Shkrim i nobelistit kolumbian, botuar në numrin e tetorit të vitit 2003 në rubrikën “Histori personale” në revistën “New Yorker”
Një mendje më thoshte se ata që më flisnin për tregimin, më pak ishin mahnitur prej vetë tregimit – të cilin mbase nuk e kishin lexuar fare dhe po qe se e kishin lexuar nuk e kishin kuptuar – edhe prej vetë faktit se ishte botuar me një lavdërim të pazakonshëm në një faqe kaq të rëndësishme gazete. Ku dua të dal... Fillimisht e mora vesh se dy të metat e mia të mëdha ishin dy më të mëdhatë e mundshme: ngathtësia e të shkruarit dhe injoranca ndaj loçkës së zemrës së njeriut. Dhe, po, të dyja ishin fort të dukshme në tregimin tim të parë, që ishte një meditim konfuz, abstrakt, i përkeqësuar edhe më shumë prej abuzimit të emocioneve të sajuara.
Teksa po gërmoja thellë për situata nga jeta reale për tregimin e dytë, u kujtova se njëra prej grave më të bukura që kisha njohur si fëmijë më kishte treguar se sa shumë dëshironte të ishte brenda maces së këndshme që po e përkëdhelte në prehër. “Sepse, macja është më e bukur se unë”. Kjo ishte pika që më shkarkoi prej presionit për boshtin e tregimit të dytë, si dhe më nxori një titull atraktiv: “Eva brenda maces së saj”. Pjesa tjetër, sikurse tregimi i parë, do të sajohej prej hiçit për të njëjtën arsye – sikur na pëlqente atyre ditëve të thoshim – ngërthente brenda vetes farat e destruktimit të vet.
Ky tregim ishte botuar me të njëjtin lavd, si i pari, të shtunën e 25 tetorit 1947, dhe ishte ilustruar prej piktorit Enrique Grau, një yll në ngritje në qiellin e Karaibeve. U shtanga kur miqtë e mi e morën këtë si ndodhi të zakonshme dhe mua si shkrimtar të njohur. Unë, në anën tjetër, vuaja sherri i gabimeve, dyshoja në suksesin tim, por ia dola mbanë ta mbaja gjallë shpresën. E mira e të mirave erdhi disa ditë më vonë, kur Eduardo Zalamea, duke përdorur pseudonimin e tij të zakonshëm, Uliks, kish shkruar një shënim në kolumnën e përditshme në “El Espectador”. I kishte rënë trup: “Lexues të ‘Fin de Semana’, shtojca letrare e kësaj gazete ka vënë në pah shfaqjen e një talenti të ri dhe origjinal me personalitet të fuqishëm”. Dhe shkonte edhe më larg: “Në imagjinatë mund të ndodhë gjithçka, por të dish si të tregosh me natyrshmëri, thjeshtësi dhe pa trazim perlën e nxjerrë nuk është diçka që mund ta arrijnë të gjithë 21-vjeçarët, që porsa kanë nisur lidhjen e tyre me letrat”. Dhe nxirrte përfundimin pa asnjë hezitim: “Në García Márquezin u lind një shkrimtar i ri dhe i shquar”.
Ky shënim më nxiti një tronditje lumturie – si të mos ma sillte! – por njëherësh më acaronte se Zalamea nuk kishte lënë asnjë shtegdalje për arratisje. Tani që kish thënë çfarë kishte thënë, shtrëngohesha ta interpretoja bujarinë e tij si thirrje ndërgjegjes time që nuk do të më ndahej gjatë gjithë jetës.
Pavarësisht bishtnimit tim kronik dhe neglizhencës për t’u kritikuar, e kalova lehtë vitin e parë të studimeve në fakultetin e drejtësisë falë mësimit të ngutshëm e sa për sy e faqe dhe provimet më të rënda i kalova duke përdorur hiletë e mia të vjetra. T’ju them të drejtën, nuk ndihesha rehat dhe nuk e dija si do të vazhdoja në këtë rrugë pa krye. Fort pak e njihja ligjin dhe edhe më pak kisha treguar interesim se për çdo lëndë tjetër gjatë studimeve në lice, dhe mendoja se isha boll i pjekur sa për t’i marrë vetë vendimet e mia. Shkurt fjalët, pas gjashtëmbëdhjetë muajsh mbijetese të mrekullueshme, krejt çfarë kisha përfituar prej fakultetit ishte një grup miqsh të mirë me të cilët do të kaloja kohë gjatë gjithë jetës... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)