Kulturë

Pasionantët evropianë të shqipes

Portreti i Mustafa Kemal Ataturkut del në pah sa më s’ka shkaku i kombinimit të ngjyrave. Portreti me ngjyrë të bardhë e sfondi i bluzës në të zezë bëjnë që themeluesi i Turqisë moderne të shkëlqejë. Por Lev Sokliq nuk ka kurrfarë lidhjeje me Turqinë. Thjesht: adhuron të bëmat e Ataturkut. Por nuk përfundon me kaq. E ka fort në qejf edhe gjuhën shqipe, të cilën e flet rrjedhshëm. 17-vjeçarin slloven me shqiptarët e lidh veç gjuha.

Gjatë shëtitjeve të tij në korridoret e Fakultetit të Filologjisë, Sokliq bën muhabet me studentë e profesorë vendorë e të huaj. Jo veç sa për ta forcuar shqipen, por është kureshtar edhe për anë të tjera të kulturës së shqiptarëve.

Ai po merr pjesë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Ndjek kurset e gjuhës. Të enjten ka ndjekur edhe ligjëratën e akademik Hivzi Islamit, ku u shtjellua tema e vendbanimeve shqiptare. Pasi ka dalë nga kjo ligjëratë, Sokliq me t’u njoftuar me ekipin e KOHË-s ka thënë se në botën shqiptare preferon ta thërrasin Luan. Arsye për këtë e ka përkthimin e emrit të tij nga sllovenishtja. Levi në shqip është luan.

Me shqipen është lidhur në një kurs që ka ndjekur në Fakultetin Filozofik të kryeqytetit slloven, Lubjanë. E prej atyre, do të lidhej edhe me Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare. Ia kishte preferuar një profesor i tij.

“Më pëlqen shumë tingulli i shqipes dhe më pëlqen shumë fakti që shqipja është një gjuhë shumë e vjetër dhe gjithashtu që është shumë e ndryshme nga gjuhët si anglishtja ose sllovenishtja, gjuha ime e parë”, ka thënë Sokliq. Ai flet për shqipen me pasion. E Seminari i duket vendi ideal që të gjurmojë mbi shqipen, por edhe kulturën shqiptare. Nuk ua huq asnjëherë orareve të kurseve të shqipes në këtë ngjarje, e ligjëratat i përcjell shpesh. Niveli i tij i gjuhës shqipe shkon goxha lart. Nuk ka pyetje që nuk i jep përgjigje në shqip.
Sokliq është një nga 250 pjesëmarrësit që po qëndrojnë këtë vit në edicionin e 41-të të ngjarjes më të madhe të albanologjisë në këto anë.

Francezja Auriena Zhiher është në studimet e doktoratës. Sa i përket shqipes është krejt fillestare, por shumë pasionante. Me krejt vështirësitë, insiston të përgjigjet në gjuhën shqipe.

“Prishtina më pëlqen shumë, është një qytet shumë i bukur dhe ka shumë monumente, shumë interesant...Jam kandidate për doktoratë dhe kam punuar në Institutin Etnologjik në Tiranë, po mësoj shqip prej tre muajsh, prandaj doja të vija këtu për të punuar më shumë”, ka thënë parisienia.

Në këtë seminar pjesëmarrësit kanë ardhur nga vende të ndryshme të Evropës e përtej. E temat bosht që po trajtohen në këtë edicion janë: “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”. Sipas organizatorëve, “Shqipja në rrezik” i referohet shqipes së arbëreshëve të Zarës e atyre të Kalabrisë e Sicilisë, ku versioni i tyre i shqipes nuk po mësohet nga brezat e rinj.

Një ditë më herët, profesori David Hosaflook si pjesë të ligjëratës “Shqipja në rrezik dhe rreziku i shqipes: vështrime rreth kontekstit të veprimtarisë letrare të protestantëve në viset shqiptare” ka sjellë një histori interesante. Kurse sot (e premte) historiani i njohur, Oliver Jens Schmitt, do të mbajë ligjëratën “”Kosova dhe Shqipëria: dy rrugë të historisë shqiptare 1912-2023”.

Në edicionin e sivjetmë të Seminarit do të jenë të pranishëm mbi 100 mysafirë të interesuar për mësimin e shqipes në tri nivele. Bëhet fjalë për mysafirë nga Polonia, Çekia, Gjermania, Danimarka, Holanda, Zvicra, Austria, Italia, Greqia, Rusia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Rumania, Spanja, dhe Kroacia. Sipas organizatorëve, janë planifikuar mbi 130 punime studimore në formën e ligjëratave, të referimeve shkencore dhe të kumtesave. Janë planifikuar aktivitete të ndryshme kulturore, përfshirë prezantim të veshjeve tradicionale, të filigranit, këngë arbëreshe e vizita kulturore.