Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Paralajmërimi për fundin e përmendoreve raciste në SHBA

Protestuesit përreth shtatores së Robert E. Leesë në “Monument Aventue” në Richmond, Virginia. Foto: (Ryan M Kelly/AFP/Getty Images)

Javën e kaluar në Richmond, Virginia, protestuesit tërhoqën një përmendore të komandantit të ushtrisë së Konfederatës, Robert E. Lee, si akt rezistence ndaj brutalitetit dhe racizmit policor. Ata shkruan me sprej, shpesh të kuq, parulla si “Black Live Matter”, “Blood On Your Hands” dhe “Stop White Supremacy”. Natën, fytyra e George Floydit u dha në projektor, duke bartur fjalët “No Justice, No Peace”.

Kjo përmendore 12-tonëshe e Leesë, e cila qëndroi në “Monument Avenue” për 130 vjet, tani duket si Muri i Berlinit më 1989 – e mbushur me mesazhe, zëra njerëzish. Hakërrimi i fundit mbi ekzistencën e saj, pas vrasjes së George Floydit, Breonna Taylorit dhe Ahmaud Arberyt, ka bërë që të hiqet.

Bashkiaku i Richmondit, Levar Stoney, është pajtuar që deri më 1 korrik të hiqet statuja e Leesë, si dhe monumente të tjera të Konfederatës.

“Richmond nuk është më kryeqytet i Konfederatës”, ka thënë Stoney në një deklaratë. “Është i mbushur me larushi dhe dashuri për të gjithë, dhe neve na duhet ta dëshmojmë këtë”. Ani pse një numër përmendoresh të Konfederatës gjithandej Amerikës ishin rrëzuar më 2017 pas një mitingu nacionalistësh të bardhë në Charlottesville, shumë të tjera kanë mbetur. Por duket se po kthehet një tallaz i madh. Në Fredericksburg, po ashtu në Virginia, një bllok i ankandit të skllevërve nga këndi i rrugës u hoq të premten e kaluar përderisa një statujë e ish-bashkiakut të Philadelphias Frank Rizzo, një segregacionist dhe shef policie, është larguar. Në Birmingham, Alabama, obelisk i ushtarëve dhe lundërtarëve të Konfederatës është hequr nga “Linn Park”, dhe më pas edhe një statujë e admiralit të luftës qytetare, Raphael Semes, është hequr në Mobile. Një përmendore e ushtarëve të Konfederatës e quajtur Appomattox është rrëzuar javën e kaluar në Alexandria, Virginia.

“Fakti se këto po rrëzohen…t’ju them të drejtën, nuk e kam menduar se do ta shoh në jetën time”, ka thënë Sarah Beetham, profesoreshë e historisë së artit në Akademinë e Arteve të Bukura në Pennsylvani. “Është një pikë e madhe kthese, kështu që ne me gjasë do të shohim përshpejtimin e rrëzimit të monumenteve”.