Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pas sulmeve të Hamasit, skena kulturore e heshtur për Izraelin

Menjëherë pas sulmeve terroriste të kryera ndaj Izraelit nga organizata Hamas, shumë yje të Hollywoodit dhe figura të tjera kulturore në Shtetet e Bashkuara shprehën solidaritetin e tyre me vendin nën hashtagun “#standwithisrael”.

Më 12 tetor, 700 yje të Hollywoodit, përfshirë aktorë si Gal Gadot, Jamie Lee Curtis, Michael Douglas dhe Chris Pine, si dhe komedianë si Jerry Seinfeld dhe Amy Schumer, nënshkruan një letër të hapur e krijuar nga organizata jofitimprurëse “Creative Community for Peace”. Yjet e Hollywoodit dënuan sulmet e Hamasit si “veprime barbare të terrorizmit” dhe bënë thirrje ndaj Hamasit, i klasifikuar si organizatë terroriste nga SHBA-ja, Gjermania, BE dhe vende të tjera, që të lironte pengjet e tyre izraelite.

Ata gjithashtu lajmëruan kolegët e tyre për dezinformimin në rrjetet sociale, duke thënë: “Ndërsa Izraeli merr hapat e nevojshëm për të mbrojtur qytetarët e tij në ditët dhe javët në vijim, mediat sociale do të mbulohen nga një fushatë e organizuar e dezinformimit, kryesuar nga Irani. Ne u kërkojmë të gjithëve të kujtojnë imazhet e tmerrshme që dolën nga Izraeli dhe të mos ndihmojnë në përhapjen e propagandës ose të bien pre e saj”.

Në disa qytete gjermane, përfshirë Berlinin, Munichun dhe Rostockun, ditët e fundit shumë persona kanë shfaqur solidaritetin e tyre me Izraelin përmes protestave.

Por institucionet kulturore gjermane mbetën të rezervuara. Për shembull, vetëm më 11 tetor, katër ditë pas sulmeve, Këshilli Kulturor Gjerman publikoi një deklaratë që thoshte se “në mënyrë të përbashkët kundërshton çdo formë antisemitizmi” dhe kërkoi nga institucionet kulturore në Gjermani që të shprehin qartë solidaritetin e tyre me Izraelin.

Edhe “Berlinalja” përballë akuzave për heshtje lidhur me luftën në Gazë Kulturë “Berlinalja” përballë akuzave për heshtje lidhur me luftën në Gazë

Nga kjo thirrje është e mundur të shihet çfarë denoncoi gazetari dhe autori Simon Strauss në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”: “Ku janë flamujt izraelitë? Ku janë pankartat, posterët?”.

Në krahasim me deklaratat e menjëhershme solidarizuese me Ukrainën pas pushtimit rus, Strauss e bëri të qartë në artikullin e tij se çfarë pritet në të vërtetë nga Gjermania: Më shumë solidaritet me Izraelin. Pas të gjithave, siguria dhe e drejta për ekzistencë e Izraelit janë qëllim shtetëror i Gjermanisë, pas masakrës sistematike nga Gjermania ndaj gjashtë milionë hebrenjve në Holokaust. Ky qëllim shtetëror aktualisht mbështetet nga marrëveshja e koalicionit të qeverisë dhe është rikonfirmuar nga kancelari Olaf Scholz në një deklaratë qeveritare më 12 tetor 2023.

Në tekstin e tij në “Spiegel Online” me 11 tetor, të titulluar “Pse vazhdoni të heshtni?”, autori Sascha Lobo elaboroi arsyet e shumta për heshtjen e vazhdueshme të shumë njerëzve që ndryshe flasin rregullisht për padrejtësitë në mediat sociale.

Ai përfundon duke thënë: “Ata që jetojnë në Gjermani sot nuk janë fajtorë për Holokaustin. Por të gjithë ata që jetojnë këtu mbajnë përgjegjësinë për të mësuar prej tij. Dhe kjo do të thotë se nuk mund të mbetemi të heshtur për terrorizmin antisemist”.

Heshtja nuk duket të jetë vetëm një problem gjerman. Në faqen e lajmeve “Artnet”, e cila fokusohet në tregtinë ndërkombëtare të artit, redaktorja hebraike Katya Kazakina shkroi për një “heshtje shurdhuese” në botën e artit - veçanërisht nga galeritë dhe muzetë e njohur dhe të etabluar që në të kaluarën shpesh flisnin kur vinte puna për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç ishte rasti i luftës në Ukrainë, lëvizjes “Black Lives Matter” ose të drejtave LGBTQ.

“Në New York, njëherësh vendbanimi i komunitetit hebraik më i madh jashtë Izraelit, ende asnjë muze i madh nuk ka shprehur deri më tani mbështetjen zyrtare për shtetin hebre dhe për komunitetin hebraik” shkroi Kazakina më 12 tetor.

“Asnjë galeri e madhe nuk zgjodhi të dërgonte një mesazh empatie dhe të merrte një pozicion publik kundër masakrës së civilëve hebrenj”, shtoi ajo. “Si një grua hebraike, e cila ka shkruar për artin, artistët, galeritë, muzetë, shtëpitë e ankandit, fondacionet, panairet dhe çështjet ligjore për më shumë se 17 vjet, ndiej një përzierje emocionesh mes dhimbjes, zhgënjimit, zemërimit dhe frikës. Ku është solidariteti? Ku është empatia? Ku është kompasi, busulla morale?”.

Në shkrime të tyre Strauss, Lobo dhe Kazakina kërkojnë arsye pse është shprehur kaq pak solidaritet me Izraelin deri më tani. A është frika që të shihen si “kolonialistë” nga pamjet e vuajtjeve të popullsisë civile palestineze në Rripin e Gazas? Ose janë në fund të fundit tendencat antisemiste që kanë çuar në këtë “heshtje shurdhuese”?

Edhe Artistët kërkojnë nga organizatorët e Berlinales qëndrim të qartë për Gazën Showbiz Artistët kërkojnë nga organizatorët e Berlinales qëndrim të qartë për Gazën

Mund të jetë edhe frika nga terrorizmi islamik. Për shembull, organizatori i protestës solidarizuese për Izraelin në Munich ka marrë kërcënime me vdekje.

Ka shumë arsye të mundshme për këtë heshtje, por rezultati mbetet i njëjtë: Hebrenjtë, të shokuar thellë nga ngjarjet aktuale në Izrael, tashmë janë më shumë të trazuar edhe nga kjo.