Kulturë

Nga epoka e barokut deri në shekullin XX nëpërmjet tingujve të kitarës

Janë kompozime të kohës së barokut e deri tek ato të shekullit 20 që jehuan në oborrin e Qendrës për Praktikë Narrative në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”. Të luajtura në kitarë nga dyshja Tringa Sadiku dhe Torrin Williams, veprat e kompozitorëve të njohur ia shtuan edhe më ngrohtësinë ambientit përreth.

Dyshja e filloi udhëtimin e tyre nëpër tinguj në kohën e Barokut, me vepra të kompozitorit francez Jean-Philippe Rameau dhe atij italian Domenico Scarlatti, të cilët ishin bashkëkohës dhe megjithëse nuk u takuan kurrë, kompozimet e tyre janë disi të ngjashme. Mbrëmja vazhdoi me kompozime të shekullit 20, ku Sadiku dhe Williams kishin përzgjedhur pjesë që në thelb kanë edhe muzikën popullore.

“Les tendres plaintes”, e cila ishte vepra e parë që u interpretua, është një kompozim i njohur nga Jean-Philippe Rameau, një kompozitor francez i epokës së barokut. Është pjesë e koleksionit të tij të titulluar “Pièces de clavecin”, i cili përbëhet nga disa vepra. Kompozimi përmban zbukurime të ndërlikuara, melodi të këndshme dhe një ndjenjë intimiteti që kap thelbin e titullit të saj. Pjesa vlerësohet shpesh për ndjeshmërinë dhe mënyrën se si mishëron estetikën e periudhës së barokut francez.

Sadiku ka folur më tepër sa i përket përzgjedhjes së një programi të tillë. Ka theksuar se edhe gjatë diskutimeve për veprat që do t’i interpreton dyshja çdoherë prioritet e kishte publikun.

“Kemi vendosur ta bëjmë në laramani të programit dhe ideja ka qenë që të ketë edhe folk, sepse Torrin është befasuar kur ka dëgjuar muzikë folk të Kosovës dhe jemi inspiruar, kemi marrë edhe himne Ashkenazi të hebrenjve si pjesë të koncertit po ashtu edhe muzike e inspiruar nga folku spanjoll. Kjo ka qenë ideja dhe në fund ta bëjmë bashkë audiencën me neve dhe kjo ishte ndjenja më e mirë e tërë koncertit”, ka thënë Sadiku.

“Le rappel des oiseaux” është një tjetër kompozim i Rameau nga koleksioni “Pièces de clavecin”. Është një vepër që kap tingujt dhe ritmet e këngës së shpendëve dhe ambientit në oborrin e Qendrës për Praktikë Narrativë i shkonte shumë për shtati.

Williams, që i ka transkriptuar veprat për kitarë, ka thënë se me këtë program e kanë pasur për qëllim që të komunikojnë sa më mirë me publikun nëpërmjet tingujve.

“Në procesin e përzgjedhjes së muzikës për këtë program i kam transkriptuar edhe shumë prej veprave për kitarë. Kemi dashur që të sjellim epoka të ndryshme dhe po ashtu që ta kemi një element vallëzimi gjatë tërë koncertit qoftë ai nga epoka e barokut e deri më tash”, ka thënë Williams.

Fillimisht dyshja e filloi perfomancën në ballkonin e objektit të Qendrës dhe më pas zbriti poshtë në mënyrë që të jenë më afër publikut. Luajtën katër sonatat e kompozitorit italian Domenico Scarlatti, të cilat karakterizohen me kalimet e shpejta dhe shfaqin një karakter të gjallë, me ritme që imitojnë tingujt e formave spanjolle të kërcimit.

Edhe pse për Tringa Sadikun kjo nuk është herë e parë që po luan në këtë ambient, ka thënë se është çdoherë kënaqësi të rikthehet. Ka përmendur që kësaj here me dëshirë e ka ftuar edhe Williams dhe si dyshe të performojnë para publikut në Prishtinë.

“Tepër bukur! Kur erdhëm para publikut dhe e pamë se aq shumë njerëz ishin mbledhur dhe atmosfera ishte shumë e mirë dhe secili i buzëqeshur, shumë na ka dhënë ngrohtësi dhe shumë ndjenjë e mirë me u kthye në shtëpi përsëri. Vitin e kaluar performanca ka qenë bashkë me Agona Shportën si pjesë e bienales ‘Manifesta’ dhe ajo ka qenë java ku edhe unë, edhe Agona kemi shkuar për studime në dy shtete të ndryshme jashtë Kosovës. Këtë vit kur erdha për pushime ende e kisha dëshirën që të luaja sa herë që të më jepej mundësia, sepse është vendi ku ndihem më rehat. Pas një takimi me Nitën e menduam që të kthehemi bashkë me Torrin dhe shumë jam e lumtur që ka ndodhur ky projekt”, ka thënë Sadiku.

“Prayer” e Ernest Bloch është një kompozim prekës dhe introspektiv nga koleksioni i tij ‘Jewish life’. Kjo vepër është shkruar për violonçel dhe piano dhe pasqyron lidhjen e thellë të Bloch me trashëgiminë e tij hebraike. Kompozimi fillon me një melodi lirike të violonçelit që ngjall ndjenja të qeta dhe tingëllimi në kitarë ia shtonte edhe më tepër ndjeshmërinë veprës.

Për të futur atë në programin e koncertit, Williams ishte inspiruar nga vizita e tij në Kosovë.

“Kjo është shumë më personale se që kam përjetuar ndonjëherë, ka të bëjë diçka me pemët dhe dritat në këtë oborr që të bëjnë të ndiesh një lidhje të ngushtë me publikun, i cili është afër teje e ka bërë këtë koncert shumë personal, mendoj se publiku është mbajtur në secilën notë”, ka thënë Williams.

Enrique Granados ishte një kompozitor dhe pianist i njohur spanjoll. Sadiku dhe Williams mbrëmjen e së mërkurës luajtën edhe pjesë të një ndër veprave të tij të shquara, “Danzas Españolas” (Vallet spanjolle), një koleksion i pjesëve të pianos që kapin traditat e pasura dhe të gjalla muzikore të Spanjës. Derisa paraqitjen e tyre e përmbyllën me po atë kompozitor që e përfunduan, Jean-Philippe Rameau. “Les Sauvages” është një pjesë e famshme nga opera-baleti i Rameau “Les Indes galantes”, i cili u interpretua për herë të parë më 1735 dhe një pjesë e shkurtër e tij edhe nga dyshja Sadiku dhe Williams.

Që të dy janë studentë në “Kunstuniversität” në Graz të Austrisë. Kanë mundësi të mësojnë nga një prej kitaristëve të njohur botërisht, Petrit Çeku, në klasën e të cilit e kanë ushtruar programin me të cilin janë paraqitur para publikut në Prishtinë.

“Ne jemi bashkë në klasën e Petrit Çekut në Graz dhe atje gjatë tërë vitit kemi bashkëpunuar me Petritin për ta bërë këtë performancë”, ka thënë Sadiku.

Menaxherja e programit në Qendrën për Praktikë Narrative, Nita Deda, ka treguar më tepër rreth koncerteve të mbajtura në këtë sezon. Atë të dyshes e ka vlerësuar si magjik.

“Krahas aktiviteteve të tjera në Qendrën për Praktikë Narrative kemi pasur edhe një seri të koncerteve. Koncertet për këtë vend më shumë i kemi pasur të muzikës klasike ose koncerte eksperimentale, e kemi pasur Robert Bishën për shembull që ka qenë në një koncert të pianos sonte, e kemi pasur Tringaq Sadikun me kolegun e saj Torrin Williams, që e kanë një duo, këta të dy janë studentë në Graz dhe shumë i bukur ishte sonte koncerti”, ka thënë Deda.

Koncerti ka zgjatur për më tepër se një orë për t’u lënë rrugë koncerteve të tjera të muzikës klasike, të cilat Deda i ka lënë befasi për adhuruesit e kësaj muzike.