Kulturë

“Një amerikane në Kosovë” me përvojën e studiueses për “ekzotikët”

Në verën e vitit 1980, pavarësisht paragjykimeve që kishte dëgjuar, nga Maqedonia do të hynte në Kosovë. E koha e kaluar në Ferizaj e rrethinë, bashkë me takimet që kishte edhe në Prishtinë në atë që ishte ansambli profesional i këngëve dhe valleve “Shota”, tash ansambël kombëtar, bënë që studiuesja e re të vendoste për të ardhmen e saj në profesion. Do të kthehej në Kaliforni, do të pajisej me bursë e t’ia mësynte Kosovës. Në vitet ’90 Reineck (68) do të vinte në Kosovë me mision humanitar. Krejt kujtimet e saj bashkë me detajet tejet ilustruese i ka përmbledhur në librin “Një amerikane në Kosovë”, që e ka rikthyer këtu

Në fund të viteve ’70, Janet Reineck qe studente e etnologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles. Interesimet e saj për kultura të ndryshme tejkalonin kufijtë e Shteteve Bashkuara të Amerikës. Thjesht, kontinenti i saj ishte i vogël për interesimin ambicioz për të studiuar kulturat e huaja. Do të bënte xhiro nëpër Evropën Juglindore. Fillimisht në disa prej shteteve më të kamura të ish-Jugosllavisë. Por Reineck nuk po binte në atë që kërkonte. Ende nuk e kishte bërë për vete ndonjë specifikë për të cilën do t’i përvilte mëngët për ta studiuar.

Gjatë udhëtimeve në ish-Jugosllavi, do të niste të shihte shqiptarë, që, siç ka përshkruar ajo, shisnin filigran në tregjet e rrugëve të Maqedonisë, xhelato në bregdetin kroat dhe misër të pjekur në cepat e rrugëve të Serbisë.

“Kishte diçka krejtësisht josllave te këta njerëz: mollëzat e larta dhe të mprehta, sytë e përhumbur të gjelbër dhe ngjyrë lajthi, kaq të bukur e të një bote tjetër”, përshkruan ajo.

Në verën e vitit 1980, pavarësisht paragjykimeve që kishte dëgjuar, nga Maqedonia do të hynte në Kosovë. E koha e kaluar në Ferizaj e rrethinë, bashkë me takimet që kishte edhe në Prishtinë në atë që ishte ansambli profesional i këngëve dhe valleve “Shota”, tash ansambël kombëtar, bënë që studiuesja e re të vendoste për të ardhmen e saj në profesion. Do të kthehej në Kaliforni, do të pajisej me bursë e t’ia mësynte Kosovës.

Krejt kujtimet e saj bashkë me detajet tejet ilustruese, Janet Reineck i ka përmbledhur në librin “Një amerikane në Kosovë”, botuar nga “Cuneus”, i cili është promovuar të enjten në Bibliotekën Kombëtare në Kosovë. Audienca e saj ishin miqtë e vjetër nga Kosova, familje nga Prishtina, Rugova, Hasi, Opoja, Vitia e hapësira të tjera të shtetit më të ri në Evropë. Janë njerëz tek të cilët ka qëndruar me javë e muaj. Ka qëndruar për të hyrë thellë në jetën e zonave të ndryshme. Fascinohej se si një vend krejt i vogël – siç shkruan ajo, sa një fermë e Teksasit – numëron 16 krahina etnografike. Rugova, Hasi e sidomos Opoja do ta bënin për vete.

Në shqip, Reineck ka treguar të enjten se pasi iu lejua ardhja në Kosovë pas qetësimit të gjendjes nga demonstratat e vitit 1981, ishte kënaqur nëpër fshatrat e vendit.

“Kam qëndruar një javë në dasmë. Nusja e dhëndri kishin tre vjet të fejuar. Kam qëndruar me nusen derisa i ka ardhur burri në dhomë. Ajo dridhej...”, ka thënë ajo, derisa ka folur për kujtimet e saj në Opojë. Jetën në Kosovën e asaj kohe, sidomos në zona të thella ku ende traditat ishin në fuqi, e përshkruan në detaje. Duke nisur nga Rugova, në libër ajo tregon hollësi të diskutimeve me burra pas darkës, punën e grave, sfidat në shkollim, e deri te tradita e dasmave. Të njëjtën e bëri në Opojë. Kishte qëndruar në fshatin Bellobrad. Ajo zonë e kishte bërë për vete.

“Tash është çlirua jeta atje. Por kafet prapë janë për burra”, ka konstatuar ajo. Derisa ka kujtuar Opojen e viteve ’80, ka thënë se vishte kule, bisedonte me burrat e me gratë.

“Kam mujtë me hy nëpër oda me u ulë këmbëkryq. Kam mujtë të bëj muhabet si burrë. Të flasim për histori, tradita e gjëra të tjera”, ka rrëfyer ajo.

Janet Rreineck numëron mbi dy mijë fotografi nga jeta e atëhershme në Kosovë. Posedon po ashtu shumë orë incizime të dasmave e ahengjeve të tjera. Kishte përgatitur një temë magjistrature veç me kulturën e disa zonave të Kosovës. Por nuk i mjaftonte kaq. Do të merrte prapë bursë dhe do t’ia mësynte Kosovës. Tashmë për doktoratë. Migrimi dhe efekte e tij ishin tema e saj. Do të vinte në përfundim se ata që kanë migruar do të ishin edhe më konservatorë e patriotë sesa familjet e tyre që kishin ngelur në Kosovë. Libri i saj nëpërmjet perspektivës së një amerikaneje ndalet në detaje të holla.

“Kam dëshirë që ata që janë në diasporë ta lexojnë këtë libër dhe t’i shohin traditat e vendit të tyre, kulturën e tyre”, ka thënë Reineck. Ka nënvizuar se jo krejt traditat janë të mira.

Në vitet ’90 do të vinte prapë për ta përmbushur qëndrimin e saj prej 8 vjetësh në Kosovë. Por kësaj radhe në një mision humanitar për rregullimin e shkollave në Komunën e Vitisë. Roli i saj do të ishte shumë më i madh: propagandonte për shkollimin e vajzave. Kishte arritur deri në atë pikë, sa për këtë çështje do të shkonte në Zvicër.

“Kishte vajza që i kishin prindërit në Zvicër. Ata duheshin bindur se vajzat e tyre duhet të shkollohen. Kam organizuar një takim në Zvicër dhe u kam thënë: ju jetoni në kulturë perëndimore e ato doni t’i lini sikurse në Arabi?”, ka rrëfyer ajo. Para pak ditësh ka mbushur 68 vjet. Zellin për Kosovën e ka të njëjtë. Duket se është aktiviste në shpirt. Libri e shpjegon vullnetin e saj në detaje.

Botuesi i librit, profesor universitar i antropologjisë, Arsim Canolli, ka thënë se që prej vitit 1981, Reineck i ka dhënë Kosovës njëherë dhurata akademike, studime e shkrime, pastaj ndihmë humanitare në vitet ’90, më pas informacione opinionit amerikan e këtë vit Kosovës ia sjell edhe librin e saj me kujtime.

“Ajo u kthye e rikthye në Kosovë. Është prapë këtu në dekadën e saj të pestë në Kosovë, duke vizituar fshatra e qytet, duke dashur ta njohë Kosovën, tash të pavarur, vendi ku u sprovua intelektualisht e shpirtërisht”, ka thënë Canolli, i cili para të pranishmëve ka bërë një paraqitje të librit të Reineck e të biografisë së saj.

“Në fshatra për nder të saj sot kemi emra Janet. Dikujt mund t’i duket e çuditshme, por kjo është një veti kujtesore e shqiptarëve për miqtë e tyre dhe me këtë veti shprehet e domethënësohet një virtyt i lashtë nderimi”, ka thënë ai.

Janet Reineck në vitin 1997 do të dëbohej nga Kosova me urdhër të regjimit serb. Por interesimet e saj për vendin ballkanik nuk janë ndalur kurrë. Do të kthehej pak pas luftës për të parë se si është situata. E rikthimi i këtij viti është bërë pas dy dekadave. Ka treguar se është e impresionuar nga zhvillimi jo veç infrastrukturor. Ka thënë se ndryshimi në krejt asketet e jetës është shumë i madh.

“Por migrimi është shumë i madh. Nuk mund ta marrë me mend në Kosovën e lirë të bëhet i gjithë ky migrim. Zonat si Opoja duhet të vizitohen shumë më shumë, të ketë jetë aty”, ka thënë ajo. Ka shprehur çudi se si mërgimtarët ndërtojnë alamet shtëpish në fshatrat e tyre e ato shfrytëzohen veç për pushime. Ka thënë se ato janë simbolikë e të fortit e të pasurit.

“Por më mirë është të investohet në prodhim, zhvillim, punësim...”, ka këshilluar Jainet Reineck.