Në 26 janarin e këtij viti, shkoi në përjetësi Hirësia e Tij, Baba Mumin Lama.
Të premten e vendosëm në odeonin e tij, në vendin të cilin e admironte. Shpirti i tij i çiltër kohë më parë kishte marrë rrugën e hyjve. Na la bosh në zemër, por plot në shpirt. Për gjithë këto vite shërbimi si kryeklerik i Teqesë së Bektashinjve të Kosovës e më parë myhib, nuk ngriti zërin as edhe një herë, nuk qortoi kënd, nuk u hasmërua dot! Ishte dhe do të mbetet në kujtesë si sinonim i mirësisë, bujarisë e butësisë. Predikimin se kishte parësor, në takime e në kontakte me njerëz, ishte plot elan për të treguar e rrëfyer ndonjë nga ngjarjet që e preokuponin, nga historia e largët apo ajo ende e freskët, nga përditshmëria, e posaçërisht historitë ende të pashtjelluara sa e si duhet… Ishte plot Rilindje, plot optimizëm, plot besim, aq sa edhe ngritja e gotave ndonjëherë, në vend të cakërrimit, shndërrohej në moton e tij, moton Bektashiane: Pa Atdhe nuk ka Fe!
Është vështirë të shkruash për njerëzit që me krejt qenien i janë përkushtuar besimit, fesë dhe Zotit! Je i pabarabartë së paku në sakrificën e papërjetuar në tërësi! As afërsia shumëvjeçare me Babanë nuk ma jep lirinë e nevojshme për një gjë të tillë! Por, a ishte ashtu si dukej nga anash? Jo! Baba Mumin Lama i Gjakovës kishte shumë më shumë në veten e tij. Veshur me vellon e misticizmit karakteristik bektashian, por e gërshetuar me edukatën e rreptë patriotike të marrë e trashëguar nga prindërit, i rritur në revolucionin eruptiv e të heshtur gjakovar, i lexuar dhe i mësuar, i ngritur, Babai së pari ishte Patriot! Çdo veprim dhe çdo nismë nuk mund të mos e praronte me moton e tij, moton Bektashiane: Pa Atdhe nuk ka Fe!
Butësia! E karakterizonte natë e ditë. Me fjalë të zgjedhura, me tonalitet melankolik, me modestinë e veprimit e të shprehurit, gati sa fuste në trans bashkëbiseduesit… Tonaliteti ndërronte vetëm në një rast, kur përmbyllte bisedën me moton e tij, moton Bektashiane: Pa Atdhe nuk ka Fe!
Qetësia! Gjithnjë në botën e tij të tejpërtejshme, ndodhitë “tokësore” i shihte me syrin e tij si të përkohshme, të kalueshme. Të çastit! Në takimet e përbashkëta, me miq tanë, mysafirë nga jashtë, kur duhej shpjeguar gjeneza e besimit, shpeshherë ndodhesha edhe në rolin e përkthyesit, qetësinë e Babait nuk mund ta përktheja dot – ajo pulsonte me valë hipnotike… Shumë nga ta e kuptonin porosinë ende pa e marrë përkthimin. Shpesh, përkthimi as që ishte me rëndësi... Nën vijat burrërore të figurës së tij, biseduesi humbej në shtjellimet e dhëna edhe me fjalën e shprehur, deri te motoja e tij, motoja Bektashiane: Pa Atdhe nuk ka Fe!
Urtësia! Ishte në bindjen e plotë të përkohshmërisë së ngjarjeve… Ishin falangat serbe që terrorizuan me theks të veçantë Gjakovën… Për Babanë ishin të përkohshëm – do të shkonin thoshte! U dëbuan…. E dogjën Teqenë dhe e piperosën me napalm bibliotekën e moçme. E ndërtojmë thoshte… As “ncok” për librat... Shumë i urtë të shprehej për të pabëshmen të bëhej e bëshme. E tradhtonte damari i ballit, pulsimin e mavijosjen e të cilit s’e ndalte dot. Si rrjedha e poshtme e Drinit, kur gjatë vërshimeve dukej se do të dilte nga shtrati… Diçka nga defterët shpëtuan, ishin te ne, në Familje, për skenim dhe shqipërim... Ishte i kënaqur edhe me ato pak! Etja për dije e “qetësonte Drinin” në ballin e tij. Kishte diçka për t’ia filluar rindërtimit të atdheut, komplementimit të “defterëve” e ringritjes së Teqesë...
Pa Atdhe nuk ka Fe!
Ishin qytetarët e Gjakovës dhe nxënësit që përfunduan mësimet në Teqenë e shndërruar në shkollë të parët që i dolën në ndihmë Teqesë, përpara sfidave të pasluftës... Në dhimbjen e tyre të humbjeve në njerëz e prona, nën dënesën e nënave që iu zhdukën meshkujt, nën gërmadhat e lëna nga ushtarët e paraushtarët, milicët e paramilicët, bishat e parabishat e vërsulura nga çdo cep Serbie, nxirrej nga një kazmë a ndonjë lopatë bishtdjegur, pritej një degë dhe gdhendej një dorëz... Ishin mjetet e para në spastrimin e djegurinave. Me kujdes ndahej çdo copëz që mund të shërbente për ndonjë rekonstruktim të mëvonshëm, e me dashuri puqeshin buzët, që secili me frymën e vet ta pastrojë copëzën. Ishin margaritarët e mbetur që bartnin frymën e gjeneratës që do të vinte... Në vitin 2007, Teqeja edhe e pati rendin të rindërtohej. Ishin prapë gjakovarët, por jo vetëm. Ishin të rinjtë, por jo vetëm. Ishin luftëtarët, por jo vetëm... Ishin “djemtë e asfaltit” që shtynin... Babai u tregonte se do të vinte koha edhe e Teqesë, mos ngutni... Ndodhi që një nga ta edhe të administrojë në Qeveri dhe sakrifikoi deri në vetëshpalljen nepotist [Min.Haraqija] dhe feniksi u ngrit, Teqeja u rindërtua! Damari i ballit i Babait për çudi nuk mavijosej më, mu si Drini kur lirohet në pandashmërinë e tij rrjedhën e poshtme. E kishte vendosur cakun shumë përpara: raftet e librave, tavolinat e karriget, se faroket i kishte; librat që ndërkohë kishte filluar t’i mblidhte.... I duhet atdhe edhe për to dhe e arriti!
Pa Atdhe nuk ka Fe!
U lehtësuan aktivitetet dukshëm, mysafirët priteshin e përcilleshin, Babai dhe personeli i Teqesë me krenari vizitonin objektin, me ndaljen e detyrueshme në bibliotekë... Kishte nga disa ekzemplarë nga secili botim. Po pse? – Pyesnin... Babai arsyetonte: “Ndodh që dikush dëshiron ta marrë librin me vete, ia huazon të afërmi, e ndodh që ai harron t’ia kthejë, apo i ndodh ndonjë e papritur”, gjithnjë pa dashur të akuzojë kënd pos ndodhisë... Por, ishte edhe koha e viti kur Atdheu [ri]organizohej e Bektashianët po ashtu... Ishte kohë e Ligjeve të spastruara nga diskriminimi dhe e padrejta. Liria ishte e prekshme... E liritë e pacenuara dhe nevoja e natyrshme të njohësh e të të njohin theksohej më shumë se më parë.... Në Ligjin e Parë të Pasçlirimit, sado nën tutelën e Këshillit të Madh të Evropës, Bektashianët nuk përmendeshin as në ndonjë nënpasus; kur e analizuam tekstin, mungonte edhe fjala “shqip” apo edhe nënformat e saj... Shteti ishte i brishtë, atdheu ende rënkonte... Politika para fesë, Feja pas Atdheut!
Pa Atdhe nuk ka Fe!
Vitet kalonin e koha mbushej me “ngjarje”. Teqeja ishte kthyer në vendtakim e vendtubim të rëndësishëm. Vinin e shkonin vizitues e kërkues, fisnikë të kohës, udhëheqës e kryetarë, ministra e kryeministra, përfaqësues të popullit, deputetë e bajraktarë, njiheshin me historinë e Teqesë dhe rëndësinë, frymëzoheshin për doktrinat hyjnore deri në frymën e fundit – Baba Mumin krenohej.
Ishte varrim ndryshe! Varrim Bektashian. Fisnikët e klerit të veshur me rubat karakteristike, burra të fuqishëm e gra dinjitoze, të rreshtuar në revistë para arkës së mbështjellë me Flamurin e Mëmëdheut! Ishte Skënderbeu që na la trashëgimi, e që e ruajmë edhe pas pesë shekujsh. Do t’ua përcjell miqve të përbashkët fotot nga përcjellja, do të jenë ilustrative për ta kuptuar Babanë e asaj kohe, kur gjatë vizitave çuditeshin si janë muret me piktura e fotografi, si u gjet aty statuja e Skënderbeut apo busti i Naimit, si kjo dhe si ajo, kur sipas fesë kjo nuk qenka e lejuar? Aq ishte njohuria e shumicës... Fotot do ta shpjegojnë Babanë:
Pa Atdhe nuk ka Fe!
Ne nuk jemi nomadë! Autoktonizmi i pamohueshëm ende tmerron gllabëruesit e territoreve tona! Për ndryshim nga të tjerët, që dheun e tyre e karakterizojnë me dheun e atit apo dheun e vatrës/shtëpisë, ne shqiptarët vatrën e kemi pasur nevojtar dhe tokën e paraardhësve e kemi quajtur atdhe apo mëmëdhe... Dhe sot – lehtë pas morteve të mëdha të fundshekullit të kaluar – e shpjegojmë: Duket se atdheu është vendi i etërve tanë, për të cilin Bektashiani arratiset në luftë! Dhe tani një atdhe këndej Drinit, një andej Drinit, shpejt do të jemi një dhe me nipa e mbesa bashkë, këndej e andej Sharrit, poshtë Pashtrikut e mbi Rugovë do të bëhemi Mëmëdhe! Po në atdheun autokton çfarë ka ndryshe? Bektashianët janë pjesë e respektuar e komunitetit të pranuar nga shteti, historia mësohet dhe lexohet si është, ashtu e pacunguar, Vëllezërit Frashëri e rilindësit hyjnorë janë pjesë e kulturës dhe edukatës. Ishte feja ajo që rilindi Shqipërinë, por nuk qe ajo që doli para Vlorës! Po bektashianët e atdheut të ri? Të anashkaluar e të lënë në margjinat e tavolinave të pluhurosura të administratoreve të përkohshëm të çështjeve! Të papranuar në mëmëdhe e të papranuar në atdhe.
Pa Atdhe nuk ka Fe!
Roma dhe Tirana! Roma ka Vatikanin dhe Selinë e Shenjtë, ne kemi Tiranën dhe Kryegjyshatën Botërore të Bektashiane, apo Selinë e Shenjtë Bektashiane. Shumë nga ne nuk e kanë të njohur këtë fakt. Edhe historia jonë e interpretuar sipas pushtuesit në Atdheun tonë, apo shtypësit në Atdheun autokton, ka lënë pasoja, por përcjellja e idesë, edukimi në frymë, përcaktimi i caqeve, të gjitha janë tash dhe në të ardhmen të njohura. Jeta në paqe, në bukurinë e diversiteteve të mendimit e të besimit, përfshirë edhe interpretimet e ndryshme, japin bukurinë e të qenët njeri, me emocionin si tipar, me gjykimin e paragjykimin si kundërtezë, që te bektashinjtë zgjerohet deri në vëllazëri.
Ndodhi që në Ditën e Përshëndetjes të kësobotshme, posa ngrita gjurin nga dyshemeja, m’u afrua një nga myhibët e Teqesë dhe padyshim se isha i panjohur për të. M’u afrua me dashamirësi dhe më pyeti: “Mos jeni hebre?”, në kuptimin që të ma gjente vendin për t’u ulur. Po si t’i përgjigjem? Në moment më doli Babai para syve: do të thoshte me butësi: “Po, hebre jam! Por, jam edhe Mysliman e Katolik, jam Ortodoks e Protestant... Shqiptar së pari!”
Mbase mbulesëvarri nga arka e nusërisë e Gjyshes time, që e kisha varur rreth qafës e të cilën e shtrova buzë arkivolit pas përshëndetjes që të mbuloj varrin dikur. Atë pjesë e quajmë ashtu, se hyjtë nuk varrosen! Trupat e tyre vendosen nën dhe. Babai do të jetë përherë mbi dheun që e adhuronte.
Mbulesëvarrin nuk munda ta vendos mbi arkë! Ishte e mbimbuluar.
Me Flamurin Arbëror. Të Skënderbeut. Mbulonte trupin e Baba Muminit në rrugën e përjetësisë, në mënyrën e vetme të mundshme:
Pa Atdhe nuk ka Fe!
Shuarja! I nderuari Baba Mumin shkoi! Do të na vështrojë nga lart dhe vetëm mund të paramendojmë nën vellon e burrërisë së shkrirë nëpërmjet formave të ashpra të mjekrës së thinjur e mustaqeve të dendura, momentet kur i ikte ajo buzëqeshja e rinokut pesëmbëdhjetëvjeçar, njëjtë si i përvidhej kur rendoheshin premtimet e shefave të grupeve parlamentare, se në seancën e parë do ta votojmë... Babai shkoi, mori me vete krejt mirësinë e bujarinë që rrezatonte, i thyer në shpresë, me rotacionet e panumërta të qeverive, nuk aprovonte vrapin e madh e njëkohësisht frikohej nga gjithë kjo shkelje e atdheut, e qetësia e tij në këso raste ishte vrasëse. As damari i ballit nuk mund ta tradhtonte. Por prapë thoshte: Do të kalojë edhe kjo... Së pari Atdheu! Do të vijë tjetri në vend të tij dhe do ta gjejë Teqenë e “teqjanët”, rregullin e autoritetin, rendin e qetësinë, por edhe luftën e papërfunduar. Të njohjes! Baba Mumin Lama i Gjakovës shkoi me shpresën e shuar. E mori me vete, të mos na rëndojë! Se nuk do të ketë “ymër” ta presë njohjen, përsëriste në vete. Ndonjë gotë në mbrëmjet e gjata pak e bënte më të zëshëm. Por, i dëshpëruar. Udhëhiqte një komunitet të mohuar. Në atdheun e vet. Atdheu me komunitet të mohuar! Frika nga mistika e besimit. Nga fuqia e tij! Nga çiltërsia e idesë! Në kërkim njohjeje. Krejt në duart e burrave e grave që ne i delegojmë për të na [mos]mohuar. Jepjani vendin e merituar.
Respektojeni Babanë post mortem!
Bëhuni krenarë me trashëgiminë nga gjyshërit tuaj. Krenohuni që flisni shqip, mendoni shqip, frymoni shqip. Krenohuni për Rilindësit tanë, për stemën e flamurin. Krenohuni me atdheun! Respektojeni Mëmëdheun! Bëjeni Ligjin!
Votojeni!
Pa Atdhe nuk ka Fe!