Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, është përjetësuar në bronz në vendlindjen e saj, në Pagarushë të Malishevës. Me ceremoni solemne të shtunën, nën tingujt e “Bareshës”, është zbuluar busti i saj. Vepra e Agon Qoses paraqet imazhin e saj në skenë, sepse njashtu do të kujtohet ndër gjenerata si bartëse e thesarit të trashëgimisë muzikore shqipe
Në të gjallë, me këngë e himnizonte peizazhin e vendlindjes. Prehja aty kishte qenë edhe amaneti i Bilbilit të Kosovës. Gati tre vjet pas vdekjes, po aty, në fshatin Pagarushë të Malishevës u vendos edhe busti i Nexhmije Pagarushës. Ikona e këngës shqipe të shtunën u kujtua për trashëgiminë krijuese që la pas, si thesar i këngës shqipe.
Nuk është dashur të jetë datë e shënuar, e shtuna e 21 tetorit për ta kujtuar figurën e asaj që njihet edhe si primadona e këngës popullore. Melosi i saj e mban të freskët kujtimin për të. “Baresha” shpesh ngjan të luhet në skenën muzikore të vendit. I përshtatet secilit stil. Në atë klasik është interpretuar gjithandej.
Tingujt e “Bareshës” kanë qenë edhe sfondi i përurimit të bustit të saj. Ndonëse jo e qëllimtë edhe zgjedhja e imazhit të Pagarushës për gdhendjen e figurës së saj në bronz ndërlidhet me këtë këngë. Sipas autorit të bustit, skulptorit Agon Qosa, modeli në të cilin është bazuar dhe e ka parë më të përshtatshmin, ka qenë një fotografi pasi ishte lansuar “Baresha”. Me melodinë e saj, luajtur me violonçel nga Bleta Martinaj, i është hequr mbulesa e kuqe për ta bërë të përjetshëm imazhin e figurës së shquar të muzikës shqipe. Më pas, katër pëllumba janë liruar për në qiellin e Pagarushës.
Nexhmije Pagarusha rikthehet në vendlindje në formë artistike. E rrethuar me një kopsht që mundohet t’i përafrohet peizazhit që në tekstet e saj jo rrallë është përshkruar. Pos parkut të rregulluar si një lloj kompleksi, fytyra e saj qëndron përballë fushave që ngrihen para saj. Një shami e valëzuar përshkon kokën e saj me flokët paksa zbuluar. Prej aty formohet një rreth prej fijes së hollë që ia hijeshon ballin me bizhuteritë tradicionale. Në formë harkore bashkojnë edhe dy anët në pjesën e përparme. Me ngjyrë të kuqe e veshur, është krejt e zbukuruar deri në detaje me ngjyrë ari. Stili i saj ishte unik. Ajo përshtatet edhe veshjen e tematikën e këngëve. Kësisoj, në bust shfaqet imazhi i këngëtares në skenë.
Imazhi i saj në vepër artistike kishte zgjuar interes të madh te publiku që ishin mbledhur për të përcjellë ngjarjen. Këngët e saj kanë jehuar deri larg në pritje të udhëheqësve institucionalë.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, pas zbulimit të bustit, ka thënë se Nexhmije Pagarusha e ka bërë krenare vendlindjen me melosin e saj artistik.
“Ndihem jashtëzakonisht krenar dhe i lumtur që kam rastin, bashkë me ju, të shpalosim bustin e një artisteje të madhe, të të gjithë trevave tona shqiptare. Jo veç Pagarusha, por edhe Malisheva do të jetë krenare me veprën artistike të artistes së madhe që tashmë i ka kaluar kufijtë administrativë”, ka thënë Kastrati.
Simbolike për të ka qenë vetë mbledhja për të përuruar bustin kushtuar këngëtares, që siç ka thënë, bashkonte me art.
“Edhe sa ishte gjallë ka mbledhur e bashkuar njerëz që e kanë dashur muzikën, kulturën e atdheun në përgjithësi. Këtë e ka bërë edhe pas vdekjes së saj me krijimtarinë e saj artistike”, ka thënë Kastrati.
Projekti i realizuar kap shifrën prej 47 mijë eurosh. Janë mjete të grumbulluara nga mërgimtarët, banorëve dhe donatorëve të tjerë. Kompleksi në hyrje të fshatit Pagarushë përfshin bustin dhe parkun, të cilin Komuna e Malishevës ka përkrahur me 8 mijë e 500 euro. 21 mijë euro ka qenë shuma vetëm për bustin, mjete të cilat janë ndarë krejtësisht nga mërgimtari i fshatit, Enver Kryeziu.
Brenda rrethojave të parkut gjendet edhe pllaka ku është gdhendur një pjesë e veprimtarisë së saj.
“Ajo mbahet si mbretëresha e muzikës shqiptare. Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është e shumëllojshme. Përveç muzikës ajo u mor edhe me aktrim. Në vitin 1948 u pranua soliste në Radio Prishtinë. Mendohet se Nexhmije Pagarusha ka interpretuar mbi 150 këngë”, është një copëz biografie që e njofton publikun me figurën e Pagarushës.
“Vetëm me angazhim të madh mund të ndërtojmë një shtet çfarë u ka hije shqiptarëve dhe të jetojmë të lumtur”, parafrazohet në fund të pllakës një thënie e saj që vjen si mesazh për vizitorin.
Idenë për realizimin e bustit fillimisht e kishte dhënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi. Këngëtaren Pagarusha e ka quajtur si një prej vajzave epokale të Kosovës e cila mbetet gjallë me trashëgiminë e saj artistike.
“Sot ne jemi më tepër krenar pasi vumë në vend një amanet të Nexhmijes për Pagarushën. Ajo kërkoi thjesht një varr, kurrë nuk mendonte të kishte një bust. Dhe ajo do të ishte tepër krenare po ta merrte vesh se në të ardhmen do të kujtohej në mënyrë të tillë. Pjesëmarrja kaq masive e njerëzve këtu, tregon se ajo nuk ka vdekur, ajo është në zemrat e të gjithë neve këtu”, ka thënë Minxhozi para të pranishmëve.
Është shprehur i lumtur me praninë e publikut goxha në numër, për të parë se “Nexhmija nuk ka ikur, por është e gjallë me këtë bust kaq të bukur”.
“Pagarusha ka qenë frymëzimi i Nexhmije Pagarushës në gjithë historinë e saj. Gjithmonë fliste me një madhështi të jashtëzakonshme dhe thoshte se si Pagarusha nuk ka asnjë vend. Dhe me gjithë mend kur vjen në një terren kaq të bukur gjeografikisht, mendon se ajo kishte plotësisht të drejtë”, ka thënë Minxhozi më tej.
Tarik Pagarusha, vëllai i këngëtares Nexhmije Pagarusha shkurt ka falënderuar ata që kontribuuan për të sjellë imazhin e këngëtares ikonike në vendlindje.
“Faleminderit ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozit, për paraqitjen e idesë dhe gjithë atyre që kontribuuan për të sjellë këtë projekt”, ka thënë ai.
Kryesuesi i këshillit për projektin, Nysret Kryeziu, ka thënë se busti është shenjë mirënjohjeje për këngëtaren.
“Katërdhjetë vjet karrierë e bënë ‘Bareshën’ tonë të marrë emrin ‘Mbretëresha e muzikës shqiptare’. Ajo nuk ndaloi kurrë së treguari prejardhjen e saj, siç thoshte ajo, fshati im, Pagarusha. Ndaj e nderuam këtë legjendë të gjallë duke ndërtuar një kompleks madhështor të cilin e meriton. Treguam se Pagarusha është më së krenare që ka një yll të tillë”, ka thënë Kryeziu derisa e ka konsideruar obligim moral nderimin për të.
Mikja e Pagarushës, këngëtarja Shpresa Gashi, e ka vlerësuar model për gjeneratën e saj e ato që e kanë pasuar.
“Ajo ka qenë diell për ne, për gjeneratën time dhe pas meje ka qenë institucion. Nuk dua ta zgjas më shumë, ishte më e madhja, e vetmja, e para”, e ka përshkruar shkurt Pagarushën.
Këngëtarja Shpresa Berisha, po ashtu mike e afërt e këngëtares Nexhmije Pagarusha, ka thënë se ngjarja, pos nderimit për të, ka qenë e dobishme edhe për publikun.
“Ajo na nderoi përjetësisht neve dhe sot ajo nuk është e vdekur, është këtu në Pagarushën e saj, në Kosovën e saj. Zëri dhe këngët e saj u përfaqësuan nga zëri i saj i kristaltë në tërë botën. Prandaj ajo dha porosi të shumta duke përfaqësuar atë këngë në gjithë vendet e botës”, ka thënë Berisha.
Skulptori Agon Qosa, autor i bustit të Nexhmije Pagarushës, ka thënë se ka qenë përgjegjësi e madhe të projektohet figura e saj në bronz.
“Është përgjegjësi e madhe për çdo figurë që ka lënë gjurmë në historinë e popullit, pa marrë parasysh a është artist, letrar, luftëtar. Çdokush që ka bërë famë në mënyra të ndryshme është përgjegjësi shumë e madhe, pasi është figurë publike. Në punën kushtuar Nexhmijes është dashur të kem kujdes se çfarë po zgjidhet. Figura e saj mbetet aty dhe gjenerata pas gjeneratash do ta shohin si ka qenë. Duhet të kihet kujdes edhe në elementet e veshjes”, ka Qosa për KOHËN.
Ai ka thënë se janë bërë ndryshime të vogla me elementet e veshjeve që shihen në fotografi për t’i kombinuar dhe rregulluar estetikisht. Derisa ka treguar prapaskenat, ka treguar se busti final ka ardhur pas dy punimeve paraprake. Procesi i kishte marrë kohë dy muaj. Ka thënë se veprën e kishte përfunduar në muajin korrik, por se për shkak të punimeve tjera, ishte shtyrë data e inaugurimit. Vepra ka lartësi gjithsej 2 metra e gjysmë: një metër baza dhe 150 centimetra busti.
Ceremonisë së përurimit të bustit i kanë paraprirë homazhet te varri i saj, e në kuadër të ceremonisë, në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë është mbajtur edhe një koncert. Edhe aty ka jehuar kënga e Nexhmije Pagarushës. Kanë interpretuar kori i grave “Nexhmije Pagarusha”, Bleta Martinaj është rikthyer në skenë me “Bareshën”, e melosin popullor e ka sjellë edhe mjeshtri i çiftelisë, Fatmir Makolli.
Ishte paralajmëruar që në ngjarje të merrte pjesë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Në ceremoninë solemne të përurimit të bustit dhe në programin artistik që u organizua në nderim të figurës së primadonës së melosit popullor, ai nuk ishte i pranishëm. Ministria e Kulturës qysh në tetor të vitit 2018 kishte nisur procedurat për institucionin që synohej të ngrihej si shtëpi kulture në vendlindjen e saj. Objekti në fshatin Pagarushë ishte planifikuar të mbante emrin e këngëtares. Katër vjet pas, Ministria ende nuk ka arritur që ta vërë gurin themeltar të ndërtesës.
Nexhmije Pagarusha shkollën fillore e kreu në Malishevë, më vonë u vendos në Prishtinë. Shkollimin e mesëm muzikor, solokëndimin, e filloi në Beograd, ku qëndroi për tri vjet, por për shkak të rrethanave jo të volitshme e ndërpreu. Ajo filloi të këndoi që në fëmijëri, por karrierën e vërtetë e nisi më 1948, si këngëtare e Radio Prishtinës.
Ka kënduar në manifestime dhe në festivale në Kosovës dhe të gjitha viset e tjera, duke arritur popullaritet të madh për potencialin e saj vokal në ish-Jugosllavi. Në Bullgari, Turqi, dhe disa shtete evropiane, si dhe të Lindjes së Afërt, në Amerikë e tjerë. Këndoi mbi 40 vjet pa ndërprerë dhe jo gjithnjë në kushte të përshtatshme për një soliste si ajo.
Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” etj. Me saktësi e bukuri i këndoi këngët e përpunuara dhe të kompozuara nga bashkëshorti i saj, kompozitori Rexho Mulliqi, ndër të cilat: “Lulëzoi fusha, lulëzoi mali”, “Zambaku i bardhë”, “Një lule që m’ka çelë tash”, si dhe ato origjinale. “Baresha”, është cilësuar si xhevahir i muzikës shqipe. Nexhmije Pagarusha ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa vepra skenike e filma “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”. Vlerësimi i lartë dhe dashuria e madhe që kishin kritikët dhe publiku ndaj saj, bëri që ajo të gëzonte titullin “Bilbili i Kosovës”.
Prej vitit 1984 vendos të përmbyllë karrierën prej këngëtareje. Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare. Zëri i saj është përjetësuar më shumë se 150 këngë në periudhën mes viteve ’50 dhe mesit të viteve ‘80. Ajo është nderuar me medalje presidenciale për veprimtari jetësore, përderisa mban edhe titullin “Nderi i kombit”.