Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Ora e Gjergjit” me vargje, folklor e dhurata

Me poezi, folklor, muzikë “playback” e shkëmbim dhuratash i ka nisur Prishtina aktivitetet për të shënuar Vitin e Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar.

Holli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të hënën pasdite ka jehuar nga deklamimi i vargjeve në ngjarjen që është quajtur “Ora e Gjergjit”, me skenografi të thjeshtë, e përbërë prej një posteri, ku gabimisht është shkruar “550 Vjetë”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një numër i madh i poetëve nga të gjitha trojet shqiptare u ngjitën në foltore për të lexuar poezitë e tyre me emocion, duke i thurur lavde e ngrehur në piedestal një prej personazheve më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve.

Leximi i këtyre poezive u përcoll edhe me muzikë. Këngëtarja e njohur kosovare e muzikës popullore, Shkurte Fejza “ndezi” atmosferën me një këngë që po ashtu i kushtohej Heroit Kombëtar. Në këtë aktivitet, i cili mblodhi një numër të konsideruar të të pranishmëve në hollin e Bibliotekës, nuk munguan as djem e vajza të veshur me veshje kombëtare.

Ngjarje të tilla nuk ka se si të mos përcillen me një ton patriotik, i cili vërehet dukshëm edhe në leximin e poezive dhe mënyrës së të folurit. Një gjë të tillë e bëri edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, nën patronazhin e të cilit u mbajt “Ora e Gjergjit”, organizuar nga Bashkimi i Shoqatave të Shkrimtarëve Shqiptarë.

Viti 2018 është shpallur Vit i Skënderbeut nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Është i tillë në krejt trojet shqiptare. Në Prishtinë “Ora...” ishte aktiviteti i parë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)