Kulturë

Nënkalimi i Ferizajt një hap më afër transformimit në “galeri urbane”

Shenjat e para drejt konkretizimit të ndërhyrjes në nënkalimin e Ferizajt me murale, kanë nisur të hidhen kur janë bërë rreth gjashtë muaj prej se fondacioni holandez “Bloomberg” kishte konfirmuar përzgjedhjen e projektit të “MuralFest Kosova” në programin e tyre “Asphalt Art”. Betoni në nënkalimin e rrugës “Emin Duraku” do të “vishet” me murale nga 15 artistë të rinj të cilët do të trajnohen për katër ditë në kampin i cili do të mbahet prej 27 deri më 30 prill në Jezerc. Thirrja për pjesëmarrje tashmë është mbyllur dhe kampi i kontribuon aftësimit dhe përgatitjeve para rezultateve finale në projektimin e asaj që do të kthehet në një lloj “galerie urbane”.

Për shtatë edicione “MuralFest” e ka bërë Ferizajn qytet të muraleve e vetë festivalin subjekt që vë shenjat e artit të rrugës. Shpesh në këtë formë i janë përcjellë mesazhe shoqërisë. Ato përforcohen kur në të njëjtën kohë e kthen betonin e zymtë në hapësirë atraktive përmes artit bashkëkohor e deri në portretizimin e figurave të shquara të kulturës. Kësisoj është zgjeruar edhe në qytete të tjera në Kosovë dhe ka mbërritur deri në adresë të fondacionit “Bloomberg” në Holandë. Me projektin e “MuralFest Kosova”, Ferizaj është zgjedhur në mesin e 19 qyteteve evropiane që financohen në ridizajnimin e tyre.

Projekti që është emërtuar si “Stained Concrete Paths” është paraparë të zbatohet gjatë fundit të majit dhe fillimit të qershorit. Organizatorët kanë bërë të ditur se korrespondon me edicionin e tetë të “MuralFest Kosova”, që mbahet prej 16 deri 23 qershor. Edicioni i sivjetmë e zhvillon aktivitetin nën temën “Fragments of Utopia” dhe për kurator ka skocezin Doug Gillen.

Drejtoresha e “MuralFest Kosova”, Lebibe Topalli, ka bërë të ditur se gjatë kampit do të përfundojë ideja se si do të duket nënkalimi. Prej aty do të projektohet transformimi artistik në atë pjesë.

“Ne kemi shpallur një konkurs për të thirrur artistë të rinj që do të jenë pjesë e kampit. Kampi do të realizohet vikendin e ardhshëm. Kanë aplikuar numër i konsiderueshëm i artistëve të rinj, por ne do të pranojmë deri 15 artistë të rinj. Ata që kanë pasur portfolion më të pasur artistikisht dhe veçanërisht me murale, u jepet e drejta të dizajnojnë ide dhe të krijojnë skicën për muralin”, ka treguar Topalli në një përgjigje për KOHËN.

Thirrja për pjesëmarrës ka qenë e hapur prej 2 prill deri më 15 prill me synimin për të mbledhur 15 “artivistë” siç emërtohen artistët e “MuralFest Kosova”. Kriter ishte që pjesëmarrësit të ishin ndërmjet 18 dhe 24 vjeç, të ishin nga rrethina e Ferizajt dhe të kishin përvojë paraprake në realizimin e muraleve.

Ligjëruesja Topalli është njëherësh edhe kuratore e Festivalit dhe i gjithë aktiviteti, si punëtoria ashtu edhe ndërhyrja në nënkalimin e rrugës “Emin Duraku” do të mbikëqyren prej saj. Ajo është shprehur se ky projekt i përshtatet temës dhe konceptit të edicionit të sivjetmë. Nëpërmjet “Stained Concrete Paths” synohet të inkurajohet përdorimi i nënkalimit nga qytetarët.

“Ne veçse kemi filluar një lloj hulumtimi në matjen e rezultateve dhe pritshmërive të qytetarëve. Është hapësirë që frekuentohet shumë dhe është një tjetër detaj që është i arsyeshëm pse e kemi marrë pikërisht këtë nënkalim. Sepse do të jetë më shumë nxitës, njerëzit do të jenë kureshtarë dhe do të kenë vullnet të kalojnë në këtë pjesë pas pikturimit”, është shprehur Topalli, e cila drejton “MuralFest Kosova”.

Sipas saj, për fondacionin holandez “Bloomberg” ka qenë “hera e parë që dikush aplikon me nënkalim dhe ata janë goxha entuziastë për të parë rezultatin final se çfarë do të arrihet”.

Një pjesë e nënkalimit në Ferizaj ishte veshur në kuadër të programit të edicionit të kaluar të “MuralFest Kosova”. Me art ishin prekur edhe objekti i Universitetit të Shkencave të Aplikuara, shkolla e mesme e muzikës “Çesk Zadeja”, ajo fillore “Tefik Çanga” e disa rrugë të qytetit. Përfshiheshin gjithsej shtatë hapësira.

Në rregulloren e fondacionit holandez “Bloomberg Plihantropies”, me seli në Amsterdam, përcaktohet se në garë përfshihen vendet anëtare në Bashkimin Evropian. I ftuar në ceremoninë e organizuar nga themeluesi i “Bloomberg”, Michael Bloomberg, në tetor të vitit të kaluar kishte qenë edhe kryetari i Komunës së Ferizaj, Agim Aliu, por në të cilën nuk kishte marrë pjesë.

Në gusht të vitit të kaluar, kur ishin shpallur rezultatet nga Ministria e Kulturës për përzgjedhjen e mbështetjes për organizatat joqeveritare dhe individët në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore, projekti me të cilin kishte aplikuar “MuralFest Kosova” ishte refuzuar. Nga institucioni përkatës nuk kishte pasur arsyetim.

Iniciativa e artit të asfaltit në kuadër të fondacionit “Bloomberg” ofron mbështetje financiare dhe teknike për ridizajnimin e rrugëve. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve synon rritjen e sigurisë, rigjallërimin e hapësirave publike dhe angazhimin e komuniteteve lokale. Në prezantimin e këtij institucioni thuhet se “të dhënat e fundit tregojnë ulje dramatike të aksidenteve në trafik dhe të drejtimit të pasigurt në dhjetëra vende të projektit të artit të asfaltit”. Sikurse vendet e tjera përfituese, edhe ai në Ferizaj do të financohet me 25 mijë dollarë.

Projekti “Asphalt Art”, në kuadër të të cilit parashihet ndërhyrja në nënkalimin në Ferizaj, është themeluar në vitin 2014. Synon të punojë me qytete të ndryshme për të përmirësuar cilësinë e jetës për banorët për t'i bërë qytetet më të forta, më të sigurta, më të barabarta dhe efikase. Projektet e tjera në kuadër të “Asphalt Art” përfshinin atë që emërtohej si “hapësirë e re dhe e rigjallëruar këmbësore” në qytetet si: Bruksel, Zagreb, Brno të Kroacisë, Helsinki, Reykjavik të Islandës, Firence, Prato e Romë të Itali, Ferizaj, Cluj-Napoca të Rumanisë dhe në Madrid.

Tirana përfshihej në ndërhyrjen për “përmirësim të sigurisë”, e po këtu bënin pjesë edhe qyteti Gdynia i Polonisë, Bratislava e Kosice të Sllovakisë dhe Leon në Spanjë. Murale kryqëzimesh dhe vendkalimesh shtriheshin në tri qytete: Varna, Athinë dhe Stamboll.