“Fjalët bashkojnë botën”, është slogani me të cilin është hapur edicioni i 74-t i Panairit të Librit në Frankfurt. Sivjet ka edhe një tjetër peshë, tek fuqizon rëndësinë e librit në thirrjet për paqe. Janë botues nga 95 shtete që i ka bashkuar libri në këtë vend e Kosova e vazhdon traditën e pjesëmarrjes. Shtandi i saj ka përballë atë të Ukrainës me të cilën solidarizohet kjo ngjarje më e madhe e librit në botë
Në kohën kur Ukraina në lindje të Evropës po përballet me luftë, në qendër të Kontinentit të Vjetër është duke u bërë thirrje se “Fjalët bashkojnë botën”. Me këtë slogan ka hapur dyert edicioni i 74-t i më të madhit panair libri në botë, atij të Frankfurtit. Me thirrjet për mbrojtje të industrisë së librit dhe në solidarizim me shkrimtarët në ekzil, ekspozita e madhe e librit ka hapur dyert në edicionin e parë tradicional pas përballjes me pandeminë kur ngjarjet mbaheshin në format hibrid.
Kosova është e pranishme aty nëpërmjet Shoqatës së Botuesve. Shteti më i ri i Evropës merr pjesë në këtë ekspozitë libri qysh prej vitit 2002. Edhe sivjet u bashkohet thirrjeve për një botë me liri të shprehjes e pa shkrimtarë që detyrohen të braktisin shtetet e tyre.
Thirrjet për mbrojtjen e industrisë së botimeve
Janë katër mijë ekspozues librash nga 95 shtete të ndryshme të botës në Panairin ku mbahen më shumë se dy mijë ngjarje dhe janë të akredituar rreth katër mijë gazetarë. Panairi është hapur të martën mbrëma dhe do të vazhdojë deri të dielën. Spanja, sivjet, është e ftuara e nderit dhe në ceremoninë hapëse kanë marrë pjesë Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia, bashkë me presidentin e Federatës Gjermane, Frank-Walter Steinmeier
“Jam duke shikuar shumë që të shoh prapë shumë autorë, përkthyes e botues që na bashkohen përsëri”, ka thënë Juergen Boos, president i Panairit të Frankfurtit, raportojnë mediat botërore. Sipas tij, takimet e drejtpërdrejta janë më të rëndësishme se kurrë, pasi ndihmojnë në reduktimin e polarizimeve.
“Njerëzit i flasin ndryshe njëri-tjetrit kur takohen drejtpërdrejt. Ditëve në vazhdim këtu do të zhvillohen diskutime me shumë pasion”, ka thënë ai, duke shtuar se do të ketë diskutime mbi moton e sivjetme “Përkthe. Transfero. Transformo”.
“Ne besojmë fort se industria e librit ndihmon shumë që të kuptohemi me njëri-tjetrin, duke demonstruar solidaritet global me profesionistët që janë në ekzil”, ka personaliteti qendror i Panairit.
Hapësirë për paqe e shkëmbime demokratike
Sivjet një numër i madh politikanësh gjermanë është paralajmëruar ta vizitojnë Panairin. Jo të gjithë do t’u drejtohen të pranishmëve. Një fjalë nga distanca aty do ta mbajë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe zonja e parë, Olena Zelenska. Zelenskyy pritet që të dërgojë mesazhe paqeje dhe të flasë për gjendjen e botuesve dhe shkrimtarëve ukrainas në kohë lufte. Ky shtet prej shkurtit është duke u përballur me agresionin rus. Kurse Rusia e ka të ndaluar që të marrë pjesë në Panair shkaku i luftës që ka ndezur në Kontinentin evropian. Në vallen e sanksioneve për të mos marrë pjesë ka hyrë edhe Irani, si pasojë e mosrespektimit të të drejtave të njeriut.
Presidenti i gjerman, Steinmeier, ka bërë thirrje për solidaritet me industrinë e librit në Ukrainë.
“Shkatërrimi i librarive, shtëpive botuese dhe pasojat sa i përket librit në Ukrainë, janë tregues që duhet të na motivojnë që të japim mbështetje e ndihmë”, ka thënë ai. Sipas tij, më shumë se kurrë më parë tash është e rëndësishme që të thuhet e vërteta dhe “të veprohet në luftën kundër gënjeshtrave vrastare”.
Karin Schmidt-Friderichs, kryetar i Asociacionit të Botuesve të Gjermanisë, u ka bërë thirrje politikanëve që ta mbrojnë industrinë e librit.
“Është e rëndësishme që në këtë ngjarje të promovohet mirëkuptimi ndërkombëtar. Në një botë kur ndasitë politike e kulturore shkojnë duke u thelluar, Panairi krijon hapësirë për paqe e shkëmbime demokratike. Bash në këtë kohë bota e librit duhet ta ketë mbështetjen e duhur”, ka thënë ai.
Kosova përballë Ukrainës, pesha e shumëfishtë e pjesëmarrjes
Shteti më i ri i Evropës ka bërë goxha traditë me pjesëmarrje në këtë Panair. Shoqata e Botuesve të Kosovës prezantohet në sallën 4.0 shtandi C99. Rrethohet nga Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika e shtetet e Evropës Qendrore. Botimet e shtëpive botuese si “Buzuku”, “KOHA”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa” e të disa institucioneve shtetërore zënë vend në shtandin e Kosovës.
Krahas me Gjeorgjinë e përballë Ukrainës, Kosova në njëfarë forme edhe po solidarizohet me shtetin që po përballet me luftë.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se këtë vit, për dallim prej vitit te kaluar, ka pjesëmarrje më të madhe të ekspozuesve, shteteve dhe vizitorëve.
“Pandemia duket një kujtim i hidhur. Secili shtet merr pjesë në këtë Panair, më i madhi i librave, pos Shqipëria e Mali i Zi që nuk marrin pjesë. Është e rëndësishme të prezantohet edhe shteti i Kosovës, për të treguar fillimisht shtetësinë, mandej kulturën e letërsinë”, ka thënë ai.
Në fundjavë, Panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët. Sipas Zenelit, do të mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në shtandin e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani.
“Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore”, ka thënë ai.
Shkrimtarë të shumtë nga e mbarë bota është paralajmëruar që do të jenë pjesë e këtij edicioni. Ngjarjet e Panairit marrin vëmendje gjithandej globit.