së dashurisë së tyre .

Është pikërisht fuqia jetësore e dashurisë së tij ajo që e shtyn Surenën të lërë anash sa horizontin e së shkuarës së stërgjyshërve, po aq edhe ardhmërinë e trashëgimtarëve të tij. Mundësitë e tjera që do të mund të çeleshin, pasi të jenë ndarë dhe pasi të jenë lidhur me dikë tjetër, siç shpreson Euridyce, Surenës i duken si një “jetë krejt imagjinare” ose një jetë jo e mirëfilltë dhe aparente. Pikërisht pse “kemi humbur dritën e cila na ndriçon”, edhe “çasti më i vogël i lumturisë së dëshiruar vlen më shumë sesa një përjetësi e ftohtë dhe e kotë” .

Karakteri absolut i kësaj dashurie të zjarrtë, që realizohet brenda disa çasteve, nuk mund të pajtohet kësodore as me përjetësinë, ngase kjo del e ftohtë dhe e kotë.

Euridyce vazhdon të shpresojë ta bindë Surenën që t’i ikë vdekjes nga dora e Orodit dhe të pranojë madje në një oborr tjetër mbretëror një lidhje tjetër martesore:

“Nuk ka, shton ajo, Oborr mbretëror nën këtë qiell,

I cili nuk do të hapej për ju, sepse fama e juaj ka shkëlqyer aq shumë, sa shumë bija të mbretërve nuk do t’ju mungonin”

Surena, ndërkaq, flet për një horizont (qiell) tjetër , atë të dashurisë me Euridyce, e cila e bën të pamundur e të paparamendueshme një lidhje martesore me një femër tjetër.

“Sikur ato femra të më bënin zotëri i tërë një bote,

Absolut mbi tokën dhe detet, zemra ime megjithatë” (f. 43).

Eurydice, ndërkaq, përpjekjet e saj për ta bindur Surenën që të martohet me Mandane vetëm sa për ta shpëtuar jetën e tij, dhe disa çaste të rralla intime i përjeton si një sakrificë kundër vetvetes : ajo i thotë motrës së Surenës, Palmis:

“A e dini se kur ia dërgoj Mandanes me duart e mia dashnorin tim,

Kjo do të thotë se me dorën time dua ta vras veten time?”.

Në aktin e katërt Pacorusi, i biri i mbretit, ia përkujton Surenës obligimin që ta respektojë vendimin e sovranit, të pranojë të martohet me Mandane; njëherësh ai kërkon prej tij ta bindë princeshën Euridyce që ta përmbushë detyrën e vet, përkatësisht ta respektojë marrëveshjen midis dy mbretërve, babait të saj dhe Orodit, dhe të martohet me Pacorusin.

Mirëpo Surena i përgjigjet se ai nuk mundet ta bindë “një shpirt të përflakur, sikur ia kishte arritur ta nënshtronte një armatë të tërë, dhe se ma vështirë është ta drejtosh një zemër sesa t’i mposhtësh trupat romake” (f.87) Në vargun që vijon Surena i thotë princit Pacorus se “mbretëria e zemrave nuk i takon perandorisë tuaj” dhe se “dashuria e ruan me xhelozi autoritetin (pushtetin) e vet dhe se ajo nuk njeh as mbret e as sovranitet”. Surena orvatet ta sugjerojë dallimin midis këtyre dy fuqive e dy pushteteve: pushtetit politik e shtetëror të mbretit dhe pushtetit të fuqisë së dashurisë. ”Është fjala për një dallim për nga natyra dhe vlera e dy fuqive si dy botë të ndryshme, si hapësira të ndryshme ku manifestohen përjetime dhe frymëzime krejt të ndryshme midis pasionit për pushtet dhe pasionit të dashurisë” (ib.)

Të përkujtojmë këtu se mendimtari dhe poeti gjerman Goethe (Gëte) kishte zhvilluar refleksione të thella mbi vlerën e çasteve të së tashmes dhe raportin e tyre me përjetësinë, në disa vepra të veta (“Poezia dhe e vërteta” etj.). Ai kishte vënë në dukje njëherësh praninë e së kaluarës në të tashmen brenda veprave artistike (skulptura e piktura) e letrare, si pikëtakim i dy dimensioneve të kohës, si përmbushje brenda çasteve të veçanta të së tashmes. Vetëdija mbi kufishmërinë e ekzistencës njerëzore përballë gjithësisë si pakufishmëri po kështu edhe ndaj përjetësisë si paskajshmëri. Goethe në disa tekste të veta ka ndriçuar në veçanti vlerën e çastit të së tashmes: “pika ku jeta i gëzohet jetës, shkruan ai, është pikërisht çasti i së tashmes”, është kjo pikë ku e tashmja puqet me përjetësinë, përkatësisht me përmbushjen e dashurisë në ato çaste të kufijshme.

T’i kthehemi sërish tekstit të Corneilleit. Princi Pacorus gjendet tani përballë theksimit të këtij dallimi midis këtyre dy logjikave, të politikës dhe asaj të dashurisë, e sidomos përballë fuqisë shpirtërore të dy të dashuruarve që e vënë në rrezik jetën e tyre duke iu kundërvënë vullnetit mbretëror; e shpërfillin mbretin i cili synon t’ua imponojë se me kë duhet të martohen, duke harruar e mënjanuar pasionin e dashurisë së tyre. Pacorusi tani ia bën me dije Eurydycs se ajo dhe Surena duke këmbëngulur ta mbrojnë dashurinë e tyre ata në fakt “nga një krim dashurie e bëjnë një krim kundër shtetit” (f.87)

Begatia e gjeniut dramatik të Cornneillit hetohet gjatë leximit dhe shikimit të shfaqjes teatrore të “Surenës” edhe sot. Magjia e vizioneve të tij poetike, që rrezatojnë deri te ne sot, me dendësinë e bukurisë artistike na flet dhe na lëkundë edhe më.