Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Në Kosovë më shumë se gjysma e monumenteve në rrezik pa mirëmbajtje

Prishtinë, 8 janar - Shumica e pronarëve dhe e shfrytëzuesve të aseteve të trashëgimisë kulturore në rrezik janë në dijeni për statusin ligjor të këtyre monumenteve, por më shumë se gjysma e tyre nuk i mirëmbajnë ato dhe njëkohësisht nuk kanë ndonjë përfitim institucional. Ky është një prej konkludimeve të hulumtimit “Pse po shkatërrohet trashëgimia kulturore”, publikuar nga dega në Kosovë e organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB).

Hulumtimi për gjendjen në terren, për vitin 2018, po ashtu ka alarmuar se shumica e ndërtesave të listës “Trashëgimia në rrezik” nuk u janë nënshtruar projekteve të konservimit dhe gjendja e tyre është para shkatërrimit. Në fund të vitit 2017, ChwB doli me raportin e monitorimit të listës “Trashëgimia në rrezik” të publikuar më 2016, sipas së cilës konstatohej se 109 asete të trashëgimisë kulturore në Kosovë “janë në rrezik të lartë të degradimit, shkatërrimit dhe humbjes totale”.

Raporti “Pse po shkatërrohet trashëgimia kulturore në Kosovë” nis me të dhëna për gjendjen e kësaj fushe. Thuhet se mungesa e informatave bazë për monumentet e mbrojtura me ligj adreson nevojën për identifikim dhe monitorim të secilit monument veç e veç. Pjesa tjetër e raportit fokusohet tek mbrojtja e aseteve të trashëgimisë kulturore ku jepen të dhëna për aspektin ligjor. Një pjesë e raportit i përgjigjet pyetjes se sa janë të informuar pronarët me trashëgiminë kulturore/ Elvira Berisha.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")