Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Një piano e katër duar me lojën intime muzikore

Koncertet e muzikës klasike ka kohë që mbushin sallat në kryeqytet. Por një gjë e tillë është e pritshme sidomos në rastet kur në një piano luajnë dy pianiste, shkruan sot Koha Ditore.

Nata e shtatë e festivalit ndërkombëtar “KamerFest” kishte rezervuar një gjë të tillë. Pianistet Lirika Pula-Kasapolli dhe Merita Rexha-Tërshana në koncertin “1 piano – 2 zonja – 4 duar” udhëtimin e veçantë me tinguj pianistikë e kanë nisur me “Sonatën op. 6 në D-dur” të Ludwig van Beethovenit.

Dy kohët e saj kanë qenë veç fillimi i koncertit të dyshes që pos kolege, kanë raporte edhe të mësimdhënëses me studente. Mbrëmja muzikore ka vazhduar me “Fantazinë D. 960 në F-mol” të Franz Schubertit, e konsideruar si njëra prej veprave më të mira që kompozitori austriak ka shkruar për piano me katër duar. Koordinimi i saktë i dy pianisteve ka bërë që të pranishmit të vlerësojnë lart performancën e tyre. Pa asnjë shkëputje për pauzë, dyshja ka vazhduar me “Suitën e Dollyt” të Gabriel Faure. E ndarë në gjashtë pjesë të vogla që në tërësi zgjasin 15 minuta, suita ishte shkruar nga kompozitori në kohë të ndryshme. I ishte kushtuar vajzës së tij ku secila pjesë ishte krijuar në raste të veçanta të jetës së saj.

“Vallet sllave” të kompozitorit çek Antonin Dvorak që kanë në qendër kulturën nacionale të hungarezëve e kanë përmbyllur këtë mbrëmje koncertale të premten mbrëma. Nëpërmjet tingujve të kësaj vepre dalin në pah shumë aspekte të kulturës hungareze. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).