A duhet ta shohim këtë afrim? A do të duhej që politikanët, shkencëtarët dhe institucionet sociale të shihnin më shumë filma? A nuk e kanë treguar filma të shumtë pandemie e seriale televizive se çfarë ndodh kur sëmundjet shpërndahen tejetej rruzullit me shpejtësi rrufeje?
Ka pyetje për të cilat duhet të përsiasim ani pse askush nuk mëton që filmat fiksionë dhe materialet televizive duhet të përdoren për të planifikuar të nesërmen, transmeton KOHA shkrimin e DW.
Çfarë e befasoi më së shumti ekspertin gjerman të filmit dhe medias, Denis Newiak ishte fakti sa të papërgatitur ishin të gjithë, sa të tronditur ishin njerëzit – veçmas politikanët, fjala vjen në ShBA.
“Është e pabesueshme që njerëzit kanë shikuar këtë lloj filmi gjatë dhjetë viteve të kaluara, por tani ata janë të befasuar”, ka thënë Newiak për Deutsche Welle.
Teksa punon për temën e tij të doktoratës mbi filmin dhe televizionin, Newiak është ndalur edhe te tema e pandemisë në filma dhe seriale televizive duke e shkruar librin “Alles schon dagewesen: Was wir aus Pandemie-Filmen für die Corona-Krise lernen können” (Gjithçka ka qenë aty më parë: Çfarë mund të mësojmë prej filmave mbi pandeminë gjatë krizës së koronavirusit).
Libri sapo ka çikur tregun me një temë të nxehtë vetëm disa muaj pas shpërthimit të pandemisë e cila vazhdon ende.
Së shpejti u bë e qartë se kjo ishte “një çështje që do të bëhej e rëndësishme në njëfarë pike, për të cilën ekspertët kishin kohë që tërhiqnin vërejtjen”, ka thënë Newiak, i cili ka përvojë pune në menaxhim emergjencash, si dhe vullnetar gjatë pandemisë.