Ferizaj, 28 shkurt - “Shitja ka filluar”, është mbishkrimi mbi posterin që qëndron i varur në katin e parë të objektit që tani është duke iu ndërtuar kati i katërt, pos atij përdhes.
Por, përderisa ndërtuesit i kanë vënë në shitje banesat, i gjithë objekti është duke u ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore dhe bie ndesh edhe me një vendim institucional, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërtesa e re është nja pesë metra larg objektit të Arkivit Historik që mbrohet me ligj si aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Komuna e Ferizajt ia ka dhënë të drejtën vetes që të mos përfillë vendimet e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Kësisoj, Komuna ka dhënë leje për ndërtimin e objektit që ia mbulon krejtësisht pamjen ndërtesës që para se të shërbejë si Arkiv ka qenë biblioteka “Anton Çetta”. Leja komunale fillimisht ishte marrë pa u pyetur fare institucionet e trashëgimisë kulturore. Por më pas nuk ishte përfillur as vendimi i Komisionit të Institutit të Kosovë për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Refuzohet kërkesa për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e objektit të banimit kolektiv me lokale afariste B+P+4, pasi që në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore, nenit 6, paragrafit 4 dhe 9, sipas të cilave monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë të mbrojtjes që është 50 metra nga perimetri i monumentit, dhe siç u tha më lart një projekt i tillë e konkurron atë vizuelisht si për nga etazhiteti ashtu edhe nga shtrirja, duke i cenuar vlerat e monumentit...”, shkruhet në vendimin e Komisionit të IKMM-së. Realisht ndërtesa e re nuk i bën konkurrencë monumentit, por e bën të pamundur të shihet ai nga prapa... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
