Arkeologët egjiptianë kanë zbuluar një thesar tepër të rrallë në deltën e Nilit: mbetjet e një fshati të lashtë i cili daton rreth 5000 vjet para erës sonë. Ky është një nga zbulimet më të vjetra të zbuluara në rajon, i cili sjell fakte se piramidat në Giza janë për 2500 vjet më të vjetra.
Lokalitetit arkeologjik neolitik në Tell el-Samarën pjellore, rreth 140 kilometra në veri të Kajros, është deri në rreth 7000 vjet i vjetër. Njoftimin për gjetjen dhe detajet i ka dhënë Ministria e Antikiteteve e Egjiptit nëpërmjet një komunikate për media, thuhet në shkrimin e Archeology.org, që sot e transmeton “Koha Ditore”. Ekipi i përbashkët francezo-egjiptian i gërmimit i gjeti disa silose të magazinimit me lëndë organike – eshtrat e kafshëve dhe mbetjet e bimëve – gjë që ua mundësuan atyre ta datojnë vendin. Ata gjithashtu gjetën mjete qeramike dhe guri, të cilat e tregojnë një komunitet stabil.
Këto zbulime e hapin një mundësi për të identifikuar dhe për të mësuar më shumë për komunitetet parahistorike që e pushtuan deltën e Nilit mijëra vjet para se mbreti legjendar Menes ta bashkonte Egjiptin e sipërm dhe të ulët, duke e themeluar dinastinë e parë faraonike.
“Analiza e materialit biologjik që është zbuluar do të na paraqesë një pamje më të qartë të komuniteteve të para që u vendosën në delta dhe origjinën e bujqësisë dhe blegtorisë në Egjipt”, ka thënë Nadia Khedr nga Ministria egjiptiane e Antikiteteve.
Hulumtuesit besojnë se praktikat bujqësore në fshat mund të kenë qenë shumë të varura nga shiu. Kjo mund të ndihmojë në grumbullimin e fakteve shtesë në lidhje me zhvillimin e bujqësisë së bazuar në ujitje, e cila më vonë u praktikua në deltën e Nilit për mijëra vjet.
Sipas komunikatës, kjo gjetje në provincën veriore të El-Dakahlias vërteton se njerëzit kanë jetuar në deltën moçalore të Nilit që në mijëvjeçarin e pestë para Krishtit.
“Ndërtesa të tilla që datojnë në periudha të hershme (4200-2900 para Krishtit) nuk njiheshin në këtë rajon”, citohet të ketë thënë shefi i Departamentit të Antikiteteve, Ayman al-Achmawi.
Ka gati tre vjet që po bëhen gërmime në këtë lokalitet.
“Gërmimet e kryera që nga viti 2015 në Tell-al-Samara na japin mundësinë të dimë më shumë për jetën e komuniteteve parahistorike që jetonin mijëra vjet para dinastisë Tinite në deltën e Nilit”, ka thënë drejtuesi i gërmimeve arkeologjike, Frederic Geyau.
Në një tjetër zbulim të kohëve të fundit arkeologët gjetën se egjiptianët e lashtë i kishin mumifikuar qëllimisht të vdekurit e tyre shumë më herët sesa mendohej. Ekipi gjeti prova të mumifikimit të hershëm që datonte deri në 5600 vjet - edhe para kohës së faraonëve.
Përderisa nuk u përmend ndonjë gjetje e mumifikimit në Tell el-Samara, ky i fundit është një burim potencialisht i çmueshëm për të mësuar më shumë rreth vendbanimit të hershëm të Egjiptit të lashtë.
Gërmimet në këtë lokalitet arkeologjik do të përfundojnë në sezonin e ardhshëm, të pasuara nga një analizë e plotë e zbulimeve.