Kulturë

Opera në letër, objekti kurrkah, koncert inaugurues

Në objektin e inauguruar më 1977 do të inaugurohet vendimi i themelimit të Operës së Kosovës. Me atë që e quajti “Konkurs për angazhim në koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës”, deri të martën Ministria e Kulturës priti konkurrentë për 101 pozita. Ka vend për 61 instrumentistë e 40 koristë. Kontrata, një muaj. Me koncert inaugurues shteti tha se do të testojë kapacitetet për institucionin e themeluar formalisht e për të cilin objekti duket larg

Një objekt për operë nuk duket as në horizont. Si institucion ekziston vetëm në letër. Por asnjëra prej këtyre s’e pengon shtetin që vetëm aktin e themelimit të Operës së Kosovës ta festojë me koncert inaugurues. Pa u bërë një muaj prejse u bë publike se hoqi dorë nga lokacioni për teatrin e operës dhe baletit “dr. Ibrahim Rugova” te Fakulteti Teknik – një projekt shembull i dështimit për dhjetë vjet e me një milion euro të shpenzuara kot – Ministria e Kulturës ka hapur atë që e ka quajtur “Konkurs për angazhim në koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës”. Deri të martën priti konkurrentë për 101 pozita. Ka vend për 61 instrumentistë e 40 koristë. Kontrata, një muaj. Do të ngjiten në një skenë të improvizuar në sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë. Në objektin e inauguruar më 1977 do të inaugurohet vendimi për të cilin në fillim të muajit të kaluar të këtij viti votuan deputetët e pushtetit e të opozitës.

Kuvendi i Kosovës më 3 gusht do t’ia jepte dritën jeshile propozim-vendimit të Qeverisë për themelimin e Operës së Kosovës si institucion i shërbimit të pavarur. Me 75 vota për dhe pa asnjë kundër apo abstenim, deputetët do t’i hapnin rrugën për krijimin e institucionit, të cilin vetëm Kosova nuk e ka pasur nga të gjitha vendet në rajon.

Teksa do të paraqiste propozim-vendimin, kryeministri Albin Kurti do të vlerësonte se themelimi i Operës shtyn përpara planin e Qeverisë për të mbështetur artistët në vend.

“Sot kemi këngëtarë e artistë nga Kosova që shfaqen në skena operistike botërore, por që në vend nuk kemi pasur ku t’i dëgjojmë”, kishte thënë ai.

Duke e konsideruar 2022-n si vit kur Opera do të hapë dyert për shfaqje, ai kishte thënë se artistëve e artdashësve në vend do t’u krijohet edhe infrastruktura e nevojshme. Duke folur për lokacionin e objektit të Operës, kryeministri Kurti kishte thënë se kjo çështje do të marrë kohë “derisa të zgjidhet një objekt që e pasuron Prishtinën në planin urban e atë arkitekturor”.

Por, për jo pak artistë një institucion tamam operistik është punë jo e vogël dhe disa qeveri radhazi kanë dështuar ta çojnë përpara një projekt për objekt opere e baleti.

Megjithatë, koncerti inaugurues do të mbahet më 25 tetor, në Ditën Botërore të Operës. Si solistë pritet të marrin pjesë edhe emra të shquar në skena ndërkombëtare që dolën nga vendi pa operë. “Opera Europa”, si organizatë lidere evropiane e ngjarjeve operistike, sivjet i ka ftuar vendet gjithandej, që këtë ditë ta festojë me moton “Opera Reboot”, si një thirrje për ringritje të këtij arti, në një periudhë të zorshme të pandemisë.

Ministria e Kulturës me koncert inaugurues thotë se do të testojë kapacitetet për institucionin e themeluar formalisht.

Liburn Jupolli, kompozitor e shpikës instrumentesh, në cilësinë e këshilltarit të ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, e arsyeton mbajtjen e këtij koncerti si dëshmi e përkushtimit për themelimin e një institucioni si Opera e Kosovës.

Ai ka thënë se koncerti ka një simbolikë të veçantë, të cilën e kanë planifikuar shumë më herët në mënyrë që institucionit t’ia hapin dyert qysh në fillim me strukturat tjera operistike në Evropë. Sipas tij, dita e koncertit është zgjedhur me arsyen që t’i jepet një shtytje institucionit në aspekt promovues dhe me zgjerim të miqve të strukturave operistike.

“I kemi marrë hapat e njoftimit me ‘Opera Europa’, që është një prej strukturave operistike që i mbledh dhe u ndihmon strukturave operistike në Evropë dhe po ashtu është organizatore e Ditës Botërore të Operës. Ne jemi në kontakt dhe kemi hyrë si institucion në listën e tyre dhe po ashtu kemi hyrë si koncert zyrtarisht në programin që zhvillohet në mbarë Evropën si njëri prej koncerteve të një institucioni të ri që është themeluar ligjërisht”, ka thënë ai.

Ka treguar se krejt hapat e deritashëm sa i përket koncertit janë bërë paralelisht me veprimet e ndërmarra për administratën e institucionit që pritet të finalizohet këtë vit.

“Kemi bërë edhe kërkesën për kod të veçantë buxhetor për Operën, siç i kanë kodet Filharmonia dhe Baleti. Kodi do të funksionalizohet gjer në fillimin e vitit të ardhshëm, ku do të kemi derën e hapur për ta pasur të njëjtin audicion pak a shumë, normalisht më të zgjeruar pasi struktura e administrimit të Operës është më e ndjeshme dhe më e gjerë dhe do të kërkohen profilet më të veçanta të operës”, ka thënë ai. “Me këtë do të mund të planifikojmë sezonin e parë në fillim të vitit të ardhshëm”, ka treguar menjëherë ai.

Sa i përket hapësirës që do të shfrytëzojë institucioni, ka thënë se tashmë veç i kanë disa propozime për lokacion. Sipas tij, në fillet e veta Opera nuk ka nevojë për ndonjë hapësirë të madhe.

“Opera do të shkojë me një strukturë solide kamertale fillimisht, ku gradualisht në çdo sezon do të rriten kapacitetet e do të shtohet repertori”, ka thënë ai.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se koncerti inaugurues do të tregojë se çfarë kapaciteti ka në Kosovë për themelimin e një institucion të pavarur krejtësisht sikurse Opera. Sipas tij, Filharmonia e Kosovës do të plotësojë pozicionet që nuk plotësohen me konkursin për angazhimin e artistëve për koncertin inaugurues.

“Është e natyrshme të ketë probleme fillestare kur dihet se ne në Kosovë nuk i kemi të gjitha resurset e këtyre profileve. Tash e 20 vjet në çdo koncert ne detyrohemi të huazojmë instrumentistë specifikë. Mendoj se edhe me këtë konkurs nuk do të plotësohen këto pozita”, ka thënë ai.

Sa i përket ndërtesës së Operës por edhe Filharmonisë, ai ka treguar se ka një nismë që krejt bashkë të vendosen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. Filharmonia e Kosovës nuk ka objekt të vetin. As Baleti Kombëtar i Kosovës. Vepron në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Është një proces që ka filluar me fillimet e Operës dhe unë si drejtues i Filharmonisë jam ftuar për ta parë nëse mund të vendoset edhe Filharmonia. Me këtë rast është përmendur që edhe institucioni i Operës që do të punojë me projekte, të kombinohet me Filharmoninë në ato hapësira derisa të ndërtohet objekti i shumë përfolur”, ka thënë ai. Koncerti që do të mbahet në fund të muajit që vjen pritet të nxjerrë në pah potencialin e vendit përfshirë edhe artistët e operës që jetojnë jashtë Kosovës. Komisioni për organizimin e koncertit inaugurues është në finalizim e sipër të programit.