Kulturë

Katër duar në një piano rrëfejnë muzikalitetin që buron nga shpirti

Katër duar në një piano rrëfejnë muzikalitetin që buron nga shpirti

Vovka Ashkenazy nga Islanda dhe Luca Rasca nga Italia kanë bërë bashkë talentet e tyre dhe si duo pianistike i kanë dhënë Prishtinës të enjten një mbrëmje madhështore, teksa Amfiteatri i Bibliotekës Universitare sërish ka kumbuar nga duartrokitjet pas çdo pjese që luhej

“Ushqim për shpirtin”, e ka cilësuar muzikën pianisti Vovka Ashkenazy, dhe një ndjesi si kjo e ka përshkuar krejt koncertin në të cilin interpretimi ka qenë si një lloj dialogu pianistik midis tij dhe Luca Rascas. Vetë pamja e katër duarve në një piano ka qenë një lloj koreografie më vete e repertori ka zbërthyer ngjyrat e muzikës botërore të gjenive, si Brahms, Debussy, Schubert e Rachmaninoff. Dyshja ka shkelur skena të njohura botërore e koncerti në “Chopin Piano Fest” ka qenë debutim edhe para publikut në Kosovë

Sa herë që një pianist përvjel mëngët përballë instrumentit, çdo zhurmë jep përshtypjen që ka një histori dhe një qëllim. Mirëpo kur në harmoni komplekse takohen katër duar në një piano, për veshin është një kulmim i pashmangshëm akustik. Këtë efekt kanë sjellë dy pianistë në vazhdën e netëve të muzikës klasike në kuadër të festivalit “Chopin Piano Fest”.

Vovka Ashkenazy nga Islanda dhe Luca Rasca nga Italia kanë bërë bashkë talentet e tyre dhe si duo pianistike i kanë dhënë Prishtinës të enjten një mbrëmje madhështore, teksa Amfiteatri i Bibliotekës Universitare sërish ka kumbuar nga duartrokitjet pas çdo pjese që luhej.

Ky edicion i 15-të i “Chopin Piano Festit” tashmë ka krijuar një rutinë, net të brishta me njerëz artdashës që nxitojnë t’i ndjekin të gjitha programet, duke soditur artistët me shumë ëndje deri në fund, për të kallëzuar në njëfarë mënyre se arti zanor lyp veshë e jo doemos përgatitje profesionale. Kësaj radhe e ndriçuar me bojë qumështi, me pianon e madhe në qendër të skenës, salla ka joshur jo pak spektatorë, të cilët kanë qenë entuziastë në pritje të nisjes.

Pianisti me shtetësi islandeze dhe ruse, Vladimir “Vovka” Ashkenazy, i cili është i biri i pianistit e dirigjentit sovjetik, Vladimir Ashkenazy, ka një karrierë ndërkombëtare si solist, muzikant kamertal dhe pedagog. Ai ka debutuar në vitin 1983 në “Barbican Centre” me Orkestrën Simfonike të Londrës dhe ka performuar në skenat më të rëndësishme të botës, përfshirë “Hollywood Bowl”, “Royal Festival Hall” dhe Operën e Sidneyt. Me përkushtim ndaj edukimit muzikor, Vovka është mësues në akademi me prestigj të lartë në Zvicër dhe Itali, duke bashkëvepruar me pianistë të rinj nga e gjithë bota.

Me të filluar gjysma e parë e programit, pianistët u ulën pranë njëri-tjetrit – Ashkenazy kah tastet që nxjerrin nota të larta, e Rasca përballë atyre që tingëllojnë ulët – dhe në harmoni të plotë ia mësynë pjesës “Sixteen Waltzes, Op. 39” të Johannes Brahmsit

Nxënës në Akademinë e Pianos në Imola të Italisë, Luca Rasca është fitues i shumë garave kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë “Konkursin Pianistik të Londrës”, “Busoni” në Bolzano, “Palma d’Oro” në Finale Ligure, “Schubert” në Dortmund, “Scriabin” në Grosseto, “Chopin” në Romë, “Città” në Treviso, “Casagrande” në Terni dhe “Viotti” në Vercelli.

Me të filluar gjysma e parë e programit, pianistët u ulën pranë njëri-tjetrit – Ashkenazy kah tastet që nxjerrin nota të larta e Rasca përballë atyre që tingëllojnë ulët – dhe në harmoni të plotë ia mësynë pjesës “Sixteen Waltzes, Op. 39” të Johannes Brahmsit. Lëvizjet e kokave dhe kraharorëve me ritmin e tingujve i kanë përcjellë ata te pjesa që është e frymëzuar nga poezia e Paul Verlaineit, “Petite Suite, L. 65”, e përbërë nga katër kohë –  “En bateau”, “Cortege”, “Menuet” dhe “Ballet”, me kompozitor Claude Debussy.

Gjysma e dytë ka nisur me shumë duartrokitje teksa pianistët kanë ndërruar vendet njëri me tjetrin, duke krijuar edhe një herë harmoni me gishtat e tyre. Pjesa “Fantasia for piano f-mol, D. 940” e Franz Schubertit i ka prirë setit “Six Morceaux, Op. 11” të Sergei Rachmaninoffit me gjashtë kohë: “Barcarolle”, “Scherzo”, “Theme Russe”, “Valse”, “Romance”, “Slava”. Pesë prej tyre i kanë realizuar në piano të pozicionuar në vendet e ndërruara, ndërsa për kohën “Romance”, krejt në fund sërish kanë marrë ulëset e tyre paraprake.

Për pianistin Ashkenazy është hera e parë që performon në festival, një herë dhe hera e parë që gjendet në Prishtinë, e muzikën e ka quajtur “ushqim për shpirtin”.

“Ishte një kënaqësi e madhe të performojmë sonte, audienca ishte e ngrohtë, e çmueshme dhe e ka shijuar mbrëmjen shumë. Është hera ime e parë në Prishtinë, bashkë me të edhe hera e parë në këtë festival. Muzika është vetë jeta ime, ushqim për shpirtin tim, prandaj këto pjesë nga Schuberti dhe Rachmaninoff kanë shumë rëndësi për mua”, ka thënë Vovka Ashkenazy për KOHËN pas përmbylljes së koncertit.

Si për t’i përforcuar fjalët e mikut të tij, ngjitur me të ka folur bashkëpianisti italian Rasca, duke e theksuar shqetësimin e tij se si do të shkonte nata.

“Edhe për mua është hera e parë në Kosovë, publiku ishte i mrekullueshëm, gjithashtu akustika dhe pianoja, sepse brengoseshim se mund të mos shkonte gjithçka në rregull, por ndodhi e kundërta: çdo gjë ishte për mrekulli. Pjesët muzikore që luajtëm ishin të përsosura dhe jemi të kënaqur me gjithçka”, ka treguar Luca Rasca.

Kur u pyetën nëse do të kishin dëshirë të merrnin pjesë prapë në edicionet e ardhshme të festivalit, ata u përgjigjën njëzëri: “Shpresojmë, shpresojmë...”.

Koncerti i mbrëmjes të së enjtes është bashkëpunim me mbështetje edhe nga Ambasada e Italisë në Prishtinë dhe nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Nga ulësja e rehatshme e shikuesit, ambasadori i ri italian, Maurizio Antonini, e ka përcjellë ngjarjen dhe ka treguar edhe përshtypjet e tij.

Gjysma e dytë ka nisur me shumë duartrokitje teksa pianistët kanë ndërruar vendet njëri me tjetrin, duke krijuar edhe një herë harmoni me gishtat e tyre

“Ishte një performancë e mrekullueshme, është hera e parë që dukem në këso lloj paraqitjesh dhe them se ishte shumë interesante. Më pëlqeu shumë programi, sidomos pjesët nga Debussy dhe Rachmaninoff, dhe gjithashtu më la përshtypje salla, në të cilën vij për herë të parë dhe mendoj se është shumë e bukur. Organizatorët kanë një dashuri të madhe për muzikën, andaj si program është i mrekullueshëm, ngjarje madhështore dhe jemi krenarë të marrim pjesë e të kontribuojmë në këtë festival”, ka thënë për KOHËN ambasadori Antonini.

Duke spikatur shpresën që Kosova t’i ngjitet së shpejti Bashkimit Evropian, ai ka treguar edhe rëndësinë e këtyre koncerteve nga artistë evropianë që luajnë kompozime evropiane.

“Pianisti italian i luajti pjesët nga kompozimet e artistëve evropianë dhe është gjë e mirë kjo, sepse Kosova një ditë do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian – uroj së shpejti – dhe në këto koncerte janë artistët nga Evropa që luajnë kompozime evropiane nga kompozitorë evropianë, andaj krejt ideja sillet rreth Evropës dhe për këtë arsye jemi shumë të lumtur të jemi të pranishëm në këtë ngjarje”, ka shtuar ambasadori.

Gati gjysma e koncerteve nga 15 sa janë gjithsej në këtë edicion të “Chopin Piano Fest” kanë parë dritën e skenës, derisa pritet të mbahen edhe tetë të tjera në netët e ardhshme deri më 9 qershor. Duke rikthyer me solemnitet performancat e muzikës klasike, tok me kënaqësinë e patjetërsueshme të dëgjuesit, festivali që sivjet shënon vit jubilar cak i ka talentet e reja premtuese dhe net si kjo janë shenja se dashuria ndaj artit nuk njeh kombësi e profesion.