Tashmë institucioni më i lartë kulturor në vend ka shpallur konsorciumin fitues të projektit. Pritet që këtë javë të nënshkruhet kontrata dhe të bëhet publik projekti ideor. Të paktën sipas tenderit, do një vit që të përgatitet projekti zbatues, pos pëlqimeve të institucioneve të trashëgimisë kulturore e lejeve për të nisur punimet. Kurse tenderi për punëkryerësin mbetet muhabet më vete pas sigurimit të projektit zbatues
Është dashur një vit që Ministria e Kulturës t’i dalë në krye sa i përket projektit ideor të Teatrit të Operës dhe Baletit. Tashmë institucioni më i lartë kulturor në vend ka shpallur konsorciumin fitues të projektit. Pritet që këtë javë të nënshkruhet kontrata dhe të bëhet publik projekti ideor. Të paktën sipas tenderit, do një vit që të përgatitet projekti zbatues, pos pëlqimeve të institucioneve të trashëgimisë kulturore e lejeve për të nisur punimet. Kurse tenderi për punëkryerësin mbetet muhabet më vete pas sigurimit të projektit zbatues.
Këtë muaj mbushet një vit prej kur menaxhmenti aktual i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte nisur tentativën e dytë për ta siguruar dokumentin bazik, planin ideor për Teatër të Operës dhe Baletit. Me vend të parë është vlerësuar “Big Partners Ltd & ALB Architect”. Vlerësimi i jurisë është më i lartë për një tjetër konsorcium, por pas ankesave, përzgjedhja rezulton ndryshe.
Tenderit ndërkombëtar “Zhvillimi i projektit ideor dhe të hollësishëm, të arkitekturës dhe të inxhinierisë, për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës – Ritenderim” ia kishin mësyrë katër kompani. Por prej shkurtit, kur ishte hapur, deri në shtator, MKRS-ja nuk ia kishte dalë që të merrte vendim për kompaninë që ka zënë vendin e parë në vlerësim.
Në fazën e parë, sipas dokumentacionit të lëndës, ishin kualifikuar tri kompani, kurse një nuk i kishte plotësuar kushtet për ta vazhduar më tej procesin. Më pas, pos vlerësimit të projektit ideor ishte vlerësuar edhe oferta financiare. Konsorciumi “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” qe vlerësuar me më së shumti pikë, 83.11 gjithsej, duke zënë vendin e parë. MKRS-ja kishte vendosur që për 2 milionë e 480 mijë euro t’ia jepte këtij konsorciumi tenderin për të vazhduar më tej me projektimin e ndërtesës.
Sipas vlerësimit, “Big Partners Ltd & ALB Architect” ka marrë 66.87 pikë dhe kishte zënë vendin e dytë. Kurse “MVRD & OUD ARCHITECT” qe eliminuar. Në dokumentacion figuron se nuk e kanë kaluar vlerësimin e ofertës financiare.
Por “Big Partners Ltd & ALB Architect” kishte bërë kërkesë për rishqyrtim të lëndës. Dhe vetë MKRS-ja i ka dhënë të drejtë. Ky institucion ka anuluar vendimin e shpalljes së rezultateve të thirrjes.
Menjëherë “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” ishte ankuar. Pasi ky konsorcium kishte marrë përgjigje negative nga MKRS-ja, kompanitë bashkëpunuese i ishin drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Kishin pretendime për shkelje të procedurave. Lënda është finalizuar në OSHP. Paraprakisht, eksperti Ilir Halili ka nxjerrë një konkluzion.
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si pjesërisht e bazuar, ndërsa të mbetet në fuqi vendimi i autoritetit kontraktues”, shkruhet në rekomandimin e ekspertit shqyrtues. Edhe vendimi i OSHP-së është në këtë frymë. Kësisoj, MKRS-së i është hapur rruga për të bërë përzgjedhjen dhe kontrata pritet të nënshkruhet këtë javë e po ashtu edhe të publikohet projekti ideor.
“Big Partners Ltd & ALB Architect” si konsorcium fitues nuk ka shpalosur shumë të dhëna me arsyetimin se lënda është ende në proces
Ka bërë të ditur se rreth një vit merr hartimi i projektit të detajizuar.
“Afati i kërkuar në dosje të tenderit ka qenë rreth 1 vit”, shkruhet në përgjigje.
Për projekt qenë paraparë 2.5 milionë euro. E sipas rezultateve të tenderimit, të publikuara nga MKRS-ja, konsorciumi fitues projektin do ta punojë për 2 milionë e 450 mijë euro.
Muajin e kaluar, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, kishte thënë se fatkeqësisht janë me vonesa tash e dy dekada.
“Shpresat i kemi te projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit si zgjidhje e përhershme”, ka thënë ai. Shpresojnë që ky projekt jetik të nisë ndërtimin sa më shpejt.
“Në Baletin Kombëtar të Kosovës do të ishte përtej një lajmi nisja e një projekti të tillë. Ne kemi performuar në vënien e një guri themeltar në vitin 2009, por fatkeqësisht ai projekt nuk eci para. Shpresojmë që së shpejti të performojnë për një gur themeli tjetër, por kësaj radhe në një projekt që do të realizohet”, ka thënë ai.
Paraprakisht në janar të vitit të kaluar, pas më shumë se një viti procedurë, shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës, ky institucion nuk ia kishte dalë që ta bënte hapin e parë për këtë projekt, të cilin shteti synon tash e dy dekada. Nëpërmjet vendimit, paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik kishte anuluar procesin e nisur në tetor të vitit 2022. Shpejt, në shkurt, kishte pasuar ritenderimi.
“Paneli shqyrtues, pas diskutimeve të palëve në këtë seancë dëgjimore dhe pas shtjellimit të provave dhe argumenteve të paraqitura, ka ardhur te konstatimi se në këtë aktivitet të prokurimit, me rastin e hapjes dhe vlerësimit të ofertave tenderuese të operatorëve ekonomikë, ka pasur elemente identifikuese që kanë zbuluar identitetin e ofertuesve dhe ky fakt është në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit dhe Ligjit për Prokurim Publik”, shkruhet në arsyetim të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, nëpërmjet të cilit u anulua krejt procesi.
Kanë qenë tri kompani në garë për projekt ideor: “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi, “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-ARCHITECTS’ SH.P.K”, kompani holandeze me arkitektin nga Kosova, Bekim Ramku, dhe “Big Partners LTd” me seli në Londër. Kompania gjermane mori më së shumti pikë në vlerësim e në rivlerësim. Por, pikërisht asaj i ishte zbuluar identiteti gjatë procesit.
Paraprakisht më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: Teatri i Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.
Në prill të vitit 2022 shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe Baletit.
