Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Nisin përgatitjet për shfaqjen “Ardhmëria e Ndritshme”

Në Teatrin e Gjilanit po zhvillohet procesi i realizimit të shfaqjes satirë “Ardhmëria e Ndritshme” nga Eric Coble, me regji nga Shkelzen Berisha. Shfaqja pritet të ketë premierë në qershor.

Kjo komedi shumë e zezë cilësuar si krijim goxha i rrallë, na rrugëton nëpër çështje e tema aktuale, origjinale dhe me shumë rëndësi sociale, ku çmenduria e kulturës bashkëkohore për përkatësi shtresore në shoqëri arrin të çojë individët në veprime alogjike e skajshmërisht ekstreme vetëm për të hipur në trenin e suksesit pa stacion.

“Gëzim dhe Xhensila Gashi janë një çift i klasës së mesme dhe jo aq të pasur, të cilët me çdo kusht duan të mbajnë hapin me prindërit e tjerë modern e të pasur, disa nga të cilët i takojnë në park. Për të arritur këtë hap, nënkupton se ata duhet ta regjistrojë djalin e tyre tre vjeçar, Gjinin, në kopshtin ‘Ardhmëria e ndritshme’, para-shkolla më luksoze dhe më e suksesshme në qytet. Kopsht ky, i cili siguron se 98% e nxënësve që mbarojnë aty, në të ardhmen arrijnë të pranohen në universitetet më prestigjioze dhe më të shtrenjta. Do të thotë, ardhmëri e ndritshme për ta. Megjithatë, Gjini i familjes Gashi, ka mbetur në listën e pritjes për t’u regjistruar, një hap mangu për të plotësuar ëndrrat e prindërve”, është shkruar në sinopsisin e shfaqjes.

Regjisori Berisha, i cili në çdo shfaqje krijon tablo mjaft të pasura e mbresëlënëse dhe ansambli shumë dinamik i artistëve të Gjilanit, po punojnë për të sjellë përpara publikut një shfaqje shumë të gjallë e me larmi brezash dhe zërash. Me Aurita Agushin, Avni Shkodrën, Safete Mustafën, Kaltrina Zenelin, Gani Rrahmanin dhe Emine Toskën, asistent regjie Artan Selimi. Ndërsa për pjesën vizuelo-zanore do të përkujdesen Bekim Korça (skenograf); Trimor Dhomi (kompozitor); Alma Krasniqi (kostumografe).