Mbi artin e qeverisjes dhe çështje të tjera: Në ditëlindjen e 100-të të Friedrich Dürrenmattit, shkrimtar zviceran (5 janar 1921 - 14 dhjetor 1990).
1.
«Çdo qeverisje duhet të plotësojë dy kërkesa, nëse dëshiron të jetë qeverisje. Duhet ta ruajë ekzistuesen dhe ta rinojë të ruajturën. Pa ruajtje dhe rinim nuk ka shtet funksional. Nuk mjafton vetëm të administrosh. E ruajtura vetëm mund të administrohet, për të rinuar duhet art i qeverisjes. (...) Politika që vonohet, ajo mbërrin me kohë për të varrosur veten. Liria jonë nënkupton që vullnetarisht ta bëjmë të mundur të renë e domosdoshme para se të jemi të detyruar ta bëjmë. (...) Shteti është shpikje e njeriut. Këtë shpikje ne do të dimë ta përdorim si duhet vetëm nëse na pëlqen, por nëse para saj kemi vetëm respekt nga frika, atëherë s’jemi të lirë, jemi vetëm robër të saj. T’i gëzohesh shtetit, ky është hapi i parë për tejkalimin e nevojshëm të shtetit».
2.
«Askush nuk pret koka më lehtë se ata që nuk kanë koka».
3.
«Dashnia asht nji mrekulli e cila herë pas here asht e mundshme, ndërsa ligësia asht fakt që përherë asht i pranishëm».
4.
I urrej entet, thotë një figurë në një dramë të dramaturgut zviceran Friedrich Dürrenmatt. Kemi Ent për Financa, Ent për Ujëra, Ent për të Huaj, Ent të Punës, Ent të Ndërtimeve të Ulëta. Por kemi edhe Ent të Plehut. Avulli i ngrohtë i Entit të Plehut që avullon mbi çdo gjë në këtë vend «do të më çmend», thotë Herkulesi, personazhi i Dürrenmattit. Entet, porosit dramaturgu, nuk duhet demoluar, por duhet të binden. Sepse «kush nuk e heq plehun, i bën dëm atdheut». Sepse «kush dyshon në heqjen e plehut, ai dyshon në atdhe». Sepse «të jemi të sinqertë, plehu më i madh edhe te ne nuk prodhohet nëpër stalla». Sepse «mjelja është një art i fuqishëm, i butë». Sepse «heqjen e plehut duhet ta paguajnë të pasurit». Sepse «ata e bëjnë plehun më të madh». Sepse «detyra është tepër e madhe, saqë duhet të zgjidhet një krye-pleh-heqës, duhet të hiqet plehu në mënyrë radikale. Por me atë rast rrezikohet liria. Plehu hiqet, por pastaj e kemi një krye-pleh-heqës dhe a do të arrijmë ta heqim edhe atë pastaj, kjo nuk dihet. Historia na mëson se sidomos krye-pleh-heqësit mbesin».
5.
«Besoj se humori është përpjekja e fundit e objektivitetit kundrejt botës. Çfarë domethenë humor? Është thjeshtë distancë. Nëse dëshironi të tregoni diçka, duhet të krijoni distancë».
6.
«Racionalja te njeriu janë pikëpamjet që i ka. Irracionalja te njeriu është se ai nuk vepron sipas tyre».
7.
«Ndoshta ju do të pyesni se çfarë Republike ëndërroj unë. Unë ju përgjigjem: një Republikë të pavarur, të lirë, demokratike, ekonomikisht prosperuese dhe njëkohësisht një Republikë të drejtë në aspektin social, shkurt një Republikë njerëzore, e cila i shërben njeriut dhe për këtë arsye shpreson se edhe njeriu do t’i shërbejë asaj. (…) Ajo çfarë guxon të kërkojë individi dhe jo vetëm guxon, por edhe duhet, është ajo çfarë keni kërkuar ju, Vaclav Havel: të drejtat e njeriut, bukën e përditshme për secilin, barazinë para ligjit, lirinë e mendimit, lirinë e grumbullimit, transparencën, heqjen e torturës etj., të gjitha këto nuk janë utopi, por gjëra të vetëkuptueshme, atribute të njeriut, shenja të dinjitetit të tij …».
Përktheu dhe përgatiti:
Enver Robelli