Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Oh”- me ilustrimet që thumbojnë përditshmërinë

“Oh” që si pasthirrmë bart në vete shumë kuptime, në veprën e Arif Muharremit shndërrohet në një reflektim të së përditshmes me natyralitetin e shprehësisë gjuhësore. E tillë vjen nëpërmjet vizatimeve sa të thjeshta në dukje aq komplekse për nga përmbajtja. Zbret në përditshmëri duke përdorur të folmen krahinore. Libri i promovuar të hënën mbrëma në “Kino Armata” ka provokuar të pranishmit qysh në shfletim të parë.

Këtë ndjesi ia jep publikut përmes personazheve që ish-gazetari e aktivisti i kulturës i ka krijuar që nga viti 2013. Të gjitha ilustrimet kanë sinonim natën si periudhë kohore të frymëzimeve artistike, kur rutina dhe informacionet ditore hyjnë në gjumë.

Ironia, satira e simbolikat janë pjesë të pandashme të çdo vizatimi që shpalos sa me humor e sa me ton serioz e thumbues çështje nga rrafshi personal, kolektiv e deri te ai institucional. Kështu edhe hyn në çdo hallkë të jetës, diku përmes një të riu urban, një të moshuare, e diku përmes kafshëve, ushqimeve e formave të ndryshme që u jep shpirt. Rikthimi në rrënjët me dilemën e prejardhjes nga majmunët, perspektiva e këndvështrimet përtej vijave kufizuese, mallëngjimi i të moshuarve për kohën e shkuar, mosliberalizimi i vizave, pamundësia e frymimit lirshëm në Prishtinë për shkak të ngarkesës urbane janë veç disa nga temat. Krejt këto trajtohen duke bërë edhe përfshirjen e poezive, muzat e të cilave herë janë në gjuhën shqipe e herë në atë angleze. “Teh akshami” me lakuriqësinë e ndjenjave dhe frymën bohemiane të hapjes së mendjes, “Nge” me dashurinë ndaj qetësisë dhe përballjen individuale me botën natën, “Thinking seminars”, “Lucky strike refugee”, “Dead can dance” janë disa nga kalimet e ndjenjave të Muharremit në vargje.

Autorin vepra “Oh” e bën krenar, për shkak që, siç thotë vetë ai, s’është vepër e porositur për botim, por që ka lindur krejt natyrshëm.

“Kjo krijesë letrare ka lind hijeshinë që mundet me e zë vetëm nji spontanitet i lodhun i një hapsine pa puls që përpiqet me e ngre kryet përpjetë mrena nji vorbulle paradoksesh, ku njerëzit pshtojnë veç tuj u mahnitë me fajin, në sytë e të cilit vizatohet vetë jeta e tyne. ‘Oh’ është kanga e përpjekjes për me ikë nga ky sallon ondulimi”, shkruhet në kopertinën e veprës.

“Ideja është që vizatimet janë shumë organike, shumica dërrmuese janë të krijuara natën, pak para se me fjet, një lloj reflektimi i akumulimit të të gjitha lajmeve e informatave të ditës e shkarkimit personal”, ka thënë ai.

Tutje ish-gazetari i kulturës thotë se këtë vepër e ka sjellë si bashkëdyzim mes letërsisë dhe vizuales.

“Është një lloj i çuditshëm i zhanrit të letërsisë. Është një krijesë letrare që konsumohet me një frymë”, thotë ai, teksa vazhdon se “Oh” ka karakter çlodhës për lexues. “Janë të shkruara në gjuhën të cilën e flasim çdo ditë. Për ta pasur një lloj thyerjeje estetike kam futur edhe copëza të poezisë të shkruara më herët”.

Pavarësisht që emërtimi i veprës mund të ndjellë një lloj ndërlidhjeje me veprën “Oh” të Anton Pashkut, Muharremi thotë se shumëkuptimësia e ka shtyrë për një pagëzim të tillë.

“Kam mund ta bëj ‘eh’, ‘ah’ por ‘oh’ është më humane, meqenëse mund të përthekohet si reflektim i shumë emocioneve, habi, dhimbje e kënaqësi”, ka thënë ai. “Është përmbledhje e kujtesës kolektive dhe përditshmërisë, janë disa tema që përthekohen brenda”.

Në promovimin modest me tinguj muzikorë e me shpalosje të vizatimeve të përfshira brenda “Oh” në ekranin e madh të “Kino Armatës”, nuk munguan as komuniteti artistik.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, për KOHËN ka thënë se Muharremi është një nga aktivistët kulturorë më të shquar të vendit.

“Është një aftësi e veçantë e Arifit, një shkathtësi të dijë të shprehet me grafikë, vizatim, poezi e elemente të tjera që dinë të thumbojnë secilin nga institucionet e ndryshme te shoqëria, nga komunitetet të cilat ai i trajton me humor e mjeshtëri”, përfundoi Çeku.

E Kombëtar Ramadani në cilësinë e përfaqësuesit të botuesit në kuadër të “Defy Them Records” ka thënë se bashkëpunimi ka lindur që në shpalosje të idesë nga Muharremi.

“Veçantia e veprës është se nuk janë mësuar ta shohin më parë. Është alternative dhe sapo ta shohin thonë ‘Oh’ si reagim. E kjo e bën edhe më interesant në krahasim me ato që i lexojmë zakonisht”, u shpreh ai.

Gjatë e shfletoi veprën edhe Brikena Kurharyehasani, e cila sa qeshi e sa u thellua në kuptimin e përmbajtjes që ofronte vepra.

“I pashë ilustrimet, mu duk shumë i këndshëm, i kapshëm, një shpjegim i realitetit të përditshëm me ilustrime komike dhe për pak minuta më bëri për vete”, përfundoi ajo.

Artikuj të ngjashëm