Qytet i vogël, me zemër të madhe dhe karakter shumëngjyrësh, është një prej përshkrimeve që i bëhet jo rrallë kryeqytetit të Kosovës, veçmas nga të huajt. Mesazhi i ngjashëm është përcjellë në forma të ndryshme edhe të mërkurën gjatë promovimit të brendit dhe platformës turistike për kryeqytetin.
Në aktivitetin e mbajtur në “Kino Armata” është prezantuar ecuria e krijimit të kësaj platforme dhe është lasnuar uebfaqja “InPrishtina.com”. “Prishtina është shtëpia jote”, është slogani i kësaj platforme që synon të sjellë shumëllojshmërinë dhe dinamikën e Prishtinës. Duke i qëndruar besnik këtij qëllimi është realizuar edhe logoja e cila ka bashkëdyzuar shkronjën “P”, që simbolizon Prishtinën, “I”, që simbolizon “Informimin” dhe simbolin e zemrës, për të shprehur dashurinë që kanë njerëzit e kryeqytetit dhe gjithë kjo është bashkuar edhe me pamjen e një njeriu që tregon “mikpritjen” dhe gatishmërinë për të ndihmuar këdo që ia mësyn kryeqytetit.
Logoja që ka bërë bashkë të gjitha këto kuptimësi është realizuar edhe me ngjyra të ndryshme për të shprehur kështu karakterin shumëngjyrësh të Prishtinës dhe në të njëjtën kohë të ketë edhe karakter informues. Në fakt, logon brenduese të platformës informuese turistike të Prishtinës, Komuna e kishte prezantuar qysh në qershor, në 21-Vjetorin e Çlirimit, kur edhe kishte paralajmëruar lansimin e platformës. Në “InPrishtina.com” ka përmbledhur veçantitë e Prishtinës duke prekur shumë dimensione të jetës në kryeqytet përmes përshkrimit dhe imazheve. Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, ka thënë se Prishtina përveç nevojës për investime kapitale duhet të krijojë edhe një ofertë më të mirë turistike. Ajo tutje ka treguar se ky brendim turistik i Prishtinës ka nisur qysh nga viti i kaluar si nevojë e zbatimit të strategjisë së turizmit për të zhvilluar produkte dhe projekte që e stimulojnë turizmin në qytetin e Prishtinës dhe promovimin e tij.